Një zjarr i vendosur qëllimisht në ambientet e ish-Ekspozitës rrezikoi punonjësit dhe studiot

Tre muaj pas ngjarjes së 19 janarit, kur ambientet e “Top Channel” u dhunuan, një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në mbrëmje tek ish-ekspozita “Shqipëria sot”, ku ndodhen disa nga studiot e “Top Channel”. Persona që dyshohet se kanë lidhje me ngjarjen e pak muajve më parë u kanë vënë zjarrin disa objekteve në ambientet ngjitur me ekspozitën, duke rrezikuar sërish jetën e punonjësve të televizionit, që ndodheshin brenda ambienteve të saj. Flakët janë vënë re nga një inspektor policie i zonës, i cili po patrullonte aty pranë. Nëse flakët nuk do të ishin zbuluar qysh në fillim, atëherë fare mirë ndërtesa do të ishte gjendur brenda pak minutash nën një zjarr të fuqishëm. Zjarri është fikur shpejt nga zjarrfikësit. Për të kryer ekspertimin e vendngjarjes kanë mbërritur ekspertët e policisë, si dhe drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, Tonin Vocaj.

Policia urdhëroi shoqërimin në komisariat të personave që dyshohen se kanë lidhje me ngjarjen. Kjo ngjarje e rëndë vjen pas një kërcënimi të bërë pak kohë më parë ndaj një subjekti tjetër që ushtron aktivitetin në ambientet e ekspozitës si qiramarrës. Policia bën të ditur se personat e mësipërm kanë bërë kallëzim dhe kanë deklaruar se janë kërcënuar me shkatërrim të objektit nëpërmjet zjarrit apo eksplozivit. Pas verifikimeve paraprake, Drejtoria e Policisë së Tiranës shton se në lidhje me këtë kërcënim janë kryer verifikime ndaj personave të dyshuar dhe çështja i ka kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë së kryeqytetit.

“Top Channel” dënon akte të tilla vandale që rrezikojnë jo vetëm investimet e bëra përgjatë këtyre viteve, por edhe jetët e dhjetëra njerëzve që punojnë në këto ambiente. Për këtë ngjarje të rëndë, “Top Channel” do t’i drejtohet policisë dhe prokurorisë për të zbardhur sa më shpejt autorësinë e këtyre sulmeve që po ndodhin në raste të përsëritura brenda një kohe të shkurtër. Është tepër e rëndë dhe e pafalshme që në mes të Tiranës dhe në orare të populluara, persona të tillë guxojnë të sulmojnë një ambient dhe një pronë ku punojnë një numër i konsiderueshëm punonjësish, duke rrezikuar jetët e tyre. Pavarësisht nëse ky është një institucion i rëndësishëm mediatik si “Top Channel”, apo një objekt çfarëdo i kujtdo qytetari tjetër, sulmi ndaj një prone apo objekti, për më tepër kur është një rast i përsëritur, në mes të kryeqytetit, përbën në çdo kohë një ngjarje të rëndë flagrante, që në çdo shoqëri demokratike dënohet me forcë dhe ndëshkohet sipas ligjit nga shteti dhe drejtësia.