image

Në mungesë të kompetentëve, të cilët gjatë tërë ditës së enjte nuk janë përgjigjur në thirrjet e gazetës KOHA, burime jozyrtare brenda USHT-së sqarojnë se në këtë universitet, për një kohë të gjatë është zhvilluar “luftë” brenda dy grupeve – njëri i udhëhequr nga rektori Reka, dhe tjetri nga prorektori Ismail Ahmeti, njëherësh kushëri i liderit të BDI-së, Ali Ahmeti

Shkup, 11 maj – Rokada të shumta të posteve në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Rektori Reka ka larguar dy personat e afërt të tij, prorektorin për çështje arsimore Ismail Ahmeti dhe prorektorin për shkencë, Reshat Qaili. Vendimi është marrë nga vet rektori Reka, ndërkohë që burime brenda USHT-së sqarojnë se Senati i universitetit nuk ka mbajtur mbledhje akoma, organ ky që merret me emërimet dhe shkarkimet e zyrtarëve. Në mungesë të kompetentëve, të cilët gjatë tërë ditës së enjte nuk janë përgjigjur në thirrjet e gazetës KOHA, burime jozyrtare brenda USHT-së sqarojnë se në këtë universitet, për një kohë të gjatë është zhvilluar “luftë” brenda dy grupeve – njëri i udhëhequr nga rektori Reka, dhe tjetri nga prorektori Ismail Ahmeti, njëherësh kushëri i liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Gjithçka ka filluar para dy javësh, kur edhe filloi hapur të flitej për ndërrimin e rektorit Reka. Kjo u dëshmua edhe me rastin e 5 Majit – Ditës së Dëshmorëve të Kombit, kur rektori Reka hapur sulmoi partinë shqiptare në pushtet – BDI, se “dikush po kërkon tendera në USHT”.
Tashmë, ish-prorektorin Qaili do ta zëvendësojë Vullnet Ameti, ish-deputet i BDI-së në mandatin e kaluar, ndërkohë që i zbrazët vazhdon të mbetet vendi i Ismail Ahmetit, profesorit më të promovuar të USHT-së në të gjitha takimet dhe organizimet e USHT-së. Promovimi i Vullnet Ahmetit si prorektor në vendin e Qailit është bërë të mekurën, kur ai foli në një eveniment kushtuar Ditës së Evropës në Tetovë.
“Nuk jam kompetent për të sqaruar ndërrimet”, tha shkurt ish-prorektori Reshat Qaili, ndërkohë që nuk përgjigjej as ish-prorektori Ismail Ahmeti dhe as prorektori i ri, Vullnet Ameti. Përgjigje të shkurtër ka dhënë edhe zëdhënësi i USHT-së, Selam Sulejmani.
“Për zhvillimet në universitet, ne vazhdimisht ju kemi njoftuar përmes njoftimeve për shtyp, ashtu që për çdo ‘risi’, kur do ta shohim të arsyeshme, ne do t’ju informojmë serish”, shkruan në sms-në e tij zëdhënësi Selami. Megjithatë, në koloaret e USHT-së flitet se shumë shpejtë, edhe rektori Reka do të shkarkohet nga posti, ndërkohë që më i përfolur për të zëvendësuar atë është Adnan Jashari, gjithashtu ish-deputet i BDI-së. Jashari edhe i plotëson kushtet për rektor, pasi që nga para vitit 2006 është profesor i rregullt ordinar. USHT-në për një kohë të gjatë e përcjellin skandale të shumta, si rrahje profesorësh, marrje të titujve kundër statusit dhe ligjeve për arsim të lartë, largime të profesorëve të njohur e kështu me radhë. Së fundmi, ishte Ranglista e Shangait ajo që e renditi USHT-në në vendin e 13-ë për nga kualiteti i arsimit nga të gjitha universitetet publike dhe private në Maqedoni. (V.M./KOHA)