15:00- Agjencia e lajmeve INA bënë të ditur se tre personat e vrarë sot në fshatin Radushë janë: Xhafer Shala 31-vjeç nga Prishtina, Shaban Zenuni nga fshati Merovë i Maqedonisë dhe Qemajl Fejzullahu nga fshati Gërçec, poashtu i Maqedonisë. Identiteti i personit të katërt të vrarë në këtë incident nuk është bërë i ditur.

14:20- Ministria e Brendshme zyrtarisht ka dalë me një komunikatë zyrtare lidhur me incidentin në Radushë, duke bërë të ditur për numrin e viktimave dhe armatimin e zbuluar.

“Pas informacioneve paraprake operative dhe njohurive për transport të armëve ilegale nga Kosova në Maqedoni, policia mbrëmë vonë kishte vendosur një pritë për kontrollin e një mjeti transportues në rajonin midis fshatrave Rashçe – Radushë.

Gjatë tentimit të njësiteve speciale rreth orës 2.00 të mëngjesit, për të ndaluar një veturë transportuese, furgon të modelit “Mercedes Sprinter” me targa të falsifikuara të Prilepit në këtë aks rrugor, personat në furgon, tre prej të cilëve me uniforma të zeza nuk i janë përgjigjur ndalesës së njësiteve policore dhe në vend që të ndalen, ato kanë vazhduar rrugën dhe kishin shtënë më pas në drejtim të patrullës policore. Nga ana e pjestarëve të policisë menjëherë është kundërpërgjigjur me zjarrë, ndërsa nga shkëmbimi i zjarrit kanë humbur jetën katër personat që ishin në furgon”, thuhet në komunikatën e MPB-së.

Ministria njoftoi se deri tani janë identifikuar tre personat e vrarë të cilët posedonin dokumente personale, prej të cilëve dy janë shtetas të Maqedonisë dhe njëri shtetas i Kosovës. Personi i katër nuk është identifikuar akoma, për shkak të mosposedimit të dokumenteve.

Sipas MPB-së, në furgon janë gjetur sasi të konsiderueshme të armëve: 3 raketahedhës dore me 3 thashë granata, 6 pushkë automatike dhe një pushkë gjysëmautomatike, një snajper, një mitraloz, një thes me TNT eksploziv, 6 bomba dore, mina tokësore, 12 granata për minahedhës dore 60 mm, municion për pushkë automatike, çizme ushtarake, amblema të UCK-së dhe harta.

“Në vendin e ngjarjes është ftuar Gjykatësi Hetues dhe Zëvendësprokurori pulbik, të cilët kanë kryer ekspertizën në vendin e ngjarjes me njësitet e policisë kriminale. Mjeti transportues dhe armët janë tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe janë dërguar për analiza të mëtejme, ndërsa trupat e pajetë të viktimave janë dërguar për obduksion në Institutin për Mjekësi Ligjore. MPB po kryen hetime dhe verifikime lidhur me mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë në këtë grup. Ndërsa deri tani janë mohuar zërat për persona të arrestuar apo të plagosur”, thuhet në fund të komunikatës së MPB-së.

14:00- Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska lidhur me incidentin në afërsi të Radushës ka theksuar se asnjë lloj dhune nuk do të tolerohet. “Policia ende po punon në terren. Në këtë fazë nuk dua të ndërlidh këtë incident me incidentin e disa javëve më parë në Bllacë”, ka theksuar ministrja Jankullovska.

Ajo ka shtuar se nuk ka hapësirë për shqetësim dhe se policia ka në duar sigurinë për të gjithë qytetarët e vendit.

Ajo shprehu kënaqësinë se të gjithë faktorët politik relevant janë distancuar nga incidentet e mëparshme.

MPB bëri të ditur se furgoni që po transportonte armë ishte “Mercedes Sprinter”, i cili po lëvizte nga Radusha në drejtim të Shkupit dhe në të ishin persona të njohur edhe më parë për policinë për kryerjen e veprave të ndryshme.

MPB pritet të dalë me një njoftim më të detajuar zyrtar lidhur me incidentin, duke nënvizuar se nga të vrarët janë identifikuar tre persona, prej të cilëve dy janë shtetas të Maqedonisë dhe njëri shtetas i Kosovës. Nuk është identifikuar akoma viktima e katërt.

