Të zhgënjyer nga ditëlindja
Në sheshin e Shkupit, nga njëra anë është parë një numër i vogël i mbështetësve të simpatizuesve të VMRO-DPMNE-së kurse nga ana tjetër një shtab i LSDM-së teksa festonte mungesën e oponentit politik
Afrim TANALLARI
Pjesëmarrja e dobët e simpatizuesve në kremtimin e mbajtur të martën mbrëma në Shkup thuhet të ketë zhgënjyer krerët e VMRO-DPMNE-së, të cilët kishin pritur një masivitet më të madh për të demonstruar forcën politike në Maqedoni. Sipas informacioneve jozyrtare, menjëherë pas mbarimit të programit festiv ka pasur një nervozizëm të madh tek brenda partisë së kryeministrit Nikolla Gruevski, të cilët kanë akuzuar këshillin organizativ për këtë dështim.
Në sheshin e Shkupit, nga njëra anë është parë një numër i vogël i mbështetësve të simpatizuesve të VMRO-DPMNE-së kurse nga ana tjetër një shtab i LSDM-së teksa festonte mungesën e oponentit politik.
Kohëve të fundit vlerësohet se politika e qeverisë, gjegjësisht e VMRO-DPMNE-së dhe Nikolla Gruevskit, po merr një përgjigje negative nga qytetarët.
Anketat e fundit të disa organizatave të huaja dhe vendore tregojnë qartë se qeveria po ndjek politikë të gabuar edhe atë 43 për qind, kurse kundër projektit famoz “Shkupi 2014” janë deklaruar rreth 62 për qind. Ndërsa, në anketën e fundit të IRI-it rreth 92 për qind e qytetarëve janë pro integrimit të vendit në BE-an dhe 84 për qind pro anëtarësimit në NATO.
Partitë politike fjalimin e kryeministrit Nikolla Gruevskit me rastin e kremtimit të 20 vjetorit të VMRO-DPMNE-së e kanë vlerësuar si populist, ndërsa kanë theksuar se politikat e tij kanë ndikuar në rritjen e tensioneve ndëretnike. Partneri i koalicionit qeveritar, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e ka pritur një fjalim të tillë të Gruevskit duke pasur parasysh atmosferën në vend.
“Fjalimi ishte tipik popullor i një lideri të një partie të vjetër në një shtet të ri. Porositë për çështjen e emrit nuk jepen në një miting me militantë partiak. Nga atmosfera e përgjithshme porosit për çështjen e emrit ishin të pritura”, tha Ermira Mehmeti-Devaja.
Ndërsa, Flora Kadriu nga Demokracia e Re (DR) e vlerëson se kjo politik çon drejt një humnere.
“Kryeministrin nuk e mërzit bllokimi për anëtarësim të Maqedonisë në BE dhe NATO, nuk i bën përshtypje kriza ekonomike, papunësia dhe aspekti social. Kjo politik çon drejtë humnerës, ndërsa kjo ndihmohet edhe nga BDI-ja”, tha Kadriu.
Goran Misovski i Partisë së Re Socialdemokrate (PRSD) thotë se fjalimi ishte populist dhe pa vlerësime reale për situatën në vend, më ç’rast Gruevski më shumë e sulmoi opozitën dhe mediumet. “Në vend që t’i frymëzojë qytetarët e Maqedonisë për anëtarësim në BE, ai i shpalli luftë të re faktorit ndërkombëtar. Nuk mundë të pajtohemi se VMRO-DPMNE-ja ka qenë në gjendje të vendosë për Maqedoninë dhe ka sjellë vendime historike. Nuk mbajmë mend asnjë vendim historik i cili ka qenë në favor të qytetarëve.
Karakteristikat kryesore të VMRO-DPMNE-së në të cilën edhe Nikolla Gruevski ka marrë pjesë kanë qenë tensionet ndëretnike, konfliktet dhe pasurimi personal i individëve”, tha Misovski.
Gruevski në Bruksel
Pas përfundimit të manifestimit, kryeministri Nikolla Gruevski ka udhëtuar në Bruksel ku do të ketë takime me përfaqësues të Komisionit Evropian dhe të Partisë Popullore Evropiane (PPE).
Është paraparë shefi i Qeverisë së Maqedonisë të takohet me sekretarin e përgjithshëm dhe me nënkryetarin e Partisë Popullore Evropiane, Antonio Lopez Isturic dhe Peter Hince, ndërsa nesër me eurokomisarin për zgjerim Shtefan Fule