Ende pa e themeluar, shoqatat joqeveritare janë të ndara lidhur me idenë për themelimin e frontit të bashkuar shqiptar. Disa nga ideatorët e këtij projekti theksojnë se do të realizojnë idenë dhe platformën e tyre, edhe përkundër reagimeve dhe mospajtimeve të pjesës tjetër të organizatave, që nuk duan ti hyjnë ujërave të politikës

Në mesin e mbi 40 shoqatave dhe organizatave joqeveritare dhe atyre që përfaqësojnë veteranët e luftës së UÇK-së kanë dallime dhe mospajtime lidhur me idenë e hedhur për formimin e Fronit të bashkuar shqiptarë, një organizëm aktiv që do të jetë korrektorë në skenën politike aktuale shqiptare në Maqedoni. Ende pa u nxjerrë në debat ideja e themelimit, shoqatat pjesëmarrëse në Këshillin e Organizatave Shqiptare (KOSH) dalin me qëndrime të kundërta. Por, megjithatë ideatorë të kësaj të këtij projekti theksojnë se janë të angazhuar për ta kurorëzuar qëllimin, edhe përkundër reagimeve që vijnë nga shoqata, që nuk duan ti hyjnë ujërave të politikës.

Organizata joqeveritare “Realiteti” thekson se si ide është e pëlqyeshme. “Ne si organizatë kemi pasur bisedime me disa nga udhëheqësit e atij fronit, dhe jemi akoma në bisedime. Mirëpo si ide na pëlqen kjo nismë që po bëhet. Besoj se partitë politike njëherë e përgjithmonë duhet të reformohen dhe të marrin përgjegjësit që kanë, duke dhënë llogari para popullit”, ka theksuar për kryetari i kësaj shoqate, Valon Bela.

Kryetari i Shoqatës së Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës së UÇK-së “Kalaja”, Izair Samiu ka theksuar se nuk përkrahë frontin e paralajmëruar.

“Ne nuk përkrahim këtë front dhe asnjëherë nuk do të lejojmë që vasalët e konsumuar nëpër prehrit e sllavëve të përfaqësojnë vlerat e vërteta të shqiptarëve dhe UÇK-së. Tek e fundit këto fytyra njihen se kujt i kanë shërbyer dhe i shërbejnë. Populli më së miri i njeh dhe e di fare mirë pse e kanë si qëllim këtë front në këtë moment”, ka theksuar Izair Samiu-Baci, i cili thekson se qëndrimet e qarta për frontin nga disa organizata të KOSH janë dhënë në mbledhjen e fundit të tyre javën e kaluar në Tetovë. Valon Kurtishi nga “Illyricum Libertas” ka nënvizuar se qëndron pas një komunikate të publikuar pas mbledhjes së të shtunës që i është shpërndarë mediave, një pjesë e të cilëve nuk e kishin publikuar. “Këshilli diskutoi në mbledhjen e lartpërmendur edhe perspektivën e këtij subjekti dhe për momentin në agjendë e ka vetëm konsolidimin e tij, organizimin e protestave të tjera dhe në asnjë mënyrë formimin e ndonjë subjekti politik”, thuhet në njoftim, duke shtuar se organizatat që organizuan protestën “Për Drejtësi” përgënjeshtrojnë zërat e plasuara për gjoja një nismë të re e udhëhequr nga intelektualë dhe emra të caktuar.

Lidhur me këtë është deklaruar edhe Besim Hoda nga lëvizja qytetare “Ec…”.

“Fronit i bashkuar shqiptarë ka qenë një nga kërkesat e njërës prej organizatave që bën pjesë në këshillin e organizatave shqiptare, i cili ka mbetur si propozim dhe që nuk kaloi në këshill. Arsye e vetme ishte ajo që qoftë fronti i bashkuar shqiptarë, qoftë këshilli i organizatave shqiptare është vetëm një emër që ka tendenca që të riaktualizojnë problemet e moszgjidhjes së problemeve të shqiptarëve në Maqedoni“, ka theksuar Hoda. Pavarësisht këtyre divergjencave, ditëve të ardhshme siç mëson gazeta pritet të ngritët nisma për themelimin e këtij fronti të bashkuar shqiptarë dhe do të zbardhen emrat e tij. (INA)