59isaderaPakënaqësitë dhe përçarjet në Lidhjen Demokratike e Kosovës vazhdojnë të thellohen. Ditëve të fundit janë rritur zërat kundërshtues ndaj ‘gardës së vjetër’ dhe ‘gardës së re’ të kësaj partie.
E gjithë kjo për shkak të  marrëveshjes së arritur me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën për Kosovën dhe Lëvizjen “Vetëvendosje”, për bashkëqeverisje.
Pakënaqësia më e madhe në këtë parti është nominimi i kreu të AAK-së Ramush Haradinaj për pozitën e kryeministrit, dhe jo i liderit të tyre.
Dje, deputeti i zgjedhur i LDK-së, ish këshilltar i Mustafës deklaroi për medie se posti i kryeminsitrit duhet t’i takojë vetëm Isa Mustafës.
Por, sot vet kreu i LDK-së Isa Mustafa qëndrimin e Gashit e quajti individual duke shtuar se marrëveshja e koalicionit me AAK-në dhe Nisma për Kosovën nuk do të ndryshojë. “Edhe njëherë e rikonfirmojmë marrëveshjen e arritur dhe nuk do të ketë ndryshim të saj. Idetë për ndryshimin e saj mund të jenë individuale, të cilat as nuk i kundërshtojmë, por as nuk i marrim për bazë”, është shprehur sot Mustafa, pas një takimi që blloku zhvilloi me minoritetet.
Mendim të kundërt me kreun e partisë dhe në përkrahje të mendimit të Gashit, se duhet të ketë ridizajnim të marrëveshjes LDK, AAK, NISMA, kanë shprehur deputetja Alma Lama dhe anëtari i LDK-së Naser Rugova.
Mirëpo. dje ndaj deklaratës së deputetit Arben Gashi, dje kanë reaguar zyrtarë të lartë të LDK-së.
Nënkryetari Haki Rugova ka thënë se Gashi nuk mund të flas për marrëveshjen e arritur mes VLAN-it, pasi nuk është as anëtar i Kryesisë, derisa sekretari i partisë Ismet Beqiri deklaratën e Gashit e ka quajtur mendim personal të tij, duke thënë se marrëveshja është e pandryshueshme.
Deputetja Lama duke komentuar deklaratat e zyrtarëve të lartë të LDK-së ka thënë se ka filluar një kryqëzatë ndaj Gashit. “Që në fillim dua të them se kryqëzatat ndaj mendimit të lire janë tipike komuniste dhe të papranueshme në demokraci”, ka thënë Lama.
Kurse, Naser Rugova thotë se nuk e kupton prej nga e gjithë ngutia që ta përdhosin mendimin e deputetit Gashi.
Edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, njëherit zyrtar i lartë në LDK ka deklaruar sot për medie se zgjidhja më e mirë që Isa të bëhet kryeministër, por ka shtuar se marrëveshja me partitë e Bllokut do të vazhdoj të respektohet.
Pro idesë së Arben Gashit që Isa Mustafa të bëhet kryeministër sot ka dal edhe Asdren Osaj, ish-këshilltar i kryetarit të LDK-së, duke shkruar në Facebook se Ramush Haradinaj si dukagjinas që është e ka urtinë dhe burrërinë t’ia lëshojë Isa Mustrafës pozitën e kryeministrit.
Duke pasur parasysh deklaratën e vet kreut të LDK-së, reagimet e zyrtarëve të AAK-së, atyre të Lëvizjes “Vetëvendosje”, se marrëveshja mes VLAN-it nuk do të ndryshoj, dhe se Blloku nuk ka rrezik të përçahet, atëherë lë të kuptohet se pakënaqësitë dhe zërat ndryshe në LDK, do të rriten dhe pëçarjet vetëm sa do të shtohen në këtë parti.
Zërat kundërshtues dhe mospajtues me qëndrimet e krerëve udhëheqës të LDK-së, sigurisht se do të dalin në sheh në zgjedhjet e përgjigshme që do të mbahen në këtë parti, të cilat parashihet të mbahen brenda këtij viti, konkretisht më së largu në mujain nëntor.

