Akademik Rexhep Qosja, në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ka folur për ngjarjet e fundit në Kosovë dhe në Kumanovë.
Qosja ka thënë se ngjarja në Kumanovë është e shkaktuar prej politikës nacionaliste të Nikolla Gruevskit. Për ngjarjen në Kumanovë Qosja i ka ngarkuar me përgjegjësi edhe dy partitë shqiptare, BDI-në dhe PDSH-në. Duke folur në këtë intervistë edhe për dënimin me burgim të ish-komandantëve të UÇK-së, Sylejman Selimit, Sami Lushtakut dhe bashkëluftëtarëve të tyre,

Qosja ka thënë se këto janë dënime të frymëzuara prej motiveve politike e të bëra për qëllime politike. Qosja e ka porositur klasën politike që mos ta themelojë Gjykatën Speciale. Ndërkaq, duke folur për kuvendin e fundit zgjedhor të LDK-së, zgjedhjen me aklamacion të Isa Mustafës kryetar, Qosja e ka krahasuar me bolshevikët e Stalinit e fashistët e Musolinit.


“Epoka e re”: Z. Qosja, muajin e fundit në Kosovë është shkruar e folur shumë për konfliktin në Kumanovë, për Gjykatën Speciale që duhet të formohet, për dënimin e ish-luftëtarëve të UÇK-së në Gjykatën e Mitrovicës dhe për Kuvendin e Tetë Zgjedhor të LDK-së. Sa dimë, deri tani nuk keni folur për këto ngjarje. E meqë lexuesit po kërkojnë vlerësimet tuaja, ne të ‘Epokës së re’ po jua bëjmë disa pyetje në lidhje me to. Cili është mendimi juaj për ato ngjarje dhe për reagimet ndaj tyre?
Qosja:
Kohët e fundit politikën kosovare e kanë shënuar ato katër ngjarje -ndonjëra prej tyre e pritur e ndonjëra e papritur. Dhe këto katër ngjarje janë: 1. Sulmi blickrig i Qeverisë së tanishme të Maqedonisë ndaj lagjes shqiptare në Kumanovë, në të vërtetë ndaj kundërshtarëve të asaj qeverie, që ishin vendosur në atë lagje; 2. Dënimi i komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, i komandantit të Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, dhe i disa pjesëtarëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; 3. Mbledhja plenare e Kuvendit të Kosovës për miratimin e ligjit mbi themelimin e Gjykatës së Veçantë për trajtimin dhe dënimin e krimeve eventuale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; dhe 4. Kuvendi i Tetë Zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të cilin kryetar i kësaj partie u rizgjodh Isa Mustafa. Këto katër ngjarje jehuan, cila më shumë e cila më pak, në jetën kombëtare shqiptare në përgjithësi, kurse tri prej tyre patën dhe do të vazhdojnë të kenë jehonë edhe ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto katër ngjarje do të jenë me ndikim edhe në politikën e ardhshme të Kosovës e të Shqipërisë, por dy prej tyre edhe në politikën e faktorëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës dhe, mund të jetë, ndaj Shqipërisë.

Lufta në Kumanovë

“Epoka e re”: Si i keni parë zhvillimet e fundit në Maqedoni, konkretisht konfliktin në Kumanovë? Ka pasur reagime të ndryshme në Maqedoni dhe në Kosovë. Disa opinionistë grupin e djemve nga Kosova, të cilët e humbën jetën në konfliktin me forcat policore maqedonase, e quajtën grup terrorist. Dhe karshi kësaj situate në Kumanovë, si do të duhej të reagonin partitë shqiptare në Maqedoni, në Kosovë e në Shqipëri pas kësaj ngjarjeje?
