“Koha Ditore” e 11 marsit, ka bërë një shkrim të ultë me të cilin merr në mbrojtje “shoqatën” e uzurpatorëve dhe të prostitucionit, me emrin “Drenusha”. Për të satën herë, po japim shpjegime për të gjithë ata që janë për sundimin e ligjit në këtë vend dhe për ata që janë kundër uzurpatorëve, krimit të organizuar dhe prostitucionit.

Objekti, për të cilin prodhohet gjithë kjo zhurmë shurdhuese dhe bajate nga “Koha Ditore” dhe nga ish-strukturat dhe bashkëpunëtorët e Serbisë, gjendet mu në oborrin e Qendrës së Arsimit të Mesëm, këtë gjë mund ta bënte vetëm Serbia pushtuese.

Këtë objekt e ka ndërtuar BVI-ja, pra komuna e Vitisë, në vitin 1985 e jo shoqata.

Objekti është shfrytëzuar nga shoqata “Jelen” në kohën e pushtimit.

Shoqata “Drenusha” është themeluar pas luftës çlirimtare, siç mund të formohen (me ligje të tashme) dhe shumë shoqata të tjera.

Kjo “shoqatë” uzurpatore dhe e prostitucionit me asnjë dokument nuk ka mundur të dëshmojë deri më sot se e ka pasur në shfrytëzim legal (me letra) qoftë edhe një minutë këtë objekt.

Kjo “shoqatë”, nuk mund të jetë trashëgimtare e “Jelenit” dhe as e Serbisë edhe pse e dëshiron një gjë të tillë. Serbia ka ikur, e nëse kthehet me siguri që do t’i kthej në objektet e tyre LKJ-në , LSPP-në , “gjuetarët”, si edhe të gjithë shërbëtorët e bashkëpunëtorët e saj.

“Drenusha” nuk është, sipas ligjeve në fuqi dhe sipas ligjit të gjuetisë, shoqatë gjahtarësh. Zonën e gjuetisë në Viti, e menaxhon sipas ligjit dhe tenderit të fituar, Shoqata e Gjuetarëve “Karadaku”, e vetmja e licencuar për gjueti në Komunën e Vitisë.

Për Vehbi Kajtazin, Vehbi Selmanin, Shemsedin Pirën, “Kohën Ditore” dhe kompaninë e tyre, ky pushtet gjithmonë do të konsiderohet “mbi ligjin” dhe i huaj për ta, sepse nuk respekton ligjet e Serbisë si komunat e veriut dhe trashëgiminë e Serbisë.

Komuna e Vitisë është angazhuar dhe do të jetë edhe më e angazhuar për respektimin dhe zbatimin e ligjeve të Republikës së Kosovës, vetëm në interes të qytetarëve të saj dhe të Republikës. Jemi të angazhuar dhe do të jemi edhe më të angazhuar, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet qendrore, për luftimin e uzurpatorëve, përvetësuesve të pronës komunale e “shoqërore” me dokumente të falsifikuara nëpër bodrumet e errëta të krimit të organizuar dhe të Serbisë.

Sharjet e këtyre Vehbive dhe Surrojve për kryetarin e Komunës dhe Komunën tonë, na e fuqizojnë besimin se ne jemi në të drejtën e ligjit dhe të Zotit.

Ftojmë “Kohën Ditore” dhe disa gazetarucë e drejtues të saj, avokatë dhe gjyqtarë, që të respektojmë minimumin e etikës gazetareske, njerëzore e profesionale, të ruajnë gjakftohtësinë e të pajtohen me të vërtetën se Kosova është shtet. Ata që e mbanin të pushtuar, nuk janë më…

Ua bëjmë me dije të gjithë këtyre “mendjetredhurve” , se as Gjykata nuk është mbi ligjin. Madje për aktëvendimet e tyre të kundërligjshme duhet të përgjigjen dhe të ndiqen penalisht. Vetëm EULEX-i është mbi ligjin !!!

Zyra për Informim Publik e Komunës së Vitisë