Sulm me bombë në Zubin Potok
29 Prill 2010- Dy sulme me mjete shpërthyese kanë ndodhur natën ndërmjet të mërkurës de të enjtes në veri të Kosovës. Një mjet eksplodues ka shpërthyer në oborrin e stacionit policor në Zubin Potok rreth orës 01:00 pas mesnate. Një mjet tjetër shpërthyes në fshatin Tvrgjane të Leposaviqit, rreth orës 23:50 ka ngritur në erë antenën transmetuese të kompanisë mobile IPKO.
Mjeti eksplodues, granatë dore e llojit “M-75”, prodhim jugosllav që është hedhur në stacionit policor në Zubin Potok ka shkaktuar dëme materiale në xhamat e objektit por askush nga policët nuk është lënduar. Edhe nga shpërthimi me dinamit në transmetuesin e IPKO-s janë shkaktuar dëme materiale por pa viktima në njerëz.
Zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, toger Besim Hoti, ka thënë se ekspertët e njësisë për trajtim të mjeteve eksploduese të Policisë kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe kanë konstatuar se shpërthimi në oborrin e stacionit policor është shkaktuar nga hedhja e një granate dore e prodhimit jugosllav.
Policia është duke zhvilluar hetimet për të zbuluar motivet dhe të dyshuarit e mundshëm të këtij akti kriminal. Zyrtarët policor të stacionit në Zubin Potok, janë duke bërë biseda informative me banorët e zonës përreth vendit të ngjarjes, për të ndihmuar në identifikimin e kryesve të këtij akti kriminal, ka thënë Hoti lidhur me rastin e cilësuar “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Nga ekzaminimet në vendin e shpërthimit që ka dëmtuar antenën e IPKO-s besohet të ketë qenë bombë artizanale, e përbërë nga rreth 200 gram dinamit të llojit Nitroaminat dhe TNT, e iniciuar me fitil ngadalë ndezës
. Të dyshuarit besohet se kanë vendosur mjetin eksplodues mbi kabllot e transmetuesit duke dëmtuar kabllot e sinjalit telefonik si dhe në kontejnerin e pajisjeve digjitale. Ekzaminimi i vendit të shpërthimit është proceduar nga njësitë hetimore të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë.
Rastet janë regjistruar si vepra penale kundër sigurisë së përgjithshme të njerëzve dhe pasurisë, në bazë të nenit 291 “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe të nenit 292 “asgjësimi, dëmtimi ose heqja e instalimeve publike” sipas Kodit Penal të Kosovës. /Zëri/