Qosja:
Ka kohë që Maqedonia ndodhet në një krizë të madhe politike; dhe kjo krizë është e shkaktuar prej politikës theksueshëm nacionaliste të Nikolla Gruevskit, i cili në mënyrë aventuriere shpërfill: e para, kontekstin politik ballkanik dhe evropian dhe, e dyta, kohën në të cilën ai e zbaton atë politikë. Qe sa kohë ai nuk pranon kurrfarë kompromisi politik në politikën e tij ndaj Greqisë në lidhje me mosmarrëveshjen që kanë mes vete. Gjatë kësaj kohe ai ka ndërtuar në Shkup, plotësisht kopjueshëm, monumente arkitekturore dhe skulpturore të Greqisë së vjetër! Në të njëjtën kohë ai e përvetëson etnikisht dhe historikisht Maqedoninë e lashtë, me figurat e saj historike, duke përfshirë këtu edhe figurën e saj më të lavdishme historike, Aleksandrin e Maqedonisë, i cili, me ekspeditat e tij ushtarake, shkencore dhe zbuluese, e ka përshtrirë në tri kontinente lavdinë e Greqisë, të kulturës e të qytetërimit të saj, e jo ndonjë lavdi të sllavëve atëherë të mosqenë, ku janë sot.
Qe sa kohë, me gjithë mospajtimin që shfaqin disa prej partive shqiptare në Maqedoni, Gruevski në thelb e saboton zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke shkaktuar kështu jo vetëm pakënaqësi por, kur e kur, edhe revolta të shqiptarëve jo vetëm në Maqedoni. Sipas bindjeve të mia, një numër i djemve tanë nga Kosova dhe nga Maqedonia që, më në fund, u vranë e disa edhe u kapën prej forcave shumëllojshëm të armatosura policore maqedonase, u gjetën në Lagjen e Kumanovës për shkak të pakënaqësisë së madhe që ndienin ndaj trajtimit dhe, në përgjithësi, ndaj gjendjes shumanshëm të pabarabartë të bashkëkombësve të tyre në Maqedoninë e Gruevskit. As në vitin 2001 e as tani ata nuk u ngritën kundër popullit maqedonas dhe nuk u ngritën kundër këtij populli, të vetëdijshëm se popullin shqiptar dhe popullin maqedonas i lidh fort, për të mirë, historia e rëndë e i lidh edhe e tashmja, por u ngritën kundër një regjimi në thelbin e vet shumë autoritar. Këta djem, shumica e të cilëve, si dëgjoj, ishin luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e, mandej, edhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni, prej njerëzve politikë dhe institucioneve shtetërore maqedonase e serbe u quajtën terroristë! Dhe u quajtën terroristë prej atyre që me atë nocion donin t’i rëndonin pamatshëm ata djem dhe donin ta rëndonin pamatshëm Kosovën, kush e kush edhe Shqipërinë! Dhe ata u quajtën terroristë prej njerëzve politikë, që nuk duan të lexojnë as enciklopedi, as fjalorë, qoftë maqedonisht, qoftë shqip, qoftë anglisht, qoftë frëngjisht, qoftë gjermanisht, qoftë italisht, në të cilët shkruan qartë e shkencërisht çdo të thonë nocionet terrorizëm dhe terrorist. Dhe ata u quajtën terroristë prej njerëzve, të cilët nuk interesohen për përmbajtjen dhe për kuptimin e vërtetë të nocioneve qoftë politike, qoftë sociale, qoftë antropologjike, qoftë filozofike, sepse interesohen vetëm për përdorimin propagandistik të çdo nocioni që mund t’u hyjë në përdorim atyre. Por, siç u pa e siç u dëgjua, me nocionet terrorizëm dhe terroristë djemtë tanë u shënuan vetëm prej njerëzve politikë e shtetërorë të qeverisur prej Gruevskit në Maqedoni dhe prej Nikoliqit e Vuçiqit në Beograd.
Ndaj ngjarjes tragjike në Kumanovë reaguan partitë politike shqiptare në Maqedoni, institucionet shtetërore në Kosovë dhe në Shqipëri.
Prej partive politike të shqiptarëve në Maqedoni unë dëgjova vetëm reagimin me vonesë të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të Partisë Demokratike Shqiptare. Me gjithë konsideratën që kisha ndaj këtyre dy partive, më duhet të them se unë i perceptova ato si reagime shumë dëshpëruese. Më vonë, më pak a më shumë, u korrigjuan në reagimet e tyre të tjera, por politikisht të dyja mbeten padëshirueshëm në kujtesë për shkak të reagimeve të para.
Nuk ka dyshim se ngjarja e ndodhur në Kumanovë i ngarkon me përgjegjësi këto dy parti, në mënyrë të veçantë Kryesinë e Bashkimit Demokratik për Integrim, e cila ishte dhe, çfarë çudie, është në koalicion me partinë e Nikolla Gruevskit. Kjo ishte në koalicion, do të thotë ishte pjesëmarrëse në institucionin shtetëror që organizoi e urdhëroi vrasjen e djemve shqiptarë në Kumanovë, të cilët prej dikujt u tradhtuan aty. Vetëm dorëheqja sadopak mund ta zbusë përgjegjësinë politike, kombëtare dhe morale të kryesisë së saj.
Kosova, ndaj ngjarjes në Kumanovë, sikur nuk reagoi njësishëm si shtet! Së pari reagoi ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, pak pas tij reagoi ai që nuk do të duhej të reagonte fare – kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Mandej, mjaft kohë pas tyre, reagoi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Në fund reagoi kryetarja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Më i papranueshmi për Kosovën shtet dhe më i gabuari ishte reagimi i Hashim Thaçit. Aq sa ishte konfuz reagimi i kryekuvendarit, Kadri Veseli, po aq ishte i mjerë reagimi i kryeministrit Isa Mustafa! Përafërsisht i denjë shtetërisht ishte vetëm reagimi i kryetares së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila kohët e fundit një varg kosovarësh po i befason me reagime politike jo vetëm përtashëm, po edhe historikisht përkatëse.
Në Shqipërinë shtetërore së pari reagoi Ministria e Punëve të Jashtme, në krye të së cilës është një ministër me qartpamje politike dhe me dinjitet shtetëror e, pak më vonë, reagoi edhe Qeveria e Shqipërisë. Ishin këto dy reagime të dëshiruara, përkatëse, me vetëdije shtetërore dhe historike të përmbajtura qartë në to. E kuptueshme: Shqipëria ka përvojë shtetërore mbi njëqindvjeçare dhe aq sa di të gabojë në politikën e brendshme, aq nuk di të gabojë në politikën e jashtme. U ndjeva krenar kur dëgjova reagimet e Shqipërisë mbi ngjarjen në Kumanovë, në të cilat Gruevskit iu tha çka duhet t’i thuhet atij për masakrën që bëri në lagjen e shqiptarëve në Kumanovë dhe për trajtimin e papranueshëm të shqiptarëve në Maqedoni.
Prej se njerëzit dhe popujt bëjnë luftëra ndërmjet vete, sulmuesit, rrethuesit kërkojnë dy a tri herë prej të sulmuarve, të rrethuarve, që të dorëzohen; dhe, vetëm në qoftë se as pas kërkesës së tyre të dytë a kërkesës së tretë ata nuk dorëzohen, mund t’i sulmojnë. Kjo ishte një praktikë morale e burrërore në luftërat tash e disa mija vjet. Qeveria e Nikolla Gruevskit shkeli këtë praktikë morale dhe djemtë tanë të rrethuar i sulmoi blickrigshëm në ferk të sabahit, dhe vrau kë arriti të vriste prej tyre, dhe kapi e torturoi ata që mbetën gjallë, dhe e shkatërroi, si të ishte Vukovar, lagjen e shqiptarëve në Kumanovë! Është ky një krim lufte, që shkeli të gjitha rregullat e luftës! Ishte ky një krim lufte, në të cilin u shpreh papërmbajtshëm urrejtja e urdhëruesit të këtij krimi, Nikolla Gruevskit, me ministren e tij të Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska! Ishte ky krim që e frymëzuan nacionalizmi dhe shovinizmi. Këtë krim të Nikolla Gruevskit nuk deshën ta shohin e ta theksojnë partitë shqiptare që reaguan në Maqedoni! Mjerisht!
Këtë krim të Nikolla Gruevskit dhe ministres së tij nuk patën mendje shtetërore dhe guxim moral ta shohin e ta dënojnë politikisht sa e si ishte e nevojshme as reaguesit me grada shtetërore në Kosovë! Mjerisht!
Këtë krim të Nikolla Gruevskit dhe kryepolices së tij e vërejti Shqipëria shtetërore dhe reagoi kur duhej e si duhej. Të gjitha këto që thashë për ngjarjen në Kumanovë nuk duan të thonë se Rexhep Qosja pajtohet me vendimin e djemve tanë që me pushkë në duar u mblodhën në Kumanovë për të vepruar ashtu, ndoshta, ndaj regjimit të nacionalistit Nikolla Gruevski. Jo. Në Maqedoni do të duhej të bëhej përpjekje që me bisedime, që me mosbindje qytetare, të zgjidhen problemet e pazgjidhura shqiptare; dhe çështja shqiptare.

Dënimi i komandantëve të UÇK-së

“Epoka e re”: Këto ditë Gjykata Themelore në Mitrovicë ka dënuar me mbi një gjysmë shekulli burgim ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimin, ish-komandantin e Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtakun, dhe disa bashkëluftëtarë të tyre. Aktgjykimi nga një pjesë e politikës u konsiderua si vendim politik?
Qosja:
Janë disa arsye për ç’shkak mendja ime e kundërshton gjykimin dhe dënimin e këtyre komandantëve të UÇK-së dhe të bashkëluftëtarëve të tyre.
Tradita politike, kulturore dhe juridike jo vetëm evropiane ka përjashtuar dënimin e atyre të cilët, qoftë në veshje të zakonshme, qoftë në uniforma ushtarake, mbrojnë jetën e vet dhe të njerëzve të vet, në shtëpinë e vet, në tokën e vet, në vendin e vet prej atyre që të pushtojnë a duan të të mbajnë të pushtuar. Pse kjo traditë po mposhtet tani vetëm kur është fjala për shqiptarët, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës? Kjo traditë po mposhtet, sipas të gjitha gjasave tani, kur është fjala për shqiptarët dhe Ushtrinë e tyre Çlirimtare, sepse mund të jenë shtete, grupe politike dhe vetje të autoritetshme evropiane që e kërkojnë këtë dhe, ku ta di e si ta di unë, mund të jetë, e financojnë këtë!
