UÇK-ja ishte e vetmja forcë legjitime në Kosovë
Lulëzim ETEMAJ.Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte e vetmja forcë ushtarake ligjitime në Kosovë si në kuptimin e organizimit hierarkik, ashtu edhe në atë të veprimit praktik, që ishte mobilizimi i vazhdueshëm i pjesëtarëve të rinj nga hapësira gjithëkombëtare dhe përballja me forcat pushtuese serbe në luftën për liri. Këtë fakt e kishte pranuar publikisht kah fundi i korrikut të vitit 1998 edhe kryeministri i atëhershëm në ekzil, Bujar Bukoshi, në një intervistë që i kishte dhënë një gazete greke, e cila ishte botuar më 21 korrik në gazetën “Rilindja demokratike”. Ai më atë rast do të deklaronte se UÇK-ja, që është e “vetmja forcë legjitime vetëmbrojtëse e Kosovës”, duhet të jetë pjesë përbërëse për një zgjidhje në Kosovë. Krahas njohjes së realitetit në terren, në anën tjetër nëpërmjet kësaj interviste Bukoshi dëshmon qartë se UÇK-ja nuk ishte nën kontrollin e institucioneve të Kosovës, të udhëhequra në atë kohë (1998) nga LDK-ja.
UÇK-ja aktualisht nuk kontrollohet nga asnjë forcë politike, deklaron Bukoshi, duke shtuar se qeveria e tij po bën “gjithshka të mundur për ta afruar UÇK-në”. Këtë intervistë Bujar Bukoshi e kishte dhënë pas takimit të zhvilluar në Tiranë me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçi, Xhavit Haliti dhe Rexhep Selimi. Përfaqësuesit e UÇK-së në këtë kohë kanë zhvilluar edhe disa takime të tjera me drejtues të shtetit shqiptar dhe diplomatë perëndimorë, detajet e të cilave janë të arkivuara në arkivat e Qeverisë së atëhershme të Shqipërisë dhe të qeverive të vendeve perëndimore. Rreth vënies së UÇK-së nën kontrollin politik, Bukoshi ishte prononcuar edhe më herët. Pothuajse një muaj më parë, në intervistën që ka dhënë për “Zërin e Amerikës”, seksioni në gjuhën serbe, të cilën e boton gazeta “Rilindja” e datës 25 qershor 1998, Bukoshi thotë se “UÇK-ja është tashmë një realitet, me të cilin duhet të merret politika kosovare. Ajo ushtri, ajo forcë dhe ai faktor duhet të vihet nën kontrollin politik, të institucionalizohet, ngase kjo është në interesin e të gjithëve”. Luftimi me vendosmëri i forcave serbe gjithandej Kosovës, sakrificat dhe flijimi i pjesëtarëve të saj, tashmë e kishin bërë UÇK-në temë të pashmangshme të qarqeve politike, diplomatike, ushtarake dhe mediale si në Evropën Perëndimore ashtu dhe në SHBA. Krahas organizimit dhe drejtimit, ushtarak dhe politik, të luftës, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, gjer në këtë kohë kishte komunikuar përveç se me opinionin publik të brendshëm edhe me atë ndërkombëtar, përmes 46 Komunikatave dhe 3 Deklaratave Politike që kishte lëshuar për media.
Një interesim të jashtëzakonshëm për UÇK-në kishte edhe në konferencën për media në Bon pas takimit që kishin pasur Ibrahim Rugova dhe Bujar Bukoshi me ministrin e jashtëm të Gjermanisë, Klaus Kinkel. Siç raportonte “Rilindja” më 25 qershor 1998, me autor Jusuf Buxhovin “Si edhe në konferencën paraprake të Kinkelit dhe të dr. Rugovës në Ausvertigesamt, edhe dr. Bukoshit më së shumti pyetje iu shtruan rreth UÇK-së dhe mundësisë që ajo të vehet nën kontroll politik”. Këto deklarata dhe raporte të medieve demantojnë fjalët teposhtë e përpjetë, siç do të shprehej simboli i rezistencën sonë kombëtare dhe njëri nga përfaqësuesit e UÇK-së Adem Demaçi, se ka pasur ndonjë marrëveshje të takimit të Oslos më 21- 23 maj 1998 që UÇK-ja të futej nën kontrollin e institucioneve kosovare në atë kohë. Po ashtu këto deklarata dëshmojnë edhe njëherë faktin se UÇK-ja ishte e vetmja forcë që luftoi për çlirimin e Kosovës, prandaj me të drejtë në Projektligjin për Veteranët e UÇK-së nuk figuron e as që do të duhej të figuronte ndonjë formacion tjetër ushtarak, siç po kërkohet nga ana e LDK-së.