Thaçi e Limaj ftojnë të gjithë të jenë të dielën në Vërmicë
Tri ditë para fillimit të punimeve për ndërtimin e autostradës Vërmicë Merdare, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi vlerëson se kjo autostradë do të ketë efektin e vetë jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin dhe për proceset integruese evropiane.
Këto komente kryeministri Thaçi i bëri në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, me ç’rast e ka vlerësuar si shumë transparent procesin e ndërtimit të autostradës që lidh Republikën e Kosovës me Republikën e Shqipërisë, duke krijuar mundësi të daljes në det për Kosovën.
Të dielën do të fillojnë punimet në këtë autostradë, në ceremoninë e së cilës do të marrin pjesë personalitete të larta nga Kosova, ndërkaq kryeministri Thaçi ka ftuar edhe homologun e tij Sali Berisha dhe autoritetet e Republikës së Shqipërisë.
Thaçi e ka vlerësuar moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për Republikën e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë së vendit.
Kreu i ekzekutivit të vendit ka theksuar se kjo autostradë do të jetë e një niveli të lartë, modern, me standarde të larta të larta bashkëkohore, ndërkohë ka paralajmëruar se shumë shpejt do të shpallet fituesi për koncesionimin e Aeroportit të Prishtinës.
Ministri i Transportit dhe Postë Telekomunikacionit, Fatmir Limaj ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e punimeve, ndërkaq ka ftuar gjithë zyrtarët dhe qytetarët e Kosovës që këtë vikend ta kalojnë në Vërmicë.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Enver Hoxhaj ka njoftuar kabinetin qeveritar me përgatitjet që janë duke u bërë për hapjen e Universitetit të Prizrenit.
Ai ka thënë se ekspertët më të mirë që ka Banka Botërore, ekspertët më të mirë evropianë kanë qenë të inkuadruar në procesin e hartimit të statutit dhe planit zhvillimor, ndërkaq ka njoftuar se është shpallur konkursi për stafin e akademik dhe ka një interesim të madh.
Ndryshe, në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për mbrojtjen e natyrës, i cili rregullon τështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e natyrës.
Me këtë rast, kryeministri Thaçi ka ftuar gjithë qytetarët që ta mbjellin nga një fidan, ngase në këtë mënyrë i shërbejnë ambientit më të mirë, më të pastër dhe më të shëndetshëm.
Kabineti qeveritar gjithashtu ka miratuar edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Kosovës, i cili pretendon rregullimin ligjor të procedurës së emërimit të ambasadorëve dhe konsujve të Kosovës, Projektligjin për ri pranim apo riatdhesim dhe propozim vendimin për alokimin e parakohshëm të mjeteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme për furnizimin me certifikata të gjendjes civile në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.
Në këtë mbledhje të Qeverisë është miratuar edhe propozim vendimi për fushë veprimtarinë e Ministrisë për Integrim Evropian, me ç’rast ministri Besim Beqaj ka thënë se Ministria për Integrim Evropian ka kompetencën për bashkërendimin e punës dhe integrimet në kuadër të procesit të stabilizim asociimit.
Kabineti qeveritar në këtë mbledhje ka miratuar edhe propozim vendimin për krijimin e komisionit “ad hoc” për verifikimin e listave të veteranëve dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, invalidëve dhe dëshmorëve.