Kur ka ndodhur dhe ku ka ndodhur që ai që ka mbrojtur veten, njerëzit e vet, shtëpinë e vet, vendin e vet prej atyre që duan ta pushtojnë apo ta mbajnë të pushtuar të burgoset, të nxirret në Gjykatë, e të dënohet, ja, me katërmbëdhjetë vjet burg pse paska “torturuar trupërisht” ndonjë pushtues a jatak a informues të pushtuesit a atij që do ta mbajë të pushtuar? Cinik është një dënim i tillë! Kur ka ndodhur dhe ku ka ndodhur që ai që ka mbrojtur veten, shtëpinë e vet, njerëzit e vet, vendin e vet prej pushtuesit a atij që do ta mbajë të pushtuar, të dënohet me dymbëdhjetë vjet burg në sajë të dëshmive të dyshimta të një dëshmitari të dyshimtë, të nxitur prej motivesh të dyshimta? Dënimet e tilla të atyre që mbrojnë veten, që mbrojnë shtëpinë e vet, që mbrojnë të vetët në shtëpinë e vet, në vendin e vet, prej pushtuesit a prej atyre që duan ta mbajnë të pushtuar, e bëjnë drejtësinë padrejtësi, e bëjnë drejtësinë ligjore “drejtësi” politike. Për këtë arsye edhe është thënë dhe duhet të thuhet se dënimet e Sylejman Selimit, të Sami Lushtakut dhe të bashkëluftëtarëve të tyre në Gjykatën e Mitrovicës janë dënime të frymëzuara prej motivesh politike e të bëra për qëllime politike. Për këtë arsye vendimi i Gjykatës Themelore të Mitrovicës, me të cilin u dënuan komandantët e sipërpërmendur dhe bashkëluftëtarët e tyre, duhet të kundërshtohet individualisht dhe kolektivisht me protesta qytetare. Dhe për këtë arsye gëzimi i shprehur me shkrim për këto dënime i disa publicistëve, që me bollëk i gëzojnë frytet e luftës çlirimtare të UÇK-së dhe tagjinë e të pasuruarit në kohën e Millosheviqit e të paqeruajtësve të dhunës e të terrorit të tij në Kosovë, duhet të mposhten jo me përbuzje e heshtje si deri tash, po me reagime të qarta të shprehura publikisht.

Themelimi i Gjykatës së Veçantë

“Epoka e re”: Si e shihni themelimin e Gjykatës Speciale? A dëmtohet Kosova nëse nuk e voton Kuvendi i Kosovës, apo duhet t’i dëgjojmë partnerët e koalicionit qeverisës, se nga kjo Gjykatë nuk duhet të kemi frikë?
Qosja:
Ç’do themelimi i Gjykatës së Veçantë vetëm për luftën mbrojtëse të shqiptarëve në Kosovë? Për ta bërë politikisht dhe moralisht të barabartë luftën mbrojtëse të shqiptarëve në tokën e vet me luftën pushtuese, agresore të Serbisë në Kosovë? Cinizëm i jashtëzakonshëm!
Ç’do themelimi i Gjykatës së Veçantë vetëm për luftën mbrojtëse të shqiptarëve në Kosovë pesëmbëdhjetë vjet pas mbarimit të kësaj lufte? Për t’i kënaqur ato vende ballkanike e evropiane, ato grupe apo ato vetje ballkanike e evropiane, që besojnë se shqiptarët, që luftuan për pavarësinë e Kosovës dhe me luftën e tyre fituan përkrahjen e SHBA-së dhe BE-së për këtë pavarësi, përfituan shumë, shumë, prandaj duhet të ndëshkohen së paku me burgje qoftë edhe vetëm disa nga të merituarit për këtë luftë!
Ç’do themelimi i Gjykatës së Veçantë vetëm për luftën mbrojtëse të shqiptarëve në Kosovë, ndërsa tani e pesëmbëdhjetë vjet nuk u themelua kurrfarë Gjykate e Veçantë për hulumtimin dhe dënimin e atyre që bënë luftën pushtuese, agresore në Kosovë, të atyre që në fshatra e në qytete të Kosovës vranë e masakruan djem, burra, pleq, gra, nëna, vajza, fëmijë e trupat e një numri prej tyre i çuan dhe i hodhën në varre të përbashkëta në Serbi?
Isha dhe, natyrisht, jam kundër themelimit të kësaj Gjykate. Sipas të gjitha gjasave, vetjet, organizatat, shoqatat, partitë tona, që janë kundër, nuk do të mund ta pengojnë themelimin e kësaj Gjykate me mospajtimin e tyre. Ajo do të themelohet! Dhe në qoftë se nuk e themelon pushteti shqiptar, do ta themelojë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Fakti pse e themelon Këshilli i Sigurimit i OKB-së atë Gjykatë nuk do të duhej ta bënte atë as më të butë e as më të ashpër ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndaj shqiptarëve, natyrisht në qoftë se themeluesi – Këshilli i Sigurimit i OKB-së do ta konsiderojë atë çka i thotë emri: Gjykatë.
Për mua është me rëndësi, është me rëndësi politike dhe etike, është me rëndësi historike, është me rëndësi kombëtare, që atë Gjykatë të mos e themelojnë vetë shqiptarët. Shqiptarët nuk do të duhej, në asnjë mënyrë, ta dënojnë vetveten, nuk do të duhej të vetëdënohen.
Shumë, tepër, për së tepërmi e kemi dënuar vetveten jo një herë gjatë historisë. Shumë, tepër, për së tepërmi jemi vetëdënuar ne pas vitit 1981! Dinjitetin tonë qytetar, intelektual dhe kombëtar, të rënë poshtë për shkak të atij vetëdënimi, do ta shpëtojë rinia jonë studentore me mospajtimin e saj të vendosur me atë vetëdënim tonin. Ta dënojmë veten tani, prapë? Të vetëdënohemi tani, rishtazi, edhe një herë? Jo, kurrsesi! Nderi, dinjiteti, krenaria, vetëdija historike dhe kombëtare e kërkojnë që shqiptarët vetë të mos marrin pjesë në themelimin e Gjykatës së Veçantë. Jo. Le ta themelojë Këshilli i Sigurimit i OKB-së, por shqiptarët, vetë, të mos dënojnë veten, të mos vetëmohohen, të mos vetëdënohen, të mos vetëvriten! Jo. Le të na dënojë tjetërkush, por jo ne vetveten. Në asnjë mënyrë. Nën kurrfarë kushtesh.
Besoj, besoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe them se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i duhen pamatshëm shumë Botës. Pa to Botën e sotme do ta çorodisnin me shumë të këqija tiranë, despotë, diktatorë të vegjël e të mëdhenj. Pa Amerikën Botën do ta rrezikonte një kaos i gjithëçfarshëm. Themelimi i Gjykatës së Veçantë, mendoj, bëhet me kërkesë, me nxitje, në radhë të parë, të disa shteteve të tjera. Jam i bindur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do t’i lënë këto shtete të tjera që Gjykatën e Veçantë ta bëjnë çka do të donin ato të bëhet: Gjykatë politike kundërshqiptare.

Kuvendi i Tetë i Lidhjes Demokratike të Kosovës

“Epoka e re”: Z. Qosja, nga ato informacione që kanë pasqyruar mediet, sigurisht keni pasur mundësi ta përcillni Kuvendin e VIII Zgjedhor të LDK-së. Isa Mustafa u rizgjodh edhe një mandat në krye të LDK-së. Pati edhe vërejtje se mënyra e zgjedhjes së tij nuk ishte demokratike. Si e shihni tash e tutje të ardhmen e kësaj partie?
Qosja:
Në Kuvendin e Tetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës ndodhi shumëçka që pritej: shumëçka që pritej prej atyre që e njohin kryetarin e saj të rizgjedhur dhe që e dinë se si, në çfarë mënyrash, është ngritur ai në pushtet politik dhe shtetëror prej viteve tetëdhjetë e deri më 31 maj të këtij viti.
Si u tha në mediet e shkruara dhe elektronike, kryetari i rizgjedhur i LDK-së përpjekjet për t’u rizgjedhur me çdo kusht i filloi që prej mbledhjeve të organizatave themelore të LKJ-së. Më falni, desha të them, të organizatave të LDK-së dhe i filloi duke i përzgjedhur, mundësisht, megjithëse nuk u arrit kjo gjithkund, besnikët e tij, trabantët e tij.
Numri i delegatëve në këtë Kuvend ishte më i vogël se në kuvendet zgjedhore të gjashtë, të pestë, të katërt, dhe ishte kështu më i vogël sepse ndër më shumë delegatë do të mund të përvidheshin më shumë kundërshtarë të tij.
