image
Qytetarët e anketuar nga gazeta “Koha e Re” shprehin revoltën nga pasiviteti i partisë shqiptare në pushtet ndaj të gjitha vendimeve dhe veprimeve të VMRO-DPMNE-së dhe funksionarëve të saj. Nëse nuk arrijnë të zhbllokojnë procesin e integrimit të vendit në BE dhe NATO, pjesa më e madhe e të anketuarve nga Tetova thonë se BDI nuk do të ketë më arsye të qëndrojë në pushtetin e Gruevskit dhe të legjitimojë të gjitha politikat izoluese dhe antishqiptare të qeverisë së tij

Elida ZYLBEARI

Përderisa kryeministri Nikolla Gruevski me moszgjidhjen e kontestit të emrit në mënyrë evidente i pengon integrimet në strukturat euroatlantike, qytetarët shqiptarë të Tetovës shprehin revoltën e tyre kundrejt punës së partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Sipas banorëve të Tetovës, BDI duhet të bëjë më shumë për të përmbushur premtimin që ia bëri elektoratit se sdo ta shpie vendin në BE dhe NATO.

Qytetarët e anketuar nga gazeta “Koha e Re” shprehin revoltën nga pasiviteti i partisë shqiptare në pushtet ndaj të gjitha vendimeve dhe veprimeve të VMRO-DPMNE-së dhe funksionarëve të saj, e sidomos ndaj politikës që bën Gruevski në raport me integrimet euro-atlantike dhe me shqiptarët në Maqedoni. Nëse nuk arrijnë të zhbllokojnë procesin e integrimit të vendit në BE dhe NATO, pjesa më e madhe e të anketuarve nga Tetova thonë se BDI nuk do të ketë më arsye të qëndrojë në pushtetin e Gruevskit dhe të legjitimojë të gjitha politikat izoluese dhe antishqiptare të qeverisë së tij.  

“Për të bërat e BDI-së ne të gjithë e dimë se sa nuk na kanë ndihmuar. Po ata nuk duhet të qëndrojnë në pushtet me Gruevskin nëse nuk e zgjidhin këtë çështje, nëse nuk bëjnë asgjë për shqiptarët”, shprehet taksisti, Sejdi Sejdiu.
“Roli i partisë shqiptare në pushtet BDI në lidhje me zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë është tepër inferior. Ata nuk kanë asgjë të përbashkët me këtë çështje. Nuk depërton zëri i tyre tek kryeministri Gruevski, as për çështjet madhore të së drejtave elementare të popullit shqiptar. Domethënë ndjehemi tepër të zhgënjyer se nuk mund të bëjnë presion tek kryeministri Gruevski”, thotë Erxhan Rushiti, punonjës në Internet kafe.

”Mendoj se duhet të bëjë më tepër presion sepse largimi nga Qeveria nuk është zgjidhje sepse atë e bëjnë persona të dobët të cilët në mënyrë institucionale nuk mund të zgjidhin problemet thelbësore për në si komb. Mënyra e vetme është të rritet presioni ndaj Gruevskit” thotë Arben Latifi, pronar i ndërmarrjes “Ita Lux”

”BDI në këtë rast duhet të bashkëpunojnë me qeverinë shqiptare në Shqipëri dhe të bëjë një kundërpërgjigje me atë lejimin e marrjes së nënshtetësisë bullgare disa shtetasve maqedonas. Ndoshta jo për dhënien e nënshtetësisë shqiptare por për ndezjen e një drite të kuqe se shqiptarët nuk flenë. BDI duhet të bashkëpunojë me autoritetet në Shqipëri dhe integrimin ta kërkojë atje sepse ata tanimë janë vend anëtar në NATO. Kjo Qeveri nuk është e aftë ta zgjidhë kontestin e emrit sepse nuk do ta ndryshojë emrin. Nga ana tjetër dhe Marrëveshja e Ohrit duhet të shpallet si e vdekur sepse edhe pas 10 vitesh nuk është realizuar asgjë”, thotë Mislim Hasipi, shitës.

