Nxjerrja ne shitje e modelit më të ri të iPhone nga ana e kompanisë Apple ka shkaktuar rrëmujë nëpër pikat e shitjes anembanë botës së zhvilluar. Rreshta të gjatë të njerëzve të apasionuar pas kësaj marke të celularit nuk kanë hezituar të presin tërë natën që në mëngjes të jenë ndër të parët që do të prekin modelin e ri të këtij aparati komunikues. Mediat raportojnë se blerësit në Australi, Japoni, SHBA, në vendet e BE-së, në Hong-Kong apo Singapor janë regjistruar edhe në Internet për ta marrë telefonin iPhone 5 në kohën e caktuar. Brenda kësaj jave do të fillojë shitja e këtyre celularëve edhe në 22 vende tjera, që më pastaj të jetë i kapshëm për të gjithë të interesuarit anembanë botës. Lexova se blerësit edhe në Shkup kanë filluar të ngrenë tenda para shitoreve ku do të paraqitet iPhone i ri pasi kompania ka paralajmëruar se njëqind blerësit e parë do të mund ta kenë në dorë këtë celular me një zbritje prej 50 për qind. Bile u gjet edhe shqiptari i parë që ka blerë iPhone 5, i cili jo vetëm që e kishte blerë por menjëherë kishte filluar ta përdorë.

Vërtetë një mani e çuditshme kjo blerja dhe apasionimi pas një celulari. Apple si duket ka gjetur formulën për të ngulitur brendin e tyre të celularit në mendjet e njerëzve si aparati më i përsosur i telekomunikimit, gjë që shumica e ekspertëve e mohojnë këtë. Por, është çështje e fushatës së fuqishme reklamuese dhe propagandës së sofistikuar për të bërë këtë prodhim pjesë të identitetit të njerëzve të periudhës së globalizimit apo të konsumatorëve në vendet e zhvilluara të Botës.

Si duket vetëm ne që jetojmë në Maqedoni, me një papunësi e varfëri rekorde dhe me korrupsion deri në rrjepje, jemi imunë nga kjo mani për blerjen e modeleve të reja të iPhone. Përveç një informacioni se edhe në Shkup pritet para dyqaneve ardhja e celularit “çudibërës”, ne jemi të bombarduar nga mania qeveritare. Një debat i ashpër, mbase i kurdisur, është duke u zhvilluar në Parlament lidhur me sjelljen e një ligji për “mbrojtësit” e Maqedonisë, me ç’rast të gjithë japin ide se si të dilet nga ky qorrsokak në të cilin na kanë futur përfaqësuesit tanë në pushtet. Këta pushtetarë shqiptarë po luajnë një lojë të dyfishtë: ministrat luajnë rolin e pjesëmarrësve në pushtet, kurse deputetët dhe kryetarët e komunave po hiqen si opozitarë të rreptë. Kjo, si duket, është një strategji e re e veprimit politik që nuk ka asnjë lidhje me etikën dhe moralin politik. Një mik i imi, i injoruar nga politika në vendlindje por që ka ndërtuar një karrierë të shkëlqyeshme në perëndim, thotë në shaka se kjo është një strategji e re e mjegullimit të opinionit shqiptar, e cila nuk mund të lexohet në teoritë politike, por se është inovacion i partisë shqiptare në pushtet. Kjo strategji, më thotë ai, patjetër të titullohet “Tërhiq e mos e këput” dhe të brendohet ndërkombëtarisht, me qëllim që ta përdorin edhe valonët në Belgjikë apo edhe serbët në Kosovë.

Këto ditë u hap edhe debati nëse fjala “dalja nga qeveria” duhet të përdoret në fjalorin publik. BDI mbajti mbledhje të kryesisë dhe vendosi që kjo fjalë të hiqet nga vokabulari i oponentëve politik dhe analistëve “që flasin por nuk kanë asnjë përgjegjësi”. Bile, u tha se kjo fjalë është nënçmuese për shqiptarët dhe se duhet të kërkohet dalja e partnerit maqedonas nga qeveria.

Por, është e palogjikshme të qëndrohet në një qeveri, ku kanë kaluar vetëm projekte dhe ligje që u cilësuan si antishqiptare, kurse të luhet roli i opozitës në Parlament. Nëse lufta bëhet në Parlament atëherë cili është qëllimi i qëndrimit në qeveri? Nëse ndonjë analist apo oponent politik ka shprehur mendimin publik se BDI duhet të dalë prej qeverie këtë e ka thënë pasi opinioni shqiptar është lodhur nga marrja apo parandalimi i projekteve nënçmuese nga kjo qeveri, siç ishte Enciklopedia fyese, maqedonishtja nga klasa e parë, ligji i natalitetit, Shkupi 2014…Kanë rekomanduar të dilni nga qeveria, e jo nga Parlamenti. Më falni se mbase mund të shpallem tradhtar për shkak se do ta përdor “fjalën e ndaluar”, por edhe unë mendoj se dalja nga qeveria e BDI-së do të jetë mënyra më e suksesshme për të detyruar VMRO-në ta braktisë pushtetin. Në atë rast partia e kryeministrit Nikolla Gruevski do mbetej pa shumicë parlamentare, kurse opozita shqiptare do të vazhdonte të injorojnë denjësisht ofertat e kësaj partie nacionaliste dhe do të refuzonin ta shpëtojnë këtë qeveri që i përngjan një anijeje që po fundoset. Pas kësaj bllokade në pushtetin ekzekutiv do të ishte shumë e lehtë të kalkulohet me numra për një qeveri teknike, pa të drejtën e miratimit të ligjeve, por me një detyrë që bashkë me zgjedhjet lokale t’i organizojë edhe ato parlamentare. Apo, nëse faktorit politik shqiptar në tërësi i ofrohet një bashkëqeverisje dhe një partneritet i njëmendtë nga opozita maqedonase, atëherë të formohet koalicioni pa VMRO-në. Ka edhe shumë opsione tjera, mbase më radikale, që do të hapeshin vetëm nëse BDI del nga qeveria, ku nuk ka arritur të ndalojë dhe t’i rezistojë asnjë projekti me të cilin ngulfatej fryma e Marrëveshjes së Ohrit.

Nëse përmblidhen të gjitha deklaratat zyrtare dhe jozyrtare të kësaj partie gjatë katër viteve të fundit, atëherë do të shihet se tema e braktisjes së qeverisë nuk është hapur as nga oponentët politik e as nga analistët. Këtë një kohë e ka kërkuar vet zv/kryeministrja Teuta Arifi kurse gazetarët e dinë se cilët zyrtarë të BDI-së e kanë liferuar opsionin e braktisjes së pushtetit, por me kusht anonimiteti.

Problemi nuk qëndron as te opozita shqiptare, e cila denjësisht ua ka ruajtur shpinën duke mos koketuar me VMRO-në për një qeveri pa BDI-në, e as te kritikat në opinionin publik, të cilat kanë për qëllim esullimin e përfaqësuesve shqiptarë në pushtet. Çështja qëndron në tendencën e qëndrimit me çdo kusht apo pa asnjë kusht në pushtet, që mbizotëron në BDI. Kam përshtypjen se në këtë parti është ngulitur thellë bindja se do të qëndrojnë në pushtet së paku në 50 vitet e ardhshme dhe se në secilin mandat do ta avancojnë pak nga pak statusin e gjuhës shqipe, kurse në mandatin e 11-të do ta sjellin ligjin e “viktimave shqiptarë të luftës”. Përjetësia në pushtet dhe bindja se në opozitë mund të ndodhë hataja është veti i politikanëve me preferenca diktatoriale. Vetëm diktatorët janë të bindur se janë të dërguarit për të qenë në pushtet derisa sa zgjat jeta e tyre dhe e pasardhësve.

Megjithatë, tani më 10-të vitet e BDI-së në pushtet janë një argument i fuqishëm për jetëgjatësinë e projektuar në qeveri. Sipas kësaj logjike, zgjedhjet mund të ndryshojnë vetëm partitë maqedonase, pra një herë në pushtet të jetë LSDM-ja e një herë VMRO-ja, kurse BDI-ja do t’i presë e përcjellë te dera e ndërtesës së qeverisë. Mbase pas një periudhe disavjeçare Apple do të dizajnojë dhe lëshojë në përdorim celularë vetëm për Maqedoninë, me ç’rast për qeveritarët e përjetshëm ai do të mbante emrin iGov. Por, në atë rast do të ishte e drejtë të dizajnonte edhe një model të lirë për ne qytetarët e thjeshtë e të rrjepur nga korrupsioni, me ç’rast për logo do zgjidhej një spec i kuq ajvari, i kafshuar, që do mbante emrin iVar.