Megjithëse në dokumentet e LDK-së shkruan se votimet për udhëheqjen janë të fshehta, kryetari i rizgjedhur i LDK-së me besnikët e tij arritën, duke e nëpërkëmbur Statutin e Partisë, që të rizgjidhet ai me të ashtuquajturin aklamacion, që ishte shpikje, së pari e bolshevikëve të Stalinit e, mandej, e fashistëve të Musolinit. Por, më parë u arrit mënjanimi i kandidatit të dytë për kryetar, i Vjosa Osmanit, për të cilën votuan 63 delegatë.
Më kësi marifeti tragjikomik u mposht votimi i vetëm demokratik – votimi i fshehtë.
Në votimin me aklamacion për kryetarin e rizgjedhur votuan edhe 60 prej 63 delegatëve, që më parë kishin votuar për Vjosa Osmanin! Duke votuar herën e parë për njërin kandidat – për kandidaten që humbi zgjedhjet e herën e dytë për kandidatin tjetër – për kandidatin që i fitoi zgjedhjet, këta delegatë e cenuan integritetin e tyre politik dhe e cenuan, mund të jetë, për dy arsye: e para, për shkak të frikës prej hakmarrjes, që është mjet i njohur në politikën e kandidatit të rizgjedhur dhe, e dyta, ndoshta për shkak të leverdive që ua krijon kandidati i rizgjedhur, tani edhe kryeministër i Kosovës, me pozitat dhe me punët që mund t’ua sigurojë. Nuk mund të dyshohet se ky mjet korruptues mund të jetë përcaktues i votimit edhe i një vargu deputetësh të tjerë.
Në Kuvendin e Tetë Zgjedhor të LDK-së nuk u lejuan të hyjnë as disa veprimtarë të kësaj partie, që kishin ardhur prej Zvicrës dhe Gjermanisë dhe nuk u lejuan të hyjnë as si mysafirë: kryetari i rizgjedhur, thonë përcjellësit e kujdesshëm të punëve në LDK, u frikësua prej përkushtimeve të tyre të mundshme ndaj Vjosa Osmanit. Bolshevizëm!
Ndryshe prej këtyre veprimtarëve të LDK-së, të ardhur prej Zvicrës dhe Gjermanisë, që nuk u lejuan të hyjnë në Kuvend as si mysafirë, në Kuvend nëpër derën, që u tha, harrova çka u tha në medie, nëpër derën e pasme, hyri një veprimtar postlartë, që në mbledhjen e organizatës së LDK-së të Prishtinës nuk kishte fituar votat për të qenë delegat në Kuvendin e Tetë Zgjedhor të Partisë në fjalë. Bolshevizëm!
Kur ish-kryetari i LDK-së dhe ish-kryetar i Kosovës, Fatmir Sejdiu, doli për të diskutuar në këtë Kuvend të Partisë, prej sallës u përjashtuan të gjitha mediet! Prapë bolshevizëm.
Si deklaroi një veprimtar dhe funksionar i vjetër i LDK-së, që e dhanë disa medie elektronike dhe të shkruara, prej delegatëve, para mbledhjes së Kuvendit, u kërkua që ta fotografojnë dorën me orë, në të vërtetë që të vetëfotografohen për të dëshmuar se për kë votuan! Jo vetëm bolshevizëm!
Për veprimet e tjera bolshevike të kryetarit të rizgjedhur dhe të trabantëve të tij, më tha një ish-veprimtar tashmë i tjetërsuar i LDK-së, do të merret vesh në disa shkrime e paraqitje televizive, të mëvonshme, kurse më sigurt në kujtimet e atyre që do të shkruajnë për këtë Kuvend Zgjedhor.
