Veteranët e luftës kërkojnë mobilizim për veriun
Veteranët e Luftës së UÇK-së i janë drejtuar me një letër të hapur organeve të sigurisë në vend, duke kërkuar nga ta që të ndalojnë spastrimin etnik të shqiptarëve nga veriu i Kosovës dhe të vendosin qetësi dhe rend. Ata kanë kërkuar nga institucionet shtetërore dhe ato të KFOR-it dhe EULEX-it që të mbrojnë popullsinë shqiptare në veri, në të kundërtën deklarojnë se do të jenë në ballë të organizimit gjithë-popullor në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve në këtë pjesë të vendit.
“Kaluan më shumë se 12 vite që nga largimi i forcave okupuese e ne ende kemi një situatë okupimi në veri të Kosovës. Strukturat e Serbisë, në asnjë moment nuk pushuan së vepruari. UNMIK dhe KFOR, ishin në dijeni të plotë të situatës dhe me mosveprimet e tyre, lejuan funksionimin normal të këtyre strukturave, të cilat vazhduan traditën kriminale dhe gjenocidale të Millosheviqit”, thuhet në letër.
Sipas tyre, në kohën kur Kosova kontrollohej ashpër nga UNMIK-u dhe KFOR-i dhe kur nuk kishte asnjë organ ekzekutiv vendor, natën në mes 3 dhe 4 shkurtit 2000, mbi 1500 familje shqiptare me rreth 12 mijë banor u deportuan me dhunë nga shtëpitë e tyre në veri të Kosovës, me ç’rast u vranë 10 persona dhe u plagosën shumë të tjerë.
OVL e UÇK-së u apelon organeve të sigurisë që urgjentisht: të merren masat për kthimin e menjëhershëm të banorëve shqiptar në pronat e veta dhe të shuhen strukturat e Serbisë dhe të arrestohen pjesëtarët e tyre.
Sipas tyre, këto masa janë parakusht i ruajtjes së sigurisë në Kosovë dhe do krijojnë kushtet për jetë të lirë e të qetë, për organizimin e pushtetit lokal legjitim dhe për mirëqenien ekonomiko-sociale të banorëve në atë pjesë.
“Nëse KFOR-i, EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës, do të rrinë edhe më tutje duarkryq, Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, do të jenë në ballë të organizimit popullor. Përgjegjës të kësaj situate do të jenë vet organet e sigurisë, që me mosveprimin e tyre shkaktuan tërë këtë situate”, thuhet në letrën e nënshkruar nga kryetari i veteranëve të luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli.