Zënka e turistëve serb në Ohër, një i vdekur
Mehmet Latifi/Ohër
Një person ka humbur jetën ndërsa disa të tjerë kanë marrë lëndime të rënda dhe të lehta në një incident dhe rrahje mes dy grupeve të turistëve serb në Ohër, që ka ndodhur rreth orës 3 (tre) të mëngjesit të sotëm, në qendër të Ohrit.
Sipas informacioneve të para nga Ohri, në këtë rrahje masovike të turistëve serb, ku janë përfshirë shumë persona, ka pësuar një 30 vjeçar nga Beogradi.Sipas informacioneve, viktima e këtij incidenti tragjik, ka marrë plagë të rënda.Mjekët kanë deklaruar se plagët janë shkaktuar nga therja me thikë. Jozyrtarisht merret vesh se bëhet fjalë për dy grupe të turistëve serb të cilët incidentin e kanë filluar në klubin e natës “Havana” në Ohër, për ta vazhduar pastaj edhe rrugëve të qytetit në qendër të Ohrit.
Pasi kanë dalë nga kabarea “Havana”, turistët serb kanë vazhduar grushtat dhe mjetet tjera “praktike”, që ka kulmuar afër postës së Ohrit, ku ka pësuar 30 vjeçari nga Beogradi.
SPB në Ohër, ka bërë të ditur se dy persona, të përshirë në këtë rrahje, kanë marrë lëndime dhe janë dërguar në Spitalin e qytetit, por gjatë rrugës drejt spitalit, njëri prej tyre ka vdekur. Personi tjetër-sipas mjekëve kujdestar në spitalin e Ohrit, që po ashtu kishte lëndime trupore, pas ndihmës mjekësore, është lëshuar nga spitali për kurim shtëpiak.
Policia e Ohrit ka bërë të ditur se janë marrë në biseda të ashtuquajtura informative rreth 30 persona, pjesëmarrës në këtë incident tragjik dhe dëshmitar okular. Janë ndërmarrë masat e duhura nga organet kompetente për zbardhjen e plotë të incidentit tragjik.(INA)