Deri tani, kur po e them këtë bisedë për Kuvendin e Tetë Zgjedhor të LDK-së, kryetarin e rizgjedhur e uruan: mjaft kursyeshëm zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës dhe kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi, dhe me bollëk retorik kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulëzim Basha. Dua të shpresoj që kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, dua të shpresoj që kryetarët e partive vërtet demokratike të Shqipërisë e të shqiptarëve në Maqedoni e në Mal të Zi, nuk do ta urojnë njeriun, që me metoda bolshevike, në të vërtetë kundërdemokratike, u rizgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Dhe nuk do ta urojnë, të vetëdijshëm se ashtu do ta uronin një teknologji pushtetore që cenon e fyen vlerat evropiane! Dua të shpresoj se një rizgjedhje të tillë nuk do ta urojë asnjë parti vërtet demokratike evropiane.
Mund ta marrim me mend se si do ta kryesojë Lidhjen Demokratike të Kosovës ai që u rizgjodh ashtu si u rizgjodh, por s’mund ta marrim me mend se si do ta kryeministrojë ai Kosovën sepse s’është kryeministër i një partie, po i një koalicioni.
Nuk ka dyshim se Kuvendi i Tetë Zgjedhor i LDK-së, me këtë rizgjedhje të ish-ministrit të qeverisë kosovare të Millosheviqit në vitet tetëdhjetë, në të cilin rëndë, paskrupuj, bolshevikisht u cenuan parimet dhe vlerat më elementare evropiane dhe demokratike, e komprometoi dhe e shëmtoi fort idenë e demokracisë në Kosovë. Duke refuzuar zgjedhjet demokratike, duke refuzuar Vjosa Osmanin – një veprimtare të përvojshme e të shëndoshë politikisht, të parimshme e të re me moshë e me ide politike, dukshëm të aftë, që mendon qartë e flet qartë, LDK-ja e humbi gjasën për shërimin e vet prej të këqijave, me të cilat e kanë ngarkuar e kaluara, pasionet pushtetore e pasurore, dogmatizmi dhe demagogët e shumëfytyrshëm.

Njëmendësia dhe e ardhmja

“Epoka e re”: Çfarë vlerësimi keni për politikën në përgjithësi? Për politikanët aktualë?
Qosja:
Pushtetarët, që zgjidhen ashtu siç u rizgjodh kryetari i tanishëm i LDK-së, janë pushtetarë të rrezikshëm! Pushteti që zbatojnë pushtetarët kështu të zgjedhur është pushtet i rrezikshëm! Arsye për t’u frikësuar në të sotmen dhe për të ardhmen, sot, kemi shumë. Një numër njerëzish të politikës janë bërë milionerë të njëfishtë a të shumëfishtë. Numri i këtyre pasanikëve të papritur është në rritje e sipër. Me politikën e tyre pesëmbëdhjetëvjeçare: është dëmtuar në masë të madhe thelbi ekonomik i Kosovës, është cenuar në masë të madhe e ardhmja sociale e pjesës me të madhe të popullit, shteti i Kosovës është bërë shtet i privatizuar, domethënë shteti ynë është kthyer në pushtet, në të vërtetë në hyqymet.
As gjyqësori, as institucionet shtetërore nuk mund të quhen të pavarura në këtë shtet të privatizuar, sepse në vend të tyre vendosin pronarët e shtetit, korrupsioni, varfëria, përzgjedhjet familjare, miqësore dhe partiake në administratë, në qeveri, në diplomaci, kudo, e shënojnë shtetin e Kosovës, mashtrimet, rrenat, premtimet pesë-gjashtë ditore, shantazhet e frikësimet janë mjetet e sundimit, hyqymetit!
Pasurimi i njerëzve të politikës, mënyrat e tyre sunduese, prishësia politike e përshtrirë, i kanë shtuar dhe vazhdojnë t’i shtojnë tendosjet shoqërore në Kosovë. Në kushte të tilla Kosova mund të gjendet para shpërthimeve të pakontrollueshme, që sociologët dikur i quanin siç dihet si e quanin.
Janë të padëshirueshme shpërthimet e pakontrollueshme sepse e kanë çmimin e shtrenjtë, por janë të padurueshme edhe padrejtësitë e prishësitë politike në kohën në të cilën jetojmë.