img

Mbi 200 000 shqiptarë iu bashkuan sot protestës së madhe të opozitës shqiptare në emër të transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Kjo ishte protesta më e madhe e organizuar në Shqipëri në 20 vjetët e tranzicionit. Edi Rama u shpreh se kjo është një protestë për të mos lejuar që Shqipëria të kthehet në një mbretëri të pashpallur dhe se shqiptarët do të rezistojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Më poshtë vijon fjala e kreut të Partisë Socialiste:

Qytetarë dhe qytetare të Shqipërisë, ne jemi këtu edhe për të gjithë ata që nuk janë sot me ne, po që njësoj si ne, duan një Shqipëri të mirëqeverisur nga të zgjedhurit e popullit, jo një atdhe të sunduar nga ata që nuk e lënë popullin të zgjedhë. Sot Shqipëria është në udhëkryqin mes një mbretërie të pashpallur, ku pushteti i një oborri grabit votat, rrëmben pasurinë e përbashkët, shkel liritë e të drejtat e njerëzve duke e kthyer popullin në rob të keqqeverisjes, dhe një republike kushtetuese ku qeveria është e njerëzve, me njerëzit e për njerëzit. Sot ju keni ardhur të panumërt në këtë bulevard të dëshmorëve të kombit, për të dëshmuar me forcën e aspiratës sonë europiane se ne refuzojmë ta pranojmë faktin e kryer të mbretërisë së pashpallur, e cila po bën kërdinë mbi Shqipërinë duke paralizuar demokracinë, gjunjëzuar drejtësinë dhe sakatuar ekonominë. Sot ne jemi mbledhur për të hapur një faqe të re në librin e kësaj proteste, që do të jetë një sakrificë e pandalshme, deri në çastin kur rruga e transparencës së zgjedhjeve të shkuara të hapet dhe shtegu i grabitjes së zgjedhjeve të ardhshme të mbyllet. Jam krenar për këtë betejë të madhe, sa dinjitoze aq edhe të vështirë, kundër varfërisë së aspiratave për Shqipërinë, që sot është kaq e dobët dhe e prapambetur pikërisht sepse ata që kanë pasur e kanë diçka në dorë për fatin e saj, asnjëherë nuk kanë ditur ta duan me të gjithë forcën e zemrës, ta drejtojnë me të gjithë fuqinë e dijes, ta mbështesin me të gjithë dëshirën e shpirtit.

Shqipëria udhëhiqet sot nga një fuqi që nga zemra është e ngushtë, nga mendja është e çalë, nga shpirti është e tharë. Varfëria e aspiratave është burimi i të gjitha të këqijave që na kanë mbërthyer në këtë vend, ku zgjedhjet janë kthyer në një lojë që e bën pushteti dhe e paguan populli, ku drejtësia është kthyer në një fjalë boshe që e përsërin papushim politikanët dhe e kërkojnë më kot qytetarët, ku arka e shtetit është shkallmuar nga një qeveri pykash dhe e ardhmja është marrë peng me drurin e ryshfetin e pushtetit të bërë njësh me shtetin. E në ndërkohë Shqipëria e bukur shëmtohet përditë para syve tanë duke humbur plazhet e ullishtat, varfërohet përditë duke humbur tokën e bukës, ujërat e pastër e pyjet e çmueshëm, bëhet përditë ferri i pajetueshëm i shumëkujt që në këtë vend të bekuar prej Zotit nuk gjen dot paqe e punë për të jetuar si njeri për shkak të pushtetit të mbrapshtë të robit. Dhe nga trupi i kësaj Shqipërie të cfilitur nga padrejtësitë, shkëputen përditë të shumtit e më të mirëve ndër të rinjtë, të cilët e kërkojnë shkollën e fatin gjetkë, matanë kufijve të një bote universitare shqiptare të përçudnuar prej politikash arsimore shkatërruese që mbiprodhojnë diploma, po nuk japin dije të qëndrueshme për të ardhmen e të rinjve e të vetë vendit. E më e keqja, kush ikën, shkon për të mos u kthyer në këtë vend, ku vendet e punës në shtet jepen përmes lidhjeve me ata në pushtet, ndërkohë që sipërmarrja e lirë shkurton përditë vende pune, sepse ekonomia ka humbur çdo liri konkurrence dhe shteti i kapur ka kapur edhe tregun për llogari të oborrit të pushtetit.

Altoparlantët e propagandës qeveritare shurdhojnë përditë me lajmet e me analizat e marshimit të suksesshëm të Shqipërisë drejt Europës, nga Europa nuk mungojnë zërat që përshëndesin progresin mbresëlënës, ndërkohë që Shqipëria si gjithë Europa nuk shihet gjëkundi, as në pasqyrën e qeverisjes së deformuar kokë e këmbë prej korrupsionit e gënjeshtrave, as në dyert e korridoret e administratës së shtetit të kthyer në çerdhe shërbëtorësh të pushtetit, as në punën e organeve të drejtësisë, që po lëngojnë prej presionit të jashtëzakonshëm të politikës nga lart e të parasë nga poshtë, as në shkollat e në spitalet tona ku s’të bën zemra të hysh, as në rrugët kombëtare të atdheut, ku përplasen dallgët e plehrave e të ndërtimeve kuturu si askund në Europë, dhe as në rrugët e fshatrave ku të këput shpirtin fukarallëku e dëshpërimi social. Përpara sesa varfëria e aspiratave ta verë përfundimisht poshtë këtë vend dhe mbretëria e pashpallur t’i vendosë shqiptarët përpara faktit të kryer të sundimit të saj, duke u thënë ose rrini këtu me zgjedhje kurrë aq të lira sa të vendosni ju e me zgjidhje kurrë aq të mira sa ç’dëshironi për veten e familjen tuaj ose thyeni qafën ku të doni se nuk ka më viza që t’ju pengojnë, ne kemi vendosur të luftojmë kundër kësaj varfërie të patolerueshme dhe babëzisë në pushtet, që pasi gllabëroi votat po fundos edhe ekonominë e çdo familjeje pa dallim.

Kujt na thotë se ne po pengojmë integrimin europian të Shqipërisë, u themi se kjo është një betejë për Shqipërinë Europiane. Kujt na thotë se ne po pengojmë liberalizimin e vizave, u themi se kjo betejë është kundër të këqijave që e kanë penguar liberalizimin e vizave deri sot, nga korrupsioni tek paaftësia e qeverisë për t’u hequr kufijtë e lëvizjes shqiptarëve. Ndërsa kujt na thotë të shkojmë në gjykatë, u themi se njerëzit e lirë nuk shkojnë në gjykatë për të fituar të drejtën të marrin frymë dhe transparenca e zgjedhjeve nuk është çështje gjykate, po çështje jete a vdekjeje e organizmit të demokracisë. Ne nuk kërkojmë të marrim pushtetin përmes transparencës, po kërkojmë që transparenca të mos pengohet përmes pushtetit. Gjithshka që kemi për t’i thënë pushtetit nis e mbaron tek fjalia, “Hap kutitë ose largohu”. Hap kutitë jo për të kuptuar populli që ke vjedhur votat, sepse këtë shqiptarët e kanë kuptuar pikërisht ditën kur i mbylle forcërisht kutitë nga tmerri i daljes në dritë të votave të vjedhura. Hapi ato kuti për të nxjerrë që aty armën e korrupsionit që vrau zgjedhjet e shkuara në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të mos vriten dot më nga e njëjta armë.

Ky është edhe kompromisi ynë: S’duam të na dorëzoni neve pushtetin në tavolinë, po t’i dorëzoni popullit armën me të cilën e mbajtët pushtetin. Pa e nxjerrë që aty dhe çmontuar njëherë e mirë atë armë vrastare për lirinë e zgjedhjeve, në Shqipëri nuk mund të ketë më liri zgjedhjeje për qytetarin, që paskëtaj ose duhet të nënshtrohet ose duhet të largohet. Sepse kur qytetari nuk mund të zgjedhë më lirisht mes atyre që kërkojnë ta përfaqësojnë në parlament a në qeveri, as prokurori apo gjykatësi nuk mund të zgjedhin më lirisht krahun e ligjit. As rrogëtari i shtetit, nëpunësi apo polici, nuk mund të zgjedhë më lirisht mes detyrës ligjore dhe urdhrit të paligjshëm. As sipërmarrësi nuk mund të zgjedhë më lirisht fushën e konkurrencës. As i sapo diplomuari nuk mund të zgjedhë më lirisht falë meritës vendin e punës.

As mësuesi apo mjeku nuk mund të zgjedhin më lirisht të shkojnë ose jo në mitingun e pushtetit si rrogëtarë të shtetit. A ka arsye në botë për ta toleruar një pushtet që, në mes të Europës, në vitin 2010, i poshtëron rrogëtarët e shtetit duke i sjellë në një festë cinike si ajo e nesërmja me lista dhe duke i hipur në autobusë si delet që rrezikojnë të theren po u ndanë nga kopeja? Me qindra mesazhe na kanë ardhur nga këta qytetarë të dhunuar, të cilët megjithëse kanë njëqind e një arsye për të protestuar sot e nesër bashkë me ne, për cenimin e dinjitetit në punë dhe rrënimin e ekonomisë së tyre familjare, duhet të hipin në autobus për të marrë pjesë në një koncert të turpshëm festiv prej regjimesh antidemokratike, që shpikin festa sa herë ka protesta. Turp Sali Berisha që u ringjalle shqiptarëve fantazmën e tribunës festive të 1 majit dhe kohën e zymtë të tubimeve të lumturisë kolektive, që dikur i organizonte Partia jote e Punës për të manifestuar fuqinë e diktaturës së proletariatit, ndërsa sot i organizon pushteti yt i korruptuar për t’i bërë një karshillëk primitiv popullit opozitar! Por ky turp i pashoq është edhe një mësim më shumë motra e vëllezër, për të kuptuar se pa u çliruar zgjedhjet aty ku buron demokracia, aty ku burojnë liritë e të drejtat në demokraci, tek kutitë e votimit, çdo zgjedhje e lirë në jetën e çdo njeriu do të bëhet përditë e më e vështirë, përditë e më e kushtueshme, përditë e më e pamundur përballë drurit të shtetit parti dhe ryshfetit të partisë shtet.

Ja pse kjo është një betejë që i bën nder çdo njërit prej nesh, të gjitha forcave e njerëzve të bashkuar në mbrojtje të lirisë e dinjitetit njerëzor të çdo qytetari, që nuk e falim e as e shesim lirinë tonë për të votuar, për të punuar e jetuar me ideale e ide që nuk i tradhtojmë kurrë prej frikës. Ky bashkim nuk ka kufij partiakë, sepse është një bashkim për arsyet që e kanë lindur demokracinë, si një sistem të drejtash e garancish për të gjithë, dhe që janë arsye të njëjta për çdo njeri, të majtë e në të djathtë. Jemi të gjithë bashkë në këtë betejë sepse duam që çdo shqiptar, i majtë ose i djathtë, burrë apo grua, nga jugu a nga veriu, pavarësisht çdo dallimi, të fitojë lirinë e të drejtën e të qenit i barabartë përpara ligjit e shanseve për shkollën, punësimin, mirëqenien që prodhon një demokraci funksionale.

 Të gjithë po e kuptojnë, dita-ditës, se e keqja që u ka hyrë në shtëpi dhe po u gërryen tabanin e ekonomisë familjare, i ka rrënjët në kutitë e mbyllura të votave të tyre të vjedhura. Dallga e rrënimit të ekonomisë, që po ngre përditë çmimin e faturave të jetës së përditshme dhe po gjunjëzon ditë pas dite njerëzit përballë nevojave të jetesës, vjen nga errësira e atyre kutive ku u mor peng ndryshimi jetik që shqiptarët kërkuan me votë në 28 qershor për t’i dhënë jetë një politike të re që sot më shumë se kurrë i duhet Shqipërisë. Kriza e ekonomisë shqiptare nuk është as pjellë e krizës financiare globale, as fantazi e shfrenuar e opozitës, po pasojë e dhimbshme e një politike shkatërruese që ka qëllim të vetëm të mbajë në karrige Sali Berishën. I cili, si të ishte pyka e vërtetë që frymëzoi Fan Nolin, pasi e bëri rrush e kumbulla arkën e shtetit për të prerë shirita gënjeshtrash elektorale dhe pasi mori peng kutitë e zgjedhjeve të grabitura, po merr tani peng edhe të ardhmen e njerëzve, duke u humbur përditë vende pune dhe duke e zhytur vendin në borxhe marramendëse që i merr ai, po që i paguan çdonjëri prej nesh. Në fund të vitit 2009 borxhi i Shqipërisë kapi 60 % të prodhimit dhe pasurisë kombëtare të vendit.

Në vlerë të plotë borxhi ynë ka arritur 6.6 miliardë dollarë. Ndërsa vetëm në vitin 2009, dhe vetëm për hesapet e pushtetit në kurriz të çdo qytetari, ky borxh është shtuar me më shumë se 630 milionë dollarë. 1 janari i vitit 2010 e gjeti çdo familje me një borxh 8,700 dollarë dhe çdo shqiptar me një borxh 2,060 dollarë. Përfshirë edhe afro dyzet mijë bebet e lindura në vitin 2009, kur për të shuar oreksin për pushtet të Saliut, borxhi i çdo familje u rrit me 750 dollarë, ndërsa borxhi i çdo shqiptari u shtua me 180 dollarë.

Shqiptarët po zhyten keq në borxhe të dyfishta, ato që i marrin vetë, drejtpërdrejt, për mbijetesën e tyre duke shënuar emrat çdo muaj në lista të shumëfishuara dyqanesh që po rrënohen prej borxheve të pakthyera, dhe ato që Sali Berisha merr për ta me interesa stratosferike duke rrënuar ekonominë e vendit, ndërkohë që papunësia rritet e vendi rraskapitet. Nuk ka ma zi për nji popull se një qeveri që merr borxh për të larë borxhet, thotë Luigj Gurakuqi. Por ne po shohim se ka edhe më zi, sepse sot ne kemi jo vetëm një qeveri që merr çdo vit më shumë borxhe për të larë borxhe që bëhen mal mes shoqërisë e së ardhmes së saj, por as tregon gjëkundi shifrat e vërteta të krizës, gjendjen e vërtetë të arkës së shtetit, thellësinë e vërtetë të gropës së borxhit, shkallën e vërtetë të rënies së të ardhurave, ndërkohë që nga ana tjetër vazhdon manovrat e errëta me pasurinë e përbashkët, të tundshme a të patundshme, duke shitur të ardhmen e të gjithëve për hir të pushtetit të disave. Sot me ne, në këtë lumë madhështor proteste, duhet të jetë diku aty mes jush edhe tregtari i vogël i Elbasanit që më tha se do të vinte këtu në 30 prill megjithëse është demokrat që ka votuar për PD-në në 28 qershor. “Do të vij në protestë”, tha, “sepse mirë juve e morëm vesh që ju vodhi, po nuk e marrim vesh c’pati me ne që po na shkatërron ekonomikisht!”.

Shpresoj që bashkëqytetari ynë, i mirëseardhur në këtë protestë si plot të tjerë që janë demokratë në shpirt po edhe të lidhur shpirtërisht me PD-në, ta ketë kuptuar psenë e këtij shkatërrimi ekonomik. Është e thjeshtë: Kur qeveria e merr votën edhe po nuk i’a dhanë nuk pyet më për atë që njerëzit mendojnë për të apo vuajnë prej saj. Ajo kthehet në një regjim që pasuron veten duke varfëruar dynjanë, ndërkohë që altoparlantët e botës së nënshtruar mediatike përhapin lajmin e zhvillimit të paparë të vendit, përmes shifrash të rreme e deklaratash të gatuara përditë në kuzhinën e interesave të pushtetit.

Del i pari i qeverisë thotë rritja jonë ekonomike është marramendëse për planetin, kurse njerëzit paguajnë çdo ditë e më shumë për të blerë gjithnjë e më pak se më parë dhe nuk kapin dot më fundin e muajit. I pari i qeverisë thotë sa të më keni mua nuk do të rritet kurrë çmimi i dritave, kurse fatura e dritave hyn nën derë tinëzisht edhe më e madhe sesa çmimi i rritur për shkak se qeveria shqiptare nuk i paguan borxhin e vet prej 40 milionë eurosh OSSH-së, po u’a fut atë shqiptarëve përmbi rritjen e papërballueshme të çmimit. Më një anë i pari i qeverisë thotë do t’ua kompensojmë rritjen e çmimit të dritave familjeve të varfëra dhe u shton vetëm 140 lekë në muaj, më pak se ç’kushton një kg presh. Ndërsa më anën tjetër u thotë njerëzve shkoni në gjykatë për rritjen e paligjshme të çmimit në faturë, por ndërkohë e ka rritur para pak javësh katër herë faturën e hapjes së një gjyqi. Plot 120 mijë lekë për të filluar kërkimin e një të drejtë në gjyq, aq sa ç’merr një pensionist që duhet të rrijë tërë muajin pa ngrënë, pa drita, pa ilaçe, për ta hapur gjyqin që i këshillon kryetari i qeverisë së pykave. Nuk është shtrenjtuar shërbimi shëndetësor sipas shifrave zyrtare, ndërkohë 800 mijë shqiptarë të pasiguruar, pra të papunë që nuk sigurohen dot, duhet ta paguajnë vizitën në spital pesë herë më shtrenjtë se gjashtë muaj më parë.

Kurse sipas qeverisë të papunët janë rritur së fundmi po jo shumë, ata janë vetëm 13 e pak përqind në tabelën e shifrave zyrtare. Që do të thotë se në një shkallë me tetë hyrje në qytet vazhdojnë të shkojnë në punë çdo mëngjes shtatë kryefamiljarë e vetëm njëri s’ka punë. Apo, akoma më turp, sipas qeverisë në fshat s’ka asnjë të papunë, sepse të gjithë i’a kanë gjetur vetes punën mendojnë pushtetarët në Tiranë që koston e përvitshme të borxhit të Shqipërisë e kanë çuar sa shtatë herë buxhetin që shteti i jep fshatit. Gjysma e fuqisë punëtore të Shqipërisë është sot rrugëve, e papunë, dhe pasi premtoi 160 mijë vende të reja pune kur u kërkonte shqiptarëve votën, Sali Berisha ka shkaktuar humbjen e mbi 100 mijë vendesh pune në më pak se një vit pas grabitjes së votës.

 I vetmi punësim në Shqipëri është ai që realizohet jo duke hapur vende të reja pune përmes investimeve prodhuese, po duke shkatërruar administratën e shtetit për të punësuar shërbëtorët e pushtetit. Të cilët madje, pas 28 qershorit, merren në punë vetëm pasi paguajnë edhe gjobën përkatëse sipas vendit që marrin. Asnjëherë më parë, po as më pas në histori, kjo qeveri nuk mund të konkurrohet për budallallëkun galopant në thënien e gënjeshtrave. I pari i qeverisë shpall boom-in në eksportin e energjisë. Drejtori i Kesh-it thotë të nesërmen në mëngjes kemi eksportuar 40 milionë euro. Pasdite del ministri që përmbyti Shkodrën dhe thotë eksporti është 70 milionë euro. 200 milionë e çon kryeministri një ditë më pas. E kështu vijon përditë shfaqja e neveritshme e qeverisjes në këtë vend, ku paturpësisht pretendohet prej pushtetarëve një i atillë sukses Shqipërisë në rrugën e zhvillimit ekonomik që bota mbarë ka mbetur pas. Ndërkohë që në televizor njerëzit shohin rritje ekonomike mbresëlënëse dhe në ekonominë e shtëpisë ndjejnë vetëm rënie rrënqethëse, kush është pensionist dhjetë ditët e fundit të muajit mbetet pa lekë për të ngrënë as bukë nëqoftëse nuk i vijnë në ndihmë të tjerët.) Kurse çdo muaj e më shumë prindër ndjehen të pafuqishëm për të shkolluar fëmijët, të cilët në Shqipërinë e moshës së internetit po hyjnë në rrjetin e zgjeruar frikshëm të analfabetizmit. Ka vetëm një Shqipëri që rritet realisht përditë në fuqinë e vet ekonomike, kjo është Shqipëria që jeton në oborrin e familjarëve, klientëve dhe shërbëtorëve të Sali Berishës. Përtej atij oborri jeton Shqipëria e njerëzve që pavarësisht nëse janë socialistë a demokratë në përkatësitë apo simpatitë e tyre partiake, i përkasin të njëjtit atdhe më të varfër, më të papunë, më të pashpresë. Saliu i Parë luajti me kursimet që çdo shqiptar futi në skemat piramidale.

