image
Që kur ka filluar aplikimi i sistemit të proporcionit, bashkësitë e vogla etnike, pavarësisht nga përkatësia e tyre kombëtare ose fetare, nuk kanë preferuar të bëjnë koalicione parazgjedhore me partitë politike shqiptare. Nga cila anë ka munguar gatishmëria, është çështje tashmë jorelevante. Por, është fakt se nuk është bërë koalicion

Përfaqësimi më i madh i bashkësive të vogla etnike në Parlamentin e R. të Maqedonisë sërish u bë aktual. Kjo ndodh sërish pa vullnetin e shqiptarëve. Shqiptarët sërish shfaqin mospajtim dhe çështja dukshëm problematizohet. Problematika në fjalë është mjaft e ndjeshme, është politike, është pragmatike, por edhe mjaftë teorike. Pjesa e teorisë është shumë domethënëse dhe është e lidhur ngushtë me natyrën e realizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, ndërtimin e demokracisë, përcaktimin e rolit të sovranit (popullit) në demokarci dhe nevojave të veçanta të individit në sistemin e vendosjes.
Kjo materie kërkon një qasje shumë më komplekse se ç’mund të bëhet me një shkrim gazetaresk. Andaj, t’i kthehemi vetëm anës aktuale-pragmatike dhe politike. Propozimi për 10 vende të rezervuara për deputetë të bashkësive të vogla etnike (katër vende për turqit, dy për serbët, dy për romët dhe nga një për boshnjakët dhe vllahët) nga ana e VMRO-DPMNE-së, u paraqit në shtator të vitit 2007. Me atë rast, shqiptarët skajshmërisht u përçanë. BDI-ja paraqiti mbi 4 000 amendamente. Deputetët shqiptarë shkaktuan incident të madh në Parlament etj. etj. I njëjti propozim tani vjen nga LSDM-ja si parti opozitare e cila atëherë nuk e mbështeti propozimin.
Pra, bëhet fjalë për çështje të karakterit pragmatik për nevoja të dy partive më të mëdha politike maqedonase, të cilat janë të interesuara që bashkësitë e theksuara më të vogla etnike t’i mbajnë sa më pranë vetes. Këtu përfundon çdo muhabet tjetër pse propozohet kjo. Dhe cili duhet të jetë qëndrimi i subjekteve politike shqiptare në këtë rast? Që kur ka filluar aplikimi i sistemit të proporcionit bashkësitë e vogla etnike, pavarësisht nga përkatësia e tyre kombëtare ose fetare, nuk kanë preferuar të bëjnë koalicione parazgjedhore me partitë politike shqiptare. Nga cila anë ka munguar gatishmëria, është çështje tashmë jorelevante. Por, është fakt se koalicion nuk është bërë. Shikuar nga aspekti kombëtar, partive shqiptare nuk do t’u bashkëngjiteshin vetëm partitë politike serbe. Nga aspekti fetar, partitë turke, boshnjake dhe rome (është pikëpyetje e madhe sa për qind e romëve janë të besimit ortodoks) pa ndonjë problem mund të afrohen me partitë shqiptare. Me vllahët puna qëndron pezull, por numri i tyre është vetëm 9. 695 ose 0.48 për qind e popullsisë.
Lidhur me propozimin për vende të rezervuara për deputetë të bashkësive më të vogla domodoshmërisht hapen edhe shumë çështje të tjera, si p.sh., nëse është fjala për zbatimin e të ashtuquajturit diskriminim pozitiv pse ky të bëhet aq i theksuar. Dihet se turqit përbëjnë 3.85, serbët 1.78, romët 2.66 dhe boshnjakët e vllahët nën një për qind të popullsisë. Atëherë, pse për bazë nuk merret numri bazik i përqindjes dhe sipas tij të caktohet edhe numri i deputetëve. Kështu turqve do t’u rezervoheshin 3, romëve 2, ndërsa serbëve, boshnjakëve dhe vllahëve nga një deputet.     
