vetvendosjeLëvizja Vetëvendosje, ka reaguar sot sa i përket incidenteve të mbrëmshme në ndeshjen ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë.

Vetëvendosje, thotë se të gjithë e kishim të qartë se Serbia ishte e gatshme ta shprehë urrejtjen e saj qysh para se të filloj ndeshja, duke nisur që nga ndalimi i pjesëmarrjes së përkrahësve shqiptarë.

Me të gjitha këto zhvillime dhe sjelle të Serbisë, për Vetëvendosjen është e qartë se ky shtet nuk do ndryshojë asnjëherë karshi popullit shqiptar, por që sipas tyre politika po mundohet ta mbulojë një gjë të tillë.

“Mbrëmë i gjithë kombi shqiptar kudo që ndodhej ishte dëshmitar i shfryrjes së një urrejtje e dhune të pafalshme kundër kombëtares shqiptare. Kjo ndeshje futbolli e tregoi një të vërtetë të cilën vazhdimisht por pa sukses po mundohet ta fsheh politika: Serbia dhe Beogradi janë po të njëjtit në konceptimin e tyre për shqiptarin, shtetin, lirinë dhe identitetin tonë kombëtar. Ende pa a filluar ndeshja, gjithkush e kishte të qartë se Serbia ishte e gatshme ta shprehte konkretisht urrejtjen e saj. Vetë fakti që shteti serb ua ndaloi pjesëmarrjen përkrahësve shqiptarë si dhe mohoi të drejtën e përdorimit të simboleve tona kombëtare në ndeshje, madje duke arrestuar ata që i mbanin këto simbole edhe në aeroport, është tregues i një qëndrimi konstant politik që i mohon të drejtat elementare kombëtare të shqiptarëve. Këtu sporti është pasqyrim i drejtpërdrejtë i politikës shtetërore serbe ndaj kombit tonë. Ajo që ndodhi mbrëmë në Beograd, është, në të vërtetë ajo që ndodh me shqiptarët në Luginën e Preshevës”, thuhet në një njoftim të kësaj Lëvizje.

Sipas vetëvendosjes, ishin brohoritjet raciste të tifozëve Serbë, ‘vrisni shqiptarët’, ‘shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur’, ‘Kosova është Serbi’ etj., që u përpoqën të shuanin që në fillim të ndeshjes himnin tonë kombëtar.

Vetëvendosje po ashtu bënë edhe një analizë sa i përket lansimit të flamurit shqiptarë në stadiumin “Partizan” në Beograd, duke treguar se stadiumi po ashtu ishte i mbushur edhe me parulla fashiste kundër shqiptarëve, duke mos lënë anash pa përmendur edhe hedhjen e gjësendeve të forta dhe fishekzjarrëve në fushë drejt lojtarëve shqiptarë.

“Simbolet kombëtare shqiptare që fluturuan mbrëmë mbi Beograd nuk përbëjnë provokim por thirrje për drejtësi. Zyrtarë e politikanë serbë menjëherë u ngutën që t’i paraqesin këto simbole si shkaku që ngjalli dhunën. Kjo do të thotë se, në të vërtetë, pikërisht këtë dhunë, nuk e ka bërë tifozeria serbe, por politika shtetërore. Simbolet shqiptare në stadiumin serb nuk janë arrogancë, por reagim i domosdoshëm kundër shkeljes së identitetit, përgjigje spontane ndaj mohimit të pjesëmarrjes, e drejtë për kryengritje ndaj shtypjes”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Futbollistët shqiptarë e mbrojtën në mënyrë dinjitoze mospërdhosjen e identitetit tonë kombëtar, edhe pasi në fushë u vërsulën drejt tyre tifozët serbë të ndihmuar nga rojet e sigurimit, disa prej lojtarëve të Serbisë dhe nga (mos)veprimet e policisë Serbe. Lojtarët e kombëtares shqiptare na kanë bërë të gjithëve të ndihemi krenarë”, thuhet më tutje në këtë njoftim.

Vetëvendosja, ka komentuar edhe deklaratat e ministrit serb Daçiq dhe zëdhënës së përfaqësueses së lartë të BE-së, Maja Kocijançiç.

“Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, tha se tifozëria serbe ishte e përmbajtur. Kjo ka kuptim vetëm nëse i ka krahasuar këto veprime me aktet makabre të policisë serbe në Kosovë. Si duket edhe zëdhënësja e përfaqësues së lartë të BE-së, Maja Kocijançiç, bie dakord me konstatim e ministrit serb, duke u deklaruar se “autoritetet serbe demonstruan profesionalizëm në përballje me situatën”. Për deklaratat e saj llogarinë duhet ta japin institucionet e BE-së”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Vetëvendosje, thotë se të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se Sporti nuk mund të jetë zëvendësim për drejtësinë, e cila në këtë rast ia nisë me njohjen që Serbia duhet t’i bëjë pavarësisë së Kosovës. Kjo është e vetmja rrugë që çon drejt pajtimit mes dy popujve.