 Postimi i plotë i Alma Lamës:

Po shoh se ka filluar njëfarë kryqëzate ndaj kolegut tim deputet Arben Gashi, vetëm e vetëm pse ai tha mendimin e tij në lidhje se çfarë mendon për koalicionin.
Që në fillim dua të them se kryqëzatat ndaj mendimit të lire janë tipike komuniste dhe të papranueshme në demokraci; për me tepër kryqëzatat ndaj mendimit të një deputeti i cili ka legjitimitetin e plotë për të thënë mendimin mbi koalicionin.
Deputeti përveç mendimit ka edhe të drejtën e votës, prandaj asnjë zyrtar partiak, pavarësisht pozitës që mban, nuk mund t’i diktoje deputetit as çfarë te flasë, as si te votojë. Ata që po përpiqen ta bëjnë këtë le ta lexojnë kushtetutën.
Tek e fundit Arben Gashi ka kërkuar qe pozitën e kryeministrit ta marrë LDK, jo të mos e marrë, siç po kërkojnë reaguesit.
Tani ja dhe mendimi im mbi koalicionin:
Gjykata Kushtetuese ka marre një vendim arbitrar qe kryetari i Kuvendit duhet të jete vetëm i PDK-se. Koalicioni i ka dy zgjidhje: ose të votoje kandidatin e PDK-se, ose të mos njohë vendimin e Gjykatës dhe te mblidhemi e ta zgjedhim kandidatin e koalicionit. Këtë te dytën po shihet se s’ka guxim për ta ndërmarrë sepse duket se do ti ngjante mitit te Sizifit, pasi prape çështja do te shkonte ne gjykate e prape na pret i njëjti vendim.
Prandaj, në këto rrethana të ndryshuara, kur LDK si partia me e madhe me 30 deputetë, mbetet pa postet që i takojnë, marrëveshja LDK-AAK-Nisma duhet ridizajnuar.
Unë po pres, që vetë zoti Haradianj, si njeri racional që është, ta ndërmarrë iniciativën e ridizajnimit të marrëveshjes. E arsyeshme në këto kushte do të ishte që pozita e kryeministrit duhet të ndahet në dy kohë, dy vitet e para për LDK dhe dy vitet e tjera për AAK. Kjo behët e mundur në rast se koalicioni po lufton për shtet e jo për pozita personale.
Në fund dua të them se murit me koke nuk i bihet dhe se ngërçi politik nuk është ne interes të Kosovës e as të qytetarëve të saj.

Postimi i plotë i Naser Rugovës:

 Nuk e kuptoj prej nga e gjithë kjo nguti ta përdhosin mendimin e deputetit Arben Gashit. Aq më tepër këto gjëra nuk janë në traditën dhe frymën e LDK-së, ku debati dhe mendimi ndryshe gjithnjë është vlerësuar.
Në fund të fundit, Arbeni nuk ka thënë ndonjë gjë që nuk e mendon elektorati i LDK-së dhe për më tepër e ka thënë atë që edhe e kërkon ky elektorat: LDK duhet ta ketë Kryeministrin!
Kushdo që pyet PSE dhe ngutet që dikë ta kualifikojë kështu apo ashtu duhet ta ketë në mendje se elektorati i LDK-së ka dalë në zgjedhje me qëllimin që LDK ta merr udhëheqjen e shtetit.
Shkaku i rrethanave të krijuara pas zgjedhjeve të 8 Qershorit, elektorati i LDK-së e përkrahu marrëveshjen me bllokun, si një alternativë ndaj keqqeverisjes së PDK-së. Por nëse, për shkak të pengesave ligjore dhe kushtetuese, pamundësohet që Isa Mustafa të zgjidhet Kryetar i Kuvendit, atëherë nuk shoh ndonjë rrugë tjetër pos asaj që e ka propozuar deputeti Arben Gashi. Kjo gjithnjë brenda supozimit se qëllimet e partnerëve të bllokut janë që vërtet të largohet PDK-ja nga pushteti.
Më poshtë janë gjërat që duhet t’i kemi parasysh:
1. Nëse Gjykata Kushtetuese nuk lejon që blloku të nominojë Kryetarin e Kuvendit, atëherë PDK le të të vetëkënaqet me postin e Kryetarit të Kuvendit, ndërkaq blloku duhet që të formojë qeverinë.
2. Nuk mund të flasim për bojkot të zgjedhjeve të mundshme, për protesta dhe gjëra të tjera që nuk i përkojnë kulturës tonë demokratike, përderisa zgjidhja është para hundëve.
3. Bllokada institucionale nuk mund të vazhdojë në pafundësi dhe nëse partnerët e bllokut nuk mund t’i përshtaten rrethanave që krijohen në ndërkohë, atëherë zgjedhjet ngelin opcioni i vetëm. Por, në këtë rast dhe në këto rrethana çfarë i kemi sot, ka rrezik që zgjedhjet t’i konvenojnë vetëm PDK-së.
4. Nëse veç patjetër do të na duhet të shkojmë në zgjedhje, atëherë duhet të mobilizohemi, të punojmë, të mos i përsëritim gabimet e 8 Qershorit dhe të dalim të parët.
LDK është lokomotivë që nuk ndalet!
Sinqerisht,
Dr.Naser Rugova