image
Iniciativa e deputetëve Abedin Zymberi dhe Daut Rexhepi-Leka për zgjidhjen e statusit të ish luftëtarëve të UÇK-së, në seancën e sotme parlamentare mori edhe mbështetjen e deputetëve të BDI-së prezent në sallë. Nëntë deputetët e kësaj partie votuan pro hapjes së debatit rreth këtij propozimi. Megjithatë votat e tyre dhe 2 votat e propozuesve, nuk ishin të mjaftueshme kundrejt votave “kundër” të partive të bllokut maqedonas.
Propozuesi Zymberi tha se prapëseprapë, pas rrëzimit të iniciativës qëndron ndonjë marrëveshje mes partnerëve të koalicionit qeveritar.
“Sot pra definitivisht ranë maskat e koalicionit qeveritar Gruevski-Ahmeti, ku nuk ishin në gjendje ta votojnë ligjin e propozuar nga unë Abedin Zymberi dhe nga Daut Rexhepi-Leka dhe të mbështetur nga Demokracia e Re, që të zgjidhet statusi i ish-ushtarëve të UÇK-së dhe të familjarëve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe të civilëve të rënë gjatë konfliktit të vitit 2001. Sot jam shumë i brengosur dhe i shqetësuar nga ajo se së paku deputetët shqiptarë nuk patën mundësinë dhe nuk gjetën vullnetin së paku të debatojnë rreth këtij ligji ose të japin kontributin e tyre”, deklaroi Abedin Zymberi, deputet i DR-së. 
Nga BDI-ja shprehen se nuk janë kundër ligjit që do të zgjidhte statusin e ish luftëtarëve të UÇK-së, megjithatë shprehen të vetëdijshëm se një gjë e tillë nuk mund të realizohet vetëm me votat e shqiptarëve.
“BDI-ja gjithmonë ka qenë pro sjelljes së një Ligji apo pro zgjidhjes së statusit të invalidëve të luftës dhe atyre që humbën më të afërmit e tyre, kështu që nuk diskutohet a jemi për sjellje të një ligji apo jo, por, gjithsesi që për të sjellë një ligj nevojitet edhe përkrahja e partnerit të koalicionit por edhe e subjekteve tjera të cilat janë në parlamentin e Maqedonisë. Votat e shqiptarëve në Kuvend janë këto që janë, gjithsesi se sikur ti kishim 61 votë gjithsesi se ai ligj që moti do të ishte sjellë”, deklaroi Rafiz Haliti, deputet i BDI-së.
Propozuesit paralajmëruan se nuk do të ndalen këtu, por do të kërkojnë forma të tjera për të arritur që ta fusin në procedurë parlamentare këtë propozim/ligj. Sipas Kushtetutës atyre nuk u mbetet rrugë tjetër përveç mbledhjes së 10 000 mijë nënshkrimeve nga qytetarët.

Bedri Rexhallari