Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) është e informuar me hetimet për kurdisje në futbollin kosovar, të cilat u publikuan mbrëmë nga mediat franceze.

“Figaro”, “AFP” dhe “Le Parisien” njoftuan për 9 të arrestuar në Francë, prej tyre katër nga Kosova, të cilët akuzohen për përfshirje në kurdisje të ndeshjeve të ndodhura në futbollin kosovar përmes kompanive të basteve, ku kuotat kanë lëvizur në mënyrë të dyshimtë, në hetimet që janë bërë në 12 muajt e fundit, shkruan “Gazeta Express”.

“Le Parisien” e përmendi emrin e klubit të futbollit Llapi, si protagonist i kurdisjeve në katër ndeshje të supozuara, duke i akuzuar si të përfshirë kryesinë e klubit, shtabin teknik dhe disa lojtarë, me ç’rast thuhet se edhe llapjanët përfituan financiarisht nga këto kurdisje.

Shtëpia e futbollit evropian është e informuar për këtë rast, por që, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe për të mos i penguar hetimet, nuk ka dashur të ndërhyjë për momentin.

“Në përputhje me praktikën e saj të gjatë, UEFA përmbahet nga komentimi i hetimeve apo nga ekzistenca e hetimeve potenciale për kurdisje të ndeshjeve të supozuara, në mënyrë që të mos i komprometojë proceset e hetimit. UEFA komunikon vetëm në raste /ndeshje specifike pasi të jenë hapur procedurat disiplinore dhe/ose të jenë marrë vendimet”, është përgjigjur UEFA për “Gazetën Express”.

Institucioni më i lartë i futbollit evropian ndër të tjera ka sqaruar se në lidhje me aktivitetet kundër trukimit të ndeshjeve në nivel kombëtar, e ofron një gamë të gjerë ekspertize për Federatat që janë nën ombrellë të saj, me ç’rast e ka edhe rrjetin e saj të oficerëve të integritetit, të emëruar në çdo Federatë.

Llapi është deklaruar i pafajshëm përmes një komunikate për shtyp mbrëmë vonë, njëjtë si trajneri Tahir Batatina, i cili mbrëmë foli për “Express”, duke insistuar se llapjanët janë të pastër si loti.

Shpërndaje artikullin në: