keshillisigurisesotkeshillisigurisesotDhjetë vjet nga hartimi i dokumentit të fundit të sigurisë kombëtare, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani merr nismën e hartimit të strategjisë së re duke thirrur në tryezë drejtuesit më të lartë të institucioneve.Në tryezën e Presidentit qëndronin Kryeministri Edi Rama në krah të Ministrave Bushati e Tahiri, përballë tij Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe binte në sy se në krah të kryeparlamentarit, ndonëse nuk është anëtar, por ishte ftuar, Presidenca kishte vendosur liderin e opozitës, Lulzim Basha.

E menjëherë pas tij vinin ministra të kabinetit qeveritar, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, kreret e Komisioneve të Sigurisë e Integrimit.

Të gjithë këta u ulën në tryezen e Presidentit të Republikës, që shënon edhe fillimin e punës së institucioneve të vendit për një strategji të re të sigurisë kombëtare.

E kërkuar nga qeveria Rama sapo mori detyrën dhe për të cilën në 2 dhjetor të vitit të shkuar me urdhër të Kryeministrit u ngrit grupi i punës,  strategjia e sigurisë kombëtare, do të përfshijë:

“Mirëfunksionimi i Forcave të Armatosura, ruajtja e rendit, Shërbimi Informativ, masat për ruajtjen nga terrorizmi, lufta kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimit të organizuar, ruajtja e kufijve të vendit, paprekshmëria tokësore dhe detare, kujdesi për ekonominë në tërësi si dhe kujdesi për ruajtjen e burimeve energjitike, bizneseve strategjike, monedhën, shëndetin e shtetasve etj”, deklaroi Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

Duke kërkuar bashkëpunim dhe përafrim këndvështrimesh mes aktorëve dhe faktorëve që do të marrin pjesë në hartimin e legjislacionit, Presidenti gjeti rastin të sqarojë prezencën e kreut të opozitës, një ftesë e shoqëruar me polemika mediatike.

“Për ta bërë sa më të plotë dhe gjithëpërfshirës bashkëpunimin në çështjet e sigurisë kombëtare, në këtë mbledhje të sotme, që nuk ka lidhje me ndonjë rrezik akut, por me procesin e hartimit të një dokumenti që do të shtrijë efektet e tij për dekada të ardhshme, te një dokument që do të orientojë reformat më të rëndësishme të këtij vendi, në funksion të zgjerimit të audiencës tradicionale kam ftuar kryetarin e opozitës, zoti Lulzim Basha. E falenderoj me këtë rast Bashën dhe i them se e mirëpres kontributin e tij në çështjet e sigurisë kombëtare”, tha Nishani.

Në pjesën me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurisë kanë referuar dy ministra të kabinetit qeveritar. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, dikasteri i të cilit drejton procesin e hartimit të strategjisë së sigurisë kombëtare, është fokusuar tek metodologjia që do të ndiqet, afatet dhe detyrat konkrete të cdo institucioni.

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli mësohet se ka referuar mbi zhvillimin  e reformës së ristrukturimit të forcave të armatosura. Në pjesën e lirë të diskutimit Top Channel ka mësuar se ka qenë kryetari i opozitës Lulzim Basha ai që ka marrë fjalën duke përshëndetur dhe mbështetur hartimin e strategjisë së re të sigurisë kombëtare.