24-25 shtator, Tiranë-DEKLARATE PER OPINIONIN PUBLIK

Në fund të takimit të tij të katërt, Rrjeti i Organizatave Shqiptare, i cili është një forum i shoqatave nga Lugina e Preshevës, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria dhe komuniteti çam, miratoi deklaratën e mëposhtme, të drejtuar institucioneve dhe opinionit publik shqiptar 

Ngjarjet e sotme në trevat kombëtare shqiptare nuk janë të shkëputura nga historia e kombit shqiptar, prandaj historia kombëtare e shqiptarëve duhet të jetë një referim për orientimin e politikave të qeverive, forcave politike dhe faktorëve shqiptarë në të gjithë hapësirën shqiptare. RROSH u bën thirrje institucioneve kulturore dhe shkencore shqiptare që të bashkëpunojnë më ngushtë për të ruajtur dhe përcjellë në brezat e rinj të shqiptarëve trashëgiminë, historinë dhe simbolikën kombëtare.

RROSH u bën thirrje forcave politike shqiptare dhe faktorëve shqiptarë në Maqedoni që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të mbrojtur identitetin kombëtar shqiptar, përkundër përpjekjeve sistematike për të fshehur, apo nënvlerësuar praninë historike dhe kulturore autoktone të shqiptarëve në këtë shtet.

Një vëmendje të posaçme qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, si edhe faktorët shqiptarë në Maqedoni duhet t’i kushtojnë ruajtjes dhe forcimit të identitetit kombëtar të bashkësive shqiptare në Luginën e Preshevës, Malin e Zi, si edhe për mbështetjes së çështjes kombëtare çame.

RROSH i bën thirrje diasporës shqiptare që të angazhohet akoma më shumë për avancimin e interesave kombëtare dhe u bën thirrje qeverive dhe faktorëve politikë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, për t’u mundësuar një pjesëmarrje më të madhe të diasporës shqiptare në hapësirën etnike shqiptare në Ballkan.

RROSH bën thirrje për një stimulim të bashkëpunimit ekonomik mbarëshqiptar duke lehtësuar shkëmbimin e mallrave dhe forcimin e sipërmarrjeve shqiptare.

RROSH kërkon nga qeveritë, institucionet, organizatat dhe publiku shqiptar që t’i konsiderojnë me përgjegjësi maksimale proceset e numërimit të popullsisë do të zhvillohen së shpejti në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë. Gjithmonë duke pasur parasysh kontekstet politike dhe specifikimet e këtyre proceseve në vendet përkatëse duhet që proceset e numërimit të popullsisë shqiptare të shprehin gjendjen reale në terren dhe të mos manipulohen në dëm të interesave kombëtare shqiptare.

RROSH konsideron se arsimi i brezave të rinj me gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar është një përparësi për shtetet dhe bashkësitë shqiptare. Për këtë gjë kërkohet hartimi i programeve dhe politikave të njëjta arsimore për shqiptarët kudo ku jetojnë. Gjithashtu nevojitet një kontroll më i madh i autoriteteve shqiptare ndaj themelimit dhe përhapjes së institucioneve arsimore të huaja, veçanërisht i atyre që i japin përparësi mësimit të gjuhëve greke, sllave dhe turke ndaj gjuhës shqipe, që këto institucione arsimore të mos pengojnë dhe minojnë përcjelljen dhe forcimin e identitetit kombëtar shqiptar te nxënësit dhe studentët shqiptarë.

Tiranë, Prishtinë, Shkup

26 shtator 2010

Me respekt,

Lëvizja Qytetare ZGJOHU!

http://www.zgjohu.com.mk

E-mail: info@zgjohu.com.mk

Tel/Fax: +389 (0) 2 2636 240

Rr. Bitpazarska 127

Çarshia e Vjetër

1000 Shkup