 Namik Selmani
Nga Namik Selmani
Në vend të një thirrjeje për ditët që po kalojmë të gjithë
Dashkam sot urti kuvendesh
Të çaj tokë, ta bëj krua
Se m’u thanë sytë e mekur
Mbeti dasma pa uruar.
Të mos pritet Pishë e lartë
Vajzat të na bëhen gjyshe
Të mos mbetet çerdhja tharë
Për një këngë e dallandyshe.
Dashkam sot urti kuvendesh
Kur të nis një shteg, një udhë
Të mos mbetem pas parmende
Këmbëzbathur përmbi prush.
Dashkam sot dolli kuvendesh
Në JANARIN e sterruar
Se m’u nxinë strehë, gjethe
Mbeti lulja pa gjethuar.
Ndaj do ulem plis më plis
Ndaj do ngjitem re më re
Herë do bëhem Zanë a Div
Herë do bëhem si skifter.
Se urtia qenka lidhur
Qenka bërë me nyje plot
Jepma fjalën për ta zgjidhur
Që të ngrej një Urë, një shqotë.
Më jep forcën e strralluar
Ta bëj farë për ugare
Të sjell Ditën e Bekuar
Si pranverë ndër tufane.
Dashkam sot urtinë e fjalës
Kur të hedh pak dhe kufome.
Të mos mbytem përmes dallgëve
Që më mbysin sofra ode.
Përmes burrash në kuvende
Ta nis ditën si ushtari
Se çdo sofër mes një ode
Dashka gradë gjenerali.
Mos zvarritem verbëruar
Në një udhë ku të fton DRITA
Leshrathinjur, dorështrënguar
Të më zbresë nga mot Rilindja.
Dashkam prapë një Sofër fjale
Fjalë që prek, që përkëdhel.
Të mos mbesë oxhak pa zjarre
Mos gjëmbojë ai prag i shtrenjtë.
Të mos mbetem fytyrëskuqur
Para djalit që pret këshillë.
Në s’i dhashë një kalë, një kullë
Mos heshtojë para urtisë..
Dashkam sot urti kuvendesh….
Tiranë , 23 janar 2011 |