Topi: Të liberalizohen vizat edhe për KosovënPresidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, ka thënë se përfshirja e Kosovës në liberalizimin e vizave është një çështje e shpejtë kohore, në të kundërtën siç ka thënë ai, kjo do të përbënte një paradoks.

“Unë mendoj që përfshirja e Kosovës në regjimin e liberalizmit të vizave është një çështje e shpejtë kohore, sepse do të përbënte një paradoks të vërtetë që, të gjitha vendet e rajonit, të cilat në politikën e tyre të komunikimit rajonal kanë pikërisht bashkëpunimin, komunikimin që nuk është thjesht mbi bazën e komunikimit politik, por është komunikim fizik, biznesi.Pra investimet që do të kryhen e po kryhen në rajon, duhet të merrnin në konsideratë një “ishull”, sikurse është Kosova. Mendoj që është edhe në politikën e Bashkimit Evropian, që çështja e Kosovës të vendoset menjëherë në rend të ditës, sepse ndryshe pastaj do të ishte një shembull i shëmtuar që një popull, sidomos populli i Kosovës, që ka pasur një histori tragjike, të izolohet edhe në kohët moderne. Unë nuk besoj që në politikën e Bashkimit Evropian të mbetet e harruar tema për ta vendosur si prioritet lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.

Ne, në të gjitha bisedat e inkurajojmë, do të vazhdojmë të inkurajojmë, do të vazhdojmë të punojmë fort, sikurse edhe vetë institucionet e Kosovës, që nga ana e saj, pavarësisht problemeve të momentit që janë krijuar me Institucionin e Presidentit, besoj se e ka të gjithë kulturën për të ndërtuar një shtet multietnik, ku secili të ketë të drejtën të lëvizë i lirë. Kjo pa marrë parasysh që një qytetari serb të Kosovës i jepet ky akses nga Serbia, por ta ketë me të drejtën legjitime që ka shteti i ri i Kosovës, i cili çdo ditë e më shumë legjitimohet dhe njihet nga shumë vende”, ka thënë presidenti Topi.