Tasi i dinastisë kineze Ming, ishte blerë 65 £, shitet për 1,6 milionë £,
Një tas i dinastisë së vjetër kineze Ming, i cili përbën një ekzemplar të rrallë dhe unik, arriti të shitej praktikisht me një shumë që e kalonte 84 herë ofertën e parë prej 20 mijë paund të ofruar fillimisht në ankand. Ai arriti çmimin rekord prej 1,6 milionë paund, i cili mendohet se mund të kishte qenë edhe më i lartë nëse tasi nuk do të ishte pak i dëmtuar në buzë.
Tasi është shitur nga shtëpia e ankandeve ‘Bainbridge’, në Ruislip, Essex, e njëjta shtëpi ankandesh e cila në vitin 2010 arriti të shiste një një vazo kineze me çmimin e pabesueshëm prej 59 milionë paund.
Tasi ishte blerë fillimisht nga koleksionuesit e antikave, Otto dhe Gertrude Harriman, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore për një çmim prej 65 paund ose rreth 1 600 paund, po t’i llogarisësh me vlerën e sotme.
Bashkëshortët Harrimans, të cilët ishin nga Austro-Hungaria, por u zhvendosën në Londër para luftës, arritën të mblidhnin një koleksion të rrallë të artit kinez, i cila u shpall si i një rëndësie kombëtare.
Përveç tasit, në ankand u shit edhe një filxhan i thjeshtë, i cili u vlerësua me 600 paund, por shkoi në 75.000. Ai i përkiste dinastisë Song, në periudhën midis viteve 960 deri 1279. Ndërkohë, një tas i dytë, edhe ai nga dinastia Ming, u shit për 850.000 paund, ndërkohë që vlera fillestare e ofruar për të ishte 60.000.
Por ylli i vërtetë i ankandit ishte pikërisht tasi me ngjyrë blu dhe të bardhë që u përmend në fillim, i cili mendohet se është përdorur në kohën e perandorit Xuande, të dinastisë Ming, që sundoi midis viteve 1425 dhe 1435.
Ai është i zbukuruar me pesë figura dragoi dhe përbën një nga 30 ekzemplarët, vlera e të cilëve ka shkuar në shumën 3 milion £ në total.
Peter Bainbridge, i cili drejtoi ankandin, tha se tasi ishte një ekzemplar aq i rrallë, sa edhe ‘dhëmbët e pulës’.
“Ai ka qenë një tas që përdorej për lojërat me zare, por aty vetëm hidheshin zaret, nuk tundeshin. Ka disa motive shumë të rralla me figurë dragoi dhe do të kishte kapur një vlerë akoma më të madhe nëse nuk do të ishte pak i dëmtuar”, – tha ai.