Telefoni i prishur
Në fëmijëri shpesh loznim me një lojë që ishte shumë interesante dhe atraktive që ne e quanim Telefoni i prishur, mbase kjo lojë ishte aq argëtuese dhe përcilleshin në rrethin e lojtarëve fjalë të ndryshme që herë na bënim të qeshnim e herë na argëtonin. Telefoni i prishur është një simbolikë e përditshmërisë tonë.
E nisa kolumnën time të radhës me tezën e telefonit të prishur sepse me gjasë më duket se në Maqedoni po funksionon loja e telefonit të prishur në formë tredimensionale. Telefoni i prishur së pari në relacionin kryeministër i Maqedonisë me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, që është interesant të konkludohet se edhe pas më shumë se tre javëve nuk kemi asgjë konkrete për tre kërkesat publike të liderit të BDI-së. Në demokracitë e vendeve të zhvilluara zakonisht përgjigja do ishte e shpejtë dhe koncize por nuk e kam të qartë se pse zhagitet kjo çështje dhe çka përfitohet nga kjo heshtje që tregon për një joseriozitet të qasjes së problemeve që ekzistojnë. Përgjigjet e vonshme dëshirojnë me gjasë ta defaktorizojnë kampin politik shqiptar e me të edhe shqiptarët që është një non sens politik. Por loja e telefonit të prishur me gjasë shumë I konvenon konjukturës aktuale maqedonase që drejton këtë vend, tjetër shpjegim nuk ka.
E dyta Telefoni i prishur në mes bashkëpartiakëve nga radhët e BDI-së që njëri flet diçka, tjetri diçka tjetër, tjetri diçka tjetër, tjetri diçka tjetër edhe ai tjetri diçka tjetër. Do të kishte qenë më korrekte sikur të kishim një prononcim pak më serioz ndaj çështjeve me të cilat ballafaqohemi çdo ditë, me një qëndrim më unik me një zë që artikulon kampin politik shqiptar, një zë që tregon fundja dinjitet nëse asgjë tjetër.. Nëse pozicioni i partisë shqiptare në qeverisjen aktuale është kështu siç është më së miri do të kishte qenë që elektoratit që e ka votuar t’i shpjegohet situata reale sepse po shihen gjërat hapur.
Dhe forma e tretë rënia e plotë e vijës telefonike në mes Brukselit e Shkupit, në fakt linja Shkupit zyrtar si duket i ka rënë komplet, rrjeti I telefonit të prishur dhe si duket e ka shumë vështirë të marrë mesazhet e qarta nga Brukseli që janë kusht për integrimin e Maqedonisë në strukturat e NATO-s dhe fillimin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Deklarativizmi se ne jemi të interesuar të integrohemi nuk e kapërdin opinioni as ai i brendshëm e as ai i jashtëm, humbja e këtij shansi është i dëmshëm për shumë procese në Ballkanin perëndimor. Nuk është mirë të luhet me Brukselin në këtë formë sepse qytetarët e këtij vendi nuk dëshirojnë izolim, por politikat e papërgjegjshme mundet lirisht që të na izolojnë e këtë e duan më së paku qytetarët.
Dhe çështja tjetër është barsoletat që na servohen çdo ditë nëpërmjet mediave të ndryshme, konsiderimi i shqiptarit në këtë shtet si material harxhues është shumë i dëmshëm dhe tregimi i barsoletave të servuara kështu si na servohen nuk kontribuojnë shumë por ndikojnë drejtpërdrejtë në prishjen dhe varrosjen e Marrëveshjes së Ohrit. Kujt i konvenon kjo kur në rend dite Maqedonia sot i ka negociatat me Greqinë. Duhet thënë se taktizimi i palës maqedonase duke fshehur problemet reale të jashtme e të brendshme dhe mbajtjen pezull të raporteve shqiptaro maqedone është një lojë që e kanë kuptuar të gjithë.
Nëse klasa politike maqedone që qeveris mendon se kështu do e prolongojë procesin negociator me Greqinë është e pandershme të bëjë lojë me shqiptarët sepse shqiptarët kanë treguar shumë mirëkuptim për këtë çështje dhe loja që u bëhet është kthim në procese që krijojnë situate të pakëndshme.
Përdorja e shqiptarëve si karem për të fshehur realitetin është vetëm një sallto mortale që realisht nuk sjell as më pak e as më shumë se asgjë vetëm vendnumërim i Republikës së Maqedonisë më Evropë.
Ajo që shihet në fenomenin telefoni i prishur në politikën e Republikën e Maqedonisë është se në mënyrë shumë perfide shqiptarët dëshirojnë të futen në një kurth i cili do të ishte fatal për të gjithë. Lojërat e ndyta që bëhen vetëm se e përkeqësojnë situatën, cdo ditë dëgjojmë se një hap u hodh aty apo këtu që tregon qartë se Maqedonia po hyn në një fazë të nacionalizmit të rrezikshëm që s’do mend se është i papranueshëm si për Uashngtonin, Brukselin e kështu me radhë. Nëse mendohet se shqiptarët munden të flijohen është një gabim i madh poashtu përdorja e komunitetit shqiptar për qëllime taktike duke krijuar kriza të kontrolluara vetëm se e vonon integrimin në strukturat verio atlantike dhe humbjet janë marramendëse për qytetarët e lodhur ekonomikisht.
Është një barsoletë që tregohet se si kohë të sundimit otoman Valiu i Tetovës ka kërkuar të arrestohet një prift katolik dhe të nxirret nëpër qytet i lidhur me pranga, të cilin pastaj e shpëtojnë qytetarët katolikë. Që barcoleta të vazhdojë më arrestimin e priftit ortodoks të cilin poashtu e shpëtojnë qytetarët ortodoksë duke protestuar. Mos të na ngjajë edhe neve si hoxhës që e arrestojnë e askush nuk i del në mbrojtje dhe përfundon në trekëmbësh, jo se ka qenë fajtor por për shkak se nuk ka pasur kush ta mbrojë e t’i dal zot.