”BDI tregon një mosinteresim të madh rreth kësaj çështjeje kinse emri nuk ndikon në statusin politiko-ekonomik të shqiptarëve. Me këtë veprim të partisë politike shqiptare në pushtet unë kuptoj një mosndikim të saj në vendimet e rëndësishme që sjell Qeveria dhe në mënyrë indirekte kuptoj injorimin që u bëhet shqiptarëve kur bëhet fjalë për vendime të rëndësishme shtetërore. Madje, me mosimplementimin e tërësishëm të Marrëveshjes së Ohrit, e cila përmendet pambarim nga përfaqësuesit e BDI-së, Maqedonia gjithnjë e më shumë largohet nga integrimi në NATO dhe BE. Në fund nuk do të jetë BDI ajo që do të ndikojë në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, por tundimi i këtij shteti për t’u integruar në strukturat e NATO-s dhe BE-së.” thotë Faton Murseli, i diplomuar në shkencat e Komunikimit.
“BDI duhet patjetër të bashkëpunojë me partitë tjera shqiptare dhe të gjitha së bashku duhet të bien një vendim për t’i bërë presion VMRO-së që të zgjidh çështjen e emrit. Nga ana tjetër PDSH duhet të kthehet patjetër në Parlament për t’i ndihmuar BDI-së dhe së bashku të gjejnë zgjidhje”, u shpreh Amir Deari, punonjës në Internet kafe.

”Personalisht nuk jam e kënaqur me punën e tyre sepse janë shumë pasivë dhe shumë premtime të tyre kanë rënë në ujë. Posaçërisht më pengon fakti se me një idilizëm të rrejshëm mundohen ende popullin ta mbajnë në ëndërr, ndërsa realiteti është se ne edhe shumë kohë nuk do të kemi përgjigje pozitive për zgjidhjen e çështjes së emrit. Në BDI nuk ka njerëz që mund të bëjnë presion mbi Gruevskin prandaj le ta lëshojnë Qeverinë në shenjë proteste”, shprehet arsimtarja  Ibadete Asani.
Ndryshe, BDI-ja u bë pjesë e qeverisë së Gruevskit në vitin 2008, kur edhe premtoi zhbllokimin e procesit euro-integrues dhe anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO, zgjidhjen e statusit të ish-ushtarëve të UÇK-së, invalidëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve, implementim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, 100-mijë punësime të reja…

ERXHAN RUSHITI

Roli i partisë shqiptare në pushtet BDI në lidhje me zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë është tepër inferior. Ata nuk kanë asgjë të përbashkët me këtë çështje. Nuk depërton zëri i tyre tek kryeministri Gruevski, as për çështjet madhore të së drejtave elementare të popullit shqiptar. Domethënë ndjehemi tepër të zhgënjyer se nuk mund të bëjnë presion tek kryeministri Gruevski.

IBADETE ASANI

Më pengon fakti se me një idilizëm të rrejshëm mundohen ende popullin ta mbajnë në ëndërr, ndërsa realiteti është se ne edhe shumë kohë nuk do të kemi përgjigje pozitive për zgjidhjen e çështjes së emrit. Në BDI nuk ka njerëz që mund të bëjnë presion mbi Gruevskin prandaj le ta lëshojnë Qeverinë në shenjë proteste.

ARBEN LATIFI

Mendoj se duhet të bëjë më tepër presion sepse largimi nga Qeveria nuk është zgjidhje sepse atë e bëjnë persona të dobët të cilët në mënyrë institucionale nuk mund të zgjidhin problemet thelbësore për në si komb. Mënyra e vetme është të rritet presioni ndaj Gruevskit.

FATON MURSELI

BDI tregon një mosinteresim të madh rreth kësaj çështjeje kinse emri nuk ndikon në statusin politiko-ekonomik të shqiptarëve. Me këtë veprim të partisë politike shqiptare në pushtet unë kuptoj një mosndikim të saj në vendimet e rëndësishme që sjell Qeveria dhe në mënyrë indirekte kuptoj injorimin që u bëhet shqiptarëve kur bëhet fjalë për vendime të rëndësishme shtetërore.