Vritet një shqiptar në Mitrovicë, plagosen 4 fëmijët
Selver Haradinaj, 38-vjeç, është vrarë në orën 01:20 minuta pas një shpërthimi të fuqishëm në njërën prej ndërtesave të Tre Rrokaqiejeve, në veri të Mitrovicës. Fëmijët dhe bashkëshortja e tij janë plagosur nga shpërthimi. Fillimisht në terren kanë dalë disa ushtarë të KFOR-it e më pas edhe Policia e Kosovës. Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi, ka deklaruar se sulmi me eksploziv ndaj familjes shqiptare në lagjen e “Tre Rrokaqiejve” në Mitrovicë, mund ta tensionojë gjendjen në veri të Mitrovicës. Ministri Rexhepi tha se Njësia Specialiste dhe hetuesia është duke bërë hetimet lidhur me këtë sulm dhe se deri tash nuk ka të arrestuar.Megjithatë, sipas tij nuk anashkalohen edhe motivet etnike të jenë qellim i sulmit.Rasti është regjistruar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm me pasoja fatale. Ndërsa, besohet se mjeti eksplodues të jetë një sasi e eksplozivit plastik, një bombë artizanale, me 500 gram të eksplozivit plastik. Më pas është aktivizuar me fitil ngadalë-ndezës, të vendosur në parmakët e dritares së katit përdhes të familjes Haradinaj.Zëdhënësi i Policisë,Besim Hoti, ka theksuar se dëmet nga shpërthimi në shtëpinë e familjes Haradinaj, kanë mundur të jenë shumë më të mëdha, për shkak të sasisë së eksplozivit, por dritaret në shtëpinë, e cila ka qenë cak i sulmit, kanë qenë të blinduara.Ndryshe, zyrtarët e Policisë së Kosovës, kanë njoftuar se anëtarët e familjes Haradinaj janë larguar nga shtëpia, e cila është sulmuar. Ndërkohë, sipas tyre, sulmi kriminal mbi shtëpinë dhe familjen Haradinaj, ka shkaktuar indinjatë të thellë, frikë dhe pasiguri te banorët shqiptarë që jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës.