“Tani duhet grupim i ri brenda opozitësâ€
Intervistoi:Skerdilajd Zaimi
Raundi i ri i pajtimit pozitë – opozitë provokon krisje në kohezionin brenda koalicionit të drejtuar nga PS-ja. Socialdemokrati Skënder Gjinushi, shprehet për “Shekullin†se përqasja e tanishme e PS-së është pa produkt dhe dhe jashtë rolit të kërkuar për opozitën.
Z. Gjinushi, si e vlerësoni takimin Rama-Meta? A jemi para një rikonfigurimi të së majtës?
Nuk jemi në fazën për të folur për rikonfigurim apo bashkim të së majtës, sepse dihet që LSI-ja është pjesa që mban në pushtet qeverinë aktuale dhe që është kompromentuar 100 përqind në të gjitha dështimet, mosarritjet dhe skandalet e saj. Por sigurisht që jemi në fazën që flitet për një President konsensual dhe mendoj se edhe këtu jemi ende larg, sepse ky lloj Presidenti mund të realizohet vetëm nëpërmjet institucionalizimit të një tavoline partiake, dypalëshe që çon te Presidenti konsensual. Të gjitha lëvizjet e tjera, janë sot për sot lëvizje në vakuum, qameti marrin konotacionin e presioneve, diversioneve apo të ndonjë “pazari politikâ€, pasi ai që ka në dorë dhe që i takon të bëjë “lëshiminâ€, pra të pranojë për herë të parë se duhet zbatuar Kushtetuta dhe stër-rekomandimet e ndërkombëtarëve, pra Berisha, nuk lëshon. Në fakt, ai nuk është shprehur ende, dhe jo vetëm kaq, por deklarimet e deritanishme janë qartazi se “presidenti i takon mazhorancësâ€. Kjo është provokative, e gabuar, antikushtetuese dhe asnjë mendje e ftohtë nuk mund t’a thotë një gjë të tillë. Nëse Presidenti i takon shumicës, atëherë do të thotë që Kushtetuta vetë, Gjykata e Lartë, Kushtetuese dhe institucionet e pavarura të jenë nën thundrën e qeverisë.
Mendoni se edhe z. Rama nuk ka për të arritur gjë?
Thashë që nuk varet prej tij, aq më shumë që konsensusi është kërkuar edhe në 2007-n dhe atëherë opozita toleroi që vendi të mos kalonte në zgjedhje të parakohshme në emër të përrallës se “kjo ishte në të mirë të Shqipërisëâ€. Pra vlerësuam se ishte në të mirë të Shqipërisë të mbanim Saliun edhe 4-5 vjet të tjera. Dhe përsëri nuk u arrit Presidenti konsensual, pasi Berisha veproi në mënyrë të njëanshme dhe çau edhe numrin 84 me mjete të tjera. Nga ana tjetër, gjykoj se këto lloj paqesh dhe riciklimesh, Shqipëria i ka pasur, por ka dalë përherë e zhgënjyer. Sepse fatkeqësisht ne flasim për të parë përpara, por shqiptarët kanë parë se të gjitha takimet që prej 1998, 2002, 2007 në Pallatin e Brigadave apo edhe ndonjë kompromis në vitin 2008, janë bërë për të filluar politikanët nga e para, por jo për të çuar Shqipërinë përpara. Nuk ka ndryshuar asgjë në realitetin shqiptar. Nëse flasim për një klimë të re, kjo nuk do të thotë pajtim formal dhe shmangie të përgjegjësive, por do të thotë të mos bësh më në të ardhmen gabime të njëjta, të zbardhësh aferat e mëdha dhe të njihen përgjegjësitë para opinionit. Më shqip, nuk mund të ketë klimë të re, nëse nuk zbardhen shkaqet dhe përgjegjësitë që e kanë sjellë Shqipërinë deri këtu, nuk zbardhet 21 janari, nuk nxirren përgjegjësitë dhe nuk kërkohet falje për këtë ngjarje. Nuk mund të flitet për klimë të re nëse nuk ndryshon vullnetin për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe po aq e rëndësishme është pastaj edhe lufta ndaj korrupsionit, ku klimë e re do të thotë pastrim. Korrupsioni është epidemi, por nuk të zë nga halli, por nga qejfi. Pra, bartësit e korrupsionit nuk janë viktima, sepse këtu shërbehet sikur korrupsioni është një e keqe të cilën duhet ta luftojmë së bashku. Së bashku luftojmë korrupsionin në nivele të tjera të shoqërisë, por jo tonin. E tha shumë thjeshtë një ambasador: doni të luftoni korrupsionin? Atëherë mos vidhni më që këtej e tutje.
Z. Gjinushi mendoni se kryeministri Sali Berisha do ta fitojë edhe betejën e Presidentit?
Është e vështirë arritja e një Presidenti konsensual nisur nga e gjithë përvoja jonë dhe nga fakti se nga cili varet ky President konsensual. Unë ritheksoj se në çdo rast, se nuk është zgjidhje thjesht zgjedhja e Presidentit, sepse kriza është e gjithanshme në të gjitha planet, politike, ekonomike, institucionale, apo edhe në lirinë e medias. Pa folur këtu për korrupsionin që është në nivelin më të lartë në rajon dhe Shqipëria nuk ka qenë renditur kështu as në vitin 2004, kur Berisha luftonte qeverinë pikërisht me këtë kauzë. Sa më shumë rritet korrupsioni aq më e madhe është demagogjia që bëhet për nevojën që i duhet dhënë qeverisë për të luftuar atë. Kjo është një propagandë që mund ta durojë vetëm një popull si yni, për 20 vjet. Flitet për standarde, sikur ato të jenë diçka e shkruar në letër dhe për të cilat kërkohet një marrëveshje konsensuale në Parlament. Të tilla janë bërë në 20 vjet dhe nuk kanë dhënë rezultat.
Së fundmi në kampin opozita janë përvijuar dy qëndrime. Deri ku shkon divergjenca mes jush?
Qartazi në opozitë ka dy dallime thelbësore; ka një për vetë reformën dhe taktikën zgjedhore, ku ne vlerësojmë se korrektimi i sistemit është një domosdoshmëri dhe e drejtë e opozitës, është një gjë që duhet ta mbrojë opozita për hir të barazisë së votës së qytetarëve, barazisë në garë dhe për hir të një luajaliteti brenda vetë aleatëve. Ky sistem lidhet edhe me taktikën zgjedhore, ku ritheksoj se fiton ai që është më i bashkuar, ai që ditë krijojë një bashkim real, të sinqertë, për aq sa lejohet në politikë. Në rast se që në reformë në letër, tregohesh i njëanshëm se në fund të fundit mua ‘sistemi nuk më dëmton, ç’rëndësi ka se dëmton aleatët†dhe nuk kupton se kjo të dëmton edhe ty, atëherë jemi ende në kushtet e vitit 2009, 2001 dhe 2005-ës ku PS-ja ëndërron një fitore të vetme. Dallimi i dytë është në të gjitha qëndrimet opozitare; ne vlerësojmë se 12 rekomandimet janë 12 dështimet e qeverisë dhe këtu mjafton të shohim çfarë ka ndodhur pas kthimit të opozitës në Kuvend. Opozita ka lëshuar gjithçka dhe mazhoranca asgjë. Dhe populli nuk ka përfituar asnjë gjë. Të gjitha ato që kërkohen në rekomandime, absolutisht ka vetëm përkeqësim.
Ka gjasa të dilni më vete?
Me këtë apo pa këtë sistem, ne vlerësojmë se duhet një grupim politik brenda opozitës, për një opozitë më të fortë që ka shumë më të qartë nevojën e bashkimit, përfshirë dhe korrektimin e sistemit zgjedhor. Dhe ka shumë më të qartë se roli i opozitës nuk është të bëhet shtojcë e qeverisë, qoftë edhe në emër të presionit ndërkombëtar, nuk është për t’iu nënshtruar këtij realiteti të shëmtuar, por për ta ndryshuar atë. Opozita nuk duhet të jetë e kompleksuar për të thënë se kush janë problemet reale dhe si zgjidhen ato. Në Shqipëri problemi nis dhe mbaron me një përgjegjës: qeverinë.