Saliu i Dytë po luan me gjithë Shqipërinë e futur në piramidën e një pushteti që synon të hipotekojë zgjedhjet dhe bashkë me to edhe të drejtën arbitrare mbi pronat publike e private, mbi arkën e shtetit e mbi konkurrencën në treg. Vrasja e Gërdecit, rënia e tunelit të Kalimashit, përmbytja skandaloze e Shkodrës, janë shembuj ulëritës të kapjes së shtetit për interesat e oborrit të një pushteti që po mbyt Shqipërinë në një det padrejtësish e pisllëqesh ku përpëliten cdo ditë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Në këto kushte detyrimi ynë i pashmangshëm është të jemi fuqia e madhe e bashkimit përballë një qeverie që tradhton përditë popullin e vet dhe të rivendosim demokracinë duke hapur kutitë që të garantojmë njëherë e mirë lirinë e popullit për ta larguar me votë qeverinë. Asnjë muaj nuk mund të shtyhet më zvarrë në këtë rrugë rënieje të demokracisë dhe rrënimit të ekonomisë së vendit, sepse kjo do të thotë thellim i përmuajshëm i krizës së ekonomisë familjare sot, por edhe rritje e frikshme e kostos së rimëkëmbjes së shtetit e të ekonomisë kombëtare e familjare nesër. Ne sot i ofrojmë Shqipërisë kurajon tonë për ta çuar deri në fund këtë betejë, vendosmërinë tonë për të mos u ndalur përpara asnjë presioni e pengese, pasionin tonë politik për të ndërtuar bashkë me shqiptarët rrugëdaljen nga varfëria, papunësia e padrejtësia e kthyer në sistem. Në rrugën e sotme të protestës ne e shohim si dritën e diellit një të ardhme të denjë për aspiratat që çuan në rrëzimin e diktaturës komuniste njëzet vjet më parë dhe një të nesërme më të mirë sesa çdo e djeshme që e pasoi rënien e asaj diktature mizore. Kjo është protesta e çdo shqiptari që nuk lëviz dot jashtë Shqipërisë pa vizë sepse qeveria e korruptuar s’bën dot detyrat e shtëpisë. Është protesta e çdo qytetari që nuk ka shtet këtu në vendin e vet. Është protesta e çdo prindi që nuk shkollon dot fëmijën e tij sepse nuk ka punë.