Burime të larta pranë MPB-së i kanë thënë mediave maqedonase se shtetasi Kosovës është i njohur për organet e rendit dhe se ndaj tij kishte fletëarrest ndërkombëtarë. Armët që janë gjetur janë të prodhimit jugosllav, me ç`rast janë identifikuar tre raketahedhës dore, snajperë, gjashtë thasë me TNT, tre thashë me granata , boma dore, mina këmbësorie dhe municion të llojeve të tjera të armëve.

11:55 – Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se ka identifikuar tre personat e vrarë në pritën e organizuar në afërsi të fshatit Radushë.

Siç bëhet e ditur nga zëdhënësi i MPB-së, bëhet fjalë për dy shtetas të Maqedonisë, njëri nga fshati Gërçec dhe tjetëri nga fshati Merovë dhe një shtetas të Kosovës nga Prishtina. Identiteti i personit të katër ende nuk është vërtetuar, por jozyrtarisht bëhet fjalë për një shtetas kosovar.

11:40 – Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se janë vrarë katër persona, që ishin pjestarë të një grupi për kontrabandë të armëve, të cilët nuk i janë përgjigjur urdhërit për ndalim të policisë në fshatin Sllivare e Epërme në rajonin e Radushës. 

“Pas njoftimeve paraprake për tregti me armë të paligjshme, policia ka kryer një aksion në rajonin e Radushës. Policia kishte zënë një pritë dhe rreth orës 2 pas mesnate gjatë tentimit të policisë për të ndaluar një furgon, personat që gjendeshin në të kanë hapur zjarrë ndaj policisë. Pjestarët e policisë menjëherë i janë kundërpërgjigjur sulmit, me ç`rast janë vrarë katër personat që ishin në furgon. Pas kryerjes së kontrollit, policia ka gjetur sasi të konsiderueshme të armëve”, ka deklaruar zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski, duke mos shpalosur detaje të tjera.

11:00 – Një nga versionet e para pranë burimeve të MPB-së bëjnë të ditur se një furgon që po transportonte armatim në rrugën Radushë-Rashçë nuk është ndaluar në një pikë kontrolli të policisë. Siç bëhet e ditur, personat në furgon pasi që nuk janë ndaluar kanë shtënë me armë në drejtim të policisë, e cila më pas i është kundërpërgjigjur. Nga kjo përleshje kanë mbetur të vrarë katër persona që gjendeshin në furgon. Përleshja e armatosur ka zgjatur deri në orën tre të mëngjesit. Policia theksoi se përveç konfiskimit të armatimit, ka arrestuar edhe dy persona. MPB paralajmëroi se sot pasdite në kazermën “Gjorçe Petrov” do të prezantohet armatimi i kapur.

10:20 – Njoftimet e fundit jozyrtare bëjnë të ditur për katër të vrarë nga radhët e grupit të armatosur. MPB ka konfirmuar se në radhët e saj nuk ka të vdekur dhe të plagosur. MPB paralajmëroi se do të mbajë konferencë me mediat lidhur me këtë incident. Në fshatin Radushë deri para një ore të gjitha rrugët e fshatit kanë qenë të bllokuara nga policia, ndërsa më pas ato janë zhbllokuar.

09:00 – Përleshje e armatosur ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në afërsi të fshatit Radushë në zonën kufitare midis Maqedonisë dhe Kosovës, njofton agjencia e lajmeve INA.  

Në këtë incident midis policisë dhe një grupi të armatosur siç bëhet e ditur ka disa të plagosur, dy të arrestuar, ndërsa policia ka gjetur një sasi të konsiderueshme të armatimit. Ministria e Brendshme bëri të ditur për INA se gjatë ditës do të jap hollësi lidhur me incidentin e armatosur në fshatin që gjendet mbi 30 kilometra larg Shkupit. Banorët lokal kanë konfirmuar sot të shtënat me armë që kanë zgjatur që pas mesnate e deri në orët e hershme të mëngjesit.

Në lokacionin ku ka ndodhur përleshja janë përqëndruar forca të mëdha policore të shoqëruara me helikopterë. Ky incident pasoi pas atij para dy javëve në rajonin e Studenës, tre kilometra në afërsi të fshatit kufitar Bllacë, ku u gjetën katër bunkerë me armë, ndërsa pati edhe të plagosur nga ana e grupit të armatosur, që u thirrë më pas në një komunikatë se bëhet fjalë për njësite të UÇK-së.(INA)