Masakra e Radushës është një masakër e radhës mbi shqiptarët dhe popullin shqiptar, një masakër në të cilën u ekzekutuan katër shqiptarë:   Harun Aliu, Xhafer Shala, Shaban Zenuni dhe Qemal Mustafa, në menyrën më mizore (ku sipas medieve edhe janë masakruar). Kjo dëshmon një të vërtetë se të gjitha qeveritë e IRJM e kanë dënuar popullin shqiptar me ekzekutim klasik – me vdekje, kurse në anën tjetër kemi edhe një përsëritje tjetër ku përfaqësuesit e shqiptarëve të cilët vazhdojnë lojën e servilit, dashtë e pa dashtë me heshtjen dhe mosangazhimin e tyre në ndriçimin e rasteve dhe mbrojtjen e shqiptarëve dalin në krahun e njësiteve që vrasin dhe vranë shqiptar.

Shkruan: Vaxhid Sejdiu

Shqiptarët ende i kanë të freskëta masakrat pas Luftës së dytë Botërore “në emër të pushtetit popullor” në të gjitha qytetet shqiptare nga Kumanova deri në Manastir , masakrat “gjoja në emër të mbledhjes së armëve” që kishin për qëllim spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike.  Masakrat që u bënë për katër dekada rresht në emër të Jugosllavisë dhe Maqedonisë Komuniste, u vazhduan me masakrat e të të ashtuquajturës IRJM, e cila si zakonisht në koalicion kishte dhe ka, vetëm sa për dekor edhe një parti shqiptare. Dhe me të drejtë masakrat që pasuan, si ajo e Bit – Pazarit, e Gostivarit, e Tetovës (ku babë  e bir u ekzekutuan në qendër të qytetit, në prani të medieve vendore dhe ndërkombëtare), e Sllupçanit ( ku u ekzekutuan në pikë të ditës njëmbëdhjetë anëtarë të familjes Zymberi – gra dhe fëmijë), e Lubotenit(ku u vranë 10 shqiptarë – në mesin e tyre edhe një fëmijë 6-vjeçar dhe brutalisht u keqtrajtuan më se 100 vetë të fshatit), masakra e Sopotit, e Brezës (ku u vranë 2 të rijë),  e Haraçinës, e Brodecit, dhe shumë e shumë masakra që u projektuan për të vrarë dhe sakatosur qindra e qindra shqiptarë.

Të gjitha këto masakra  marrin një formë të prerë në Masakrën në afërsi të Radushës më 12 maj 2010, në të cilën u ekzekutuan  katër shqiptar, bile sipas të dhënave në mediet edhe u masakruan. E gjithë  kjo dëshmon qëllimin dhe projektin e institucioneve shtetërore ndaj shqiptarëve. Terror shtetëror me të gjitha mjetet apo thënë me gjuhën e fakteve historike – gjenocid mbi shqiptarët.

U ekzekutuan, ata të cilët tërë jetën u munduan për lirinë e popullit shqiptar sepse institucionet sllavo-maqedone kishin dhe kanë vendosur një ligj: shqiptarët të përjashtohen nga të gjitha të drejtat njerëzore. Pas gjithë këtyre vuajtjeve dhe masakrave mbi popullin shqiptar të qëndrosh në institucionet sllavo-maqedone, të qëndrosh bashkë me ata të cilët vranë bijtë që më 12 maj 2010 i nderuan me dhjetëra mijëra shqiptarë nga të katër anët e trojeve shqiptare d.m.th. të bëhesh pjesë e një dekori jo vetëm të  neveritshëm por edhe tragjik. Por nuk është hera e parë që ndodhë gjëra të këtilla tek udhëheqësit shqiptarë në IRJM.

Shumë herë është thënë se për shqiptarët historia (pjesa tragjike e saj) po përsëritet.  Shumë herë kanë thënë më të vjetrit se tragjikja i bashkon burrat. Por, ku t`i gjesh vallë?

Asnjë pushtet nuk ka forcë të etiketoj një njeri qoftë edhe nëse e ekzekuton, emri i tij gjen vend në bazë të veprave në jetë. Dhe një dëshmi e tillë janë dhjetëra mijëra njerëz që morën pjesë në varrimin e Harun Aliut apo Kushtrimit të shqiptarisë, Xhafer Shalës, Shaban Zenunit  dhe Qemajl Mustafës, të cilët u ekzekutuan në mënyrën më  klasike nga shteti me emrin IRJM. Me nderimin që ua bëri populli ditën e varrimit ata morën bekimin e popullit për pavdekësinë, kurse të gjallët vazhduan me deklarata të papërgjegjshme dhe me arsyetime bajate mesjetare.

Ashtu siç u ekzekutuan luftëtarët shqiptarë, të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore kishin luftuar për lirinë  popullit shqiptar, u ekzekutuan edhe luftëtarët e lirisë të UÇK-së të cilët më 2001 luftuan për lirinë  e popullit shqiptar në trojet e tyre etnike nën IRJM.

Ashtu siç u arrestuan, u burgosën, u torturuan, u vranë, masakruan shqiptarët pas Luftës së Dytë Botërore në emër komunizmit, ashtu pësuan shqiptarët pas vitit 2001.

Ashtu sikurse qeveria e Shkupit që ushtroi dhunë dhe terror shtetëror mbi shqiptarët e pafajshëm pas Luftës së dytë botërore duke i detyruar që të lëshojnë trojet e tyre dhe të marrin rrugën për në Turqi, ashtu ndodhi edhe pas 2001, por tani në drejtim të shteteve të perëndimit: Belgjikë, Gjermani Austri, Norvegji, Suedi etj.

Para 2-3 javësh në një nga shkrimet e mija e kam thënë se shqiptarët në ish- Republikën Jugosllave të Maqedonisë jetojnë si në kohën e Rankoviqit, arrestohen, burgosen, vriten në bazë të proceseve të montuara politike. Sa e sa shqiptarë janë vrarë pa gjyq, sa e sa të tjerë janë dënuar me burg të përjetshëm apo me qindra vjet burg. Por nga maqedonët a ka pësuar në këtë mënyrë dikush.

Asnjë apo Zero.

A ka nevojë që të verbërve, servilëve, dallkaukëve dhe të pashpirtëve t`iu hapen sytë.

Jo sepse ata nuk kanë shqisa.

Dhe projekti i Nikolla Gruevskit dhe paraardhësve të tij kundër popullit shqiptar vazhdon të pasurohet me fushatën antishqiptare të nisur nga institucionet më të larta shtetërore, enciklopeditë e pseudoakademikëve sllavo-maqedon të organizuar nga shteti dhe pushteti, mohimin  e gjuhës, kulturës kombëtare, pengesat e shumta dhe të vazhdueshme ndaj arsimit në gjuhën shqipe, falsifikimin e historisë shqiptare dhe shlyerjen e fakteve arkeologjike, ndryshimin e pamjeve të vendbanimeve shqiptare (Skopje 2014), pengesat e shumta ekonomike ndaj firmave shqiptare, maltretimin e qytetarëve nëpër sportelet e shtetit dhe një mori dëshmish të cilat e plotësojnë dosjen e krimit.

A mund të quhet një aksion policor i suksesshëm ku njerëzit ekzekutohen pa gjyq.  Kjo formë i nxjerr këto forca policore në banda paramilitare, të cilat i ndërsen shteti dhe pushteti në luftë kundër shqiptarëve.

Dhe në bazë të fakteve e themi se vendbanimet  shqiptare janë shndërruar në një teatër tragjik, ku për çdo ditë dëgjojmë dhunë dhe terror mbi shqiptarët autoktonë.