Është protesta e çdo pensionisti që nuk mbijeton dot me të ardhurat nga puna e një jete të tërë. Është protesta e çdo burri a gruaje që nuk shkon dot më në punë. Është protesta e çdo njeriu që nuk mbron dot pronën e vet nga hiletë gjoja ligjore apo sekserët e familjes në pushtet. Është protesta e çdo bujku a fermeri që nuk ka fuqi t’ia dalë i braktisur në mëshirën e fatit. Është protesta e çdo sipërmarrësi që nuk konkurron dot i lirë në një treg të kapur nga pushteti i oborrit. Është protesta e çdo të përndjekuri të dikurshëm që nuk gjen dot asgjë të ngjashme me idealet e tij në fytyrën e pushtetit të sotëm. Është protesta e çdo familjeje që nuk paguan dot faturat e fund muajit. Është protesta e çdo komuniteti që nuk vetëqeveriset dot sepse qeverisja barbare në qendër nuk njeh cak në shkeljen e autonomisë vendore. Dëgjojmë njerëz që thonë se gjërat vërtet mund të jenë keq po as rruga e protestës nuk është zgjidhje. Shkoni në parlament, përsërisin disa, se aty është vendi zhvillohet demokracia. Madje ka prej tyre që arrin të thonë se protesta jonë dëmton demokracinë dhe integrimin. Këta janë përgjithësisht një pakicë që vetë jeton sidoqoftë më mirë se shqiptarët që sot s’kanë asnjë rrugë tjetër përveçse të protestojnë. Janë ata që nuk kanë as dhimbjen e as ngutin tonë për Shqipërinë e shumicës që nuk shtyn dot muajin mes papunësisë, varfërisë e çmimeve të pafrenueshme të jetës së përditshme.

 Prandaj edhe kur flasim u dukemi sikur bëjmë politikën e arsyeve personale, jo betejën e vlerave qytetare. U them shumë thjesht: Ne e duam Shqipërinë si gjithë Europa dhe e duam sot, këtu, në vendin tonë ku nuk do të lejojmë të instalohet një mbretëri e pashpallur dhe as do ngurrojmë të përballemi me fuqinë e rezistencës paqësore ndaj një pushteti që zgjedhjet i do lojë të paravendosur, parlamentin teatër të parashkruar, qeverinë pykë të palargueshme në rrugën mes nesh e të ardhmes europiane të vendit tonë.

 Kurse atyre që dashamirësisht thonë duam ta kemi të qartë kur, ku dhe si përfundon rruga e protestës u them ejani bashkohuni me ne se s’dihet kur e as ku mbaron kjo betejë – ndryshe s’do qe betejë po fushë për t’u mbjellë me lule – po është e sigurtë se sa më shumë dhe sa më të vendosur të jemi aq më shpejt fitorja e saj do të vijë për të gjithë. Sepse kjo nuk është një luftë mes dy palësh, po mes dy botësh, botës së lirë të njerëzve që nuk kërkojnë privilegje, po vetëm lirinë për të zgjedhur e të drejtën për të jetuar e punuar në atdheun e tyre si të barabartë përpara ligjit e mundësive që ofron demokracia, pavarësisht ngjyrës së qeverisë, dhe botës së nënshtruar nën pushtetin e interesave të një oborri për të cilin kushtetuta është libër pa asnjë vlerë, ligjet janë letra për t’ia treguar Europës, shteti është makinë sundimi e përfitimi, zgjedhjet janë një serial me të njëjtin përfundim, kurse qytetarët shërbëtorë që duhet të përulen ose të mallkuar që duhet të largohen. Nëse ne i fituam zgjedhjet e 28 qershorit, por nuk u zgjodhëm sepse kutitë u mbushën me vota të prodhuara nga korrupsioni nëpër qindra Ruzhdiet e Shqipërisë dhe u mbyllën me dhunën e pushtetit të dalë kundër vullnetit të popullit, kjo është ora për të luftuar që kështu të mos ndodhë më kurrë. Sepse nëse nuk ndodh më kështu atëherë jo thjesht ne do të fitojmë e do të zgjidhemi në zgjedhjet e reja, por më e rëndësishme akoma, zgjidhje të reja do të vinë për njerëzit, për ekonominë, edukimin, shëndetin e tyre. Motra dhe vëllezër, të rezistojmë në këtë bulevard të dëshmorëve të kombit dhe kudo tjetër nëpër Shqipëri, secili sipas kohës e mundësisë së vet, duke ikur e ardhur, pa u ndalur deri në hapjen e kutive, për të shpëtuar demokracinë e të ardhmen duke shkëputur fatin e zgjedhjeve nga kthetrat e pushtetit të korrupsionit. Kjo është një betejë e vështirë aspiratash të mëdha dhe ne jemi gati ta çojmë përpara me çdo sakrificë të madhe që do të nevojitet. Faleminderit.