Topi: Këshilli Mbikëqyrës, përgjegjës për vjedhjen e ndodhur në BSH
“Politika duhet të heshtë dhe nuk duhet të ndërhyjë në çështje që i takojnë drejtësisë”.
Kështu i ka komentuar ngjarjet e fundit që kanë përfshirë Bankën e Shqipërisë pas vjedhjes nga Thesari të 713 milionë lekëve dhe më pas arrestimin e ish-guvernatorit Ardian Fullanit, ish-presidenti Bamir Topi.
Topi nuk u ndal tek arrestimi i Fullanit, duke thënë se “nuk komentoj rreth zhvillimeve pas vjedhjes”.
Më tej ,Topi duke u ndalur tek deklarata e kryeministrit Edi Rama, në lidhje me faktin se Këshilli Mbikëqyrës nuk ka përgjegjësi sa i takon vjedhjes, tha se kjo nuk është e vërtetë.
“Deklarata e Ramës ishte gabim. Si ka mundësi që të deklarohet se një anëtar i Këshillit Mbikëqyrës mos të ketë përgjegjësi? Aq me tepër nuk i lejohet kryeministrit të jap komente rreth një çështje që është ndryshe.
Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës nuk mund të jenë njerëz që marrin rrogën e 9 apo 10. Pasi ka një ligj që e përcakton qartë këtë. Ndaj është e turpshme që vjen nga një zyrë kryeministër, kur thuhet se s’ka përgjegjësi.
S’dua të përmend emra, të personave që janë pjesë e 9 bordeve. Nëse kjo është përgjegjësi e një personi, atëherë është diçka tjetër. Kur e trajton problemin në mënyrë institucionale, atëherë nuk mund të bëhen gabime”, tha Topi për News 24.