Në kontekst të gjithë kësaj problematike, duhet shtruar edhe çështjen e organizimit të zgjedhjeve dhe shikimin e mundësisë së pengimit të lidhjes së koalicioneve parazgjedhore nëse jo për të gjitha subjektet politike, atëherë për subjektet e bashkësive që u garantohen vende deputetësh. Në të kundërtën, mund të ndodh që vllahët të kenë një vend të garantuar dhe dy partitë e tyre të lidhin koalicion me VMRO-DPMNE-në dhe SDSM-në dhe në këtë mënyrë të fitojnë tre deputetë. E njëjta mund të ndodhë edhe me boshnjakët. Serbët lirisht mund të arrijnë në 4, ndërsa turqit në gjashtë deputetë. Shqyrtimi i mundësisë për pengimin e lidhjes së koalicioneve parazgjedhore bëhet evident edhe për shkak të vetë deklarimit të kryetarëve të partive të bashkësive të vogla ku haptas edhe më tutje paralajmërohen koalicione me partitë e mëdha maqedonase. Pra, ato qartazi bëjnë me dije se edhe në të ardhmen nuk kanë ndërmend të bashkëpunojnë me partitë shqiptare. Atëherë, shtrohet pyetja pse partitë shqiptare të pranojnë favorizimin e bashkësive të vogla kur nuk do të kenë kurrfarë leverdie? Duhet theksuar se këto parti, posaçërisht ato turke dhe rome gjithnjë e më shumë po paraqesin vërejtje lidhur me përfaqësimin e tyre në organet e pushtetit dhe për këtë fajin ua veshin shqiptarëve. Ndërkaq, dihet fare mirë (për këtë flasin të dhënat) se përfaqësimi joadekuat i tyre më i theksuar është jo në mjediset shqiptare, por në ato maqedonase.
Mospajtimi i shqiptarëve për këtë propozim kryesisht motivohet me rrezikimin e miratimit të ligjeve që votohen me shumicë të dyfishtë, respektivisht me shumicën e Badenterit. Kjo drojë nuk duhet marrë me aq siklet, sepse sido që të ndodhë, deputetët shqiptarë, pavarësisht a gjenden në pozitë ose opozitë, nuk do të lejojnë që ligje të caktuara, kualitative ose jokualitative, të miratohen pa vullnetin e tyre.
Problem serioz në këtë fazë të propozimit është fakti se po tentohet të bëhen ndryshime kushtetuese në pjesën që ka të bëjë me shumicën e Badenterit, alineja 2 e Amendamentit 69 të Marrëveshjes Kornizë ku thuhet: „Për ligje me të cilat drejtpërsëdrejti kanë të bëjnë me kulturën, përdorimin e gjuhëve, arsimin, dokumentet personale dhe shfrytëzimin e simboleve, Kuvendi merr vendime me  shumicë votash të deputetëve që janë të pranishëm, në kuadër të të cilëve duhet të ketë shumicë votash të deputetëve që deklarohen se u përkasin bashkësive që nuk janë popullatë shumicë në Maqedoni…”. Pra nevojiten ndërhyrje kushtetuese madje në pjesën që ka të bëjë me Marrëveshjen e Ohrit. Ky rrezik duhet kuptuar mjaft seriozisht, sepse sinjalizon për tendencë të nëpërkëmbjes së kësaj Marrëveshje. Shqiptarët janë të pakënaqur me implementimin e Marrëveshjes dhe insistojnë në zgjerimin e implementimit të saj edhe në sfera të ndryshme. Këto përpjekje nuk po japin rezultat. Përpjekjet për vende të rezervuara deputetësh nuk janë vetëm pragmatike, por të karakterit të thellë politik. Nëpërmjet kësaj synohet të rrënohen tendencat reale dhe të qëndrueshme për cilësimin e Maqedonisë si shtet i dy bashkësive më të mëdha: maqedonasve e shqiptarëve dhe cilësimin e tij si shtet shumëkombësh me çka në esencë minimizohet roli i shqiptarëve. Në këtë drejtim është e nevojshme një syçelëti mjaft e theksuar sepse pasojat nga veprimet joserioze mund të sjellin deri në probleme të paparashikueshme në të ardhmen. Andaj, subjektet politike shqiptare këtë problematikë duhet ta ngrenë në nivelin më të lartë dhe nuk duhet lejuar që për këtë të vendosin vetëm qarqe të ngushta partiake.

Duhet shtruar edhe çështjen e organizimit të zgjedhjeve dhe shikimin e mundësisë së pengimit të lidhjes së koalicioneve parazgjedhore, nëse jo për të gjitha subjektet politike, atëherë për subjektet e bashkësive që u garantohen vende deputetësh