Sistemi nuk valorizoi individin por antivlerat
Çdo mal e din barrën e vet, thotë një proverb popullor. Çdokush peshon në kandarin e vet, është pokështu një proverb tjetër. Ashtu është dhe topi nuk e luan. Në këtë vijë do të shtoj: çdo sistem ka rregullat dhe vlerat e veta që përpiqet ti promovojë si më të qëndrueshme. Sistemi politik që formalisht e flakëm këtu e 20 vjet më parë, në epiqendër kishte ndërtimin e shoqërisë me vlera të unifikuara dhe të përshtatura kolektivitetit. Pra, vlerat që prodhoheshin duheshe të reflektojnë të mirën e përgjithshme të përcaktuar nga një qendër që “përkujdesej” për gjithçka. Edhe për nevojat e shtetit, edhe për nevojat e individëve, sepse në fund të fundit individët e përbëjnë shtetin. Por, në çfarë raporti qëndronte shteti me individin? Në raport kundërshtues. Pse? Sepse roli i individit ishte krejtësisht i margjinalizuar. Individi ishte i tjetërsuar dhe si rrjedhojë afinitetet e tij krijuese ishin skajshmërisht të kontrolluara dhe orientuara. Roli, kreacioni, aftësia e tij individuale intelektuale pothuajse ishte e pamundur të vij në shprehje. Pra, ishte një sistem i cili e ngulfate si krijimtarinë ashtu dhe aftësitë individuale të njeriut.
Pikërisht kjo, dhe për këtë, vet sistemi nuk produkonte begati dhe vlera të mirëfillta intelektuale. Ishte i pasuksesshëm, andaj edhe dihej se nuk do të mund ti qëndrojë kohës. Koha e bëri të veten. Përplasja ndodhi dhe kolektivja shkoi në histori për tu vendos sistemi i ri që për bazë ka dominimin e rregullave ku vijnë në shprehje vlerat individuale. Ky dallim esencial ndërmjet njërit dhe sistemit tjetër, ndryshon si për nga forma ashtu edhe nga përmbajtja. Mënyra pluraliste dhe transparente e vendosjes janë të njohura dhe me dallime të parëndësishme, sëpaku në aspektin formal. Në përmbajtje sistemi i ri hap shtigje të pakufizuara për dëshmimi e individit në çfarëdolloj lëmie. Kjo paraqet fitoren më të madhe të qytetarëve dhe realizimin e të drejtave dhe lirive themelore për zhvillim të papengueshëm.
Duke bë inventurën e veprimit 20 vjeçar në sistemin e preferuar do të konstatojmë se zhvillimi i përgjithshëm, për fat të keq, nuk i ka prodhuar efektet e pritura dhe të duhura. Me këtë rast janë evidente kthesa të dukshme të aspektit formal, pavarësisht se edhe aty nuk mund të shprehim ndonjë kënaqësi të theksuar. Abuzimet e shumta me zgjedhjet janë të mjaftueshme për të thënë se ngecje hetohen edhe në anën formale të ndërtimit të sistemit të ri.
Megjithatë, me interes të veçantë është ajo që reflektohet në anën përmbajtjesore të këtij sistemi. Sa kemi arritur ta ndryshojmë, përmirësojmë dhe zhvillojmë brendinë e sistemit? Sa është flakur kolektivja si bartëse e zhvillimit të sistemit të vjetër? Sa ka zënë vend individualja si bartëse e zhvillimit të sistemit të tanishëm, të ri?
Dilemat e shtruara vetvetiu bëhen reale nëse përqafojmë mendimin e përgjithshëm se, pavarësisht nga arsyet e mundshme, individi dhe kreacioni i tij, në shoqërinë e sotme për asnjë çast nuk shihet se është ndryshe nga sistemi i vjetër. Është fakt se tani pushteti drejtpërdrejt nuk e pengon, nuk e ngulfat krijimtarinë, por është pokështu fakt se, për fat të keq, pushteti i sotëm edhe nuk bën asgjë për të ndihmuar atë. Bën çka të duash, nuk mund të ndihmojmë, nuk ka fonde, nuk ka pozicione buxhetore për atë që dëshiron të bësh ti, etj, etj, arsyetime të ngjashme. Kjo është përgjigje e zakonshme e nomenklaturave politike të sistemit të ri. Po pse kështu, pse është kjo gjendje?
Ka dy dekada që ne jetojmë me hamendje ndërmjet të kaluarës dhe të tashmes, dhe me shpresa për të ardhmen. Dhe plotësisht kemi të drejt sepse tani skajshmërisht janë devalvuar dhe rrënuar vlerat posaçërisht ato intelektuale. Po as që ka mundur të pritet diçka tjetër nëse në forumet e ndryshme, në veçanti ato politike, zgjidhen dhe emërohen individë pa kurrfarë kredibiliteti. Njerëz pa kurrfarë identiteti. Të tillët, e ditur qoftë, e mbrojnë dhe ndihmojnë atë me të cilën identifikohen vet. Janë të paditur, të paemancipuar, të paqytetëruar por kanë fuqi vendosëse. Vendosin për vlerat duke krijuar vlera të reja, të paqëndrueshme të çoroditura. Kështu vlerat e përhershme intelektuale: artistike, letrare, shkencore, profesionale, politike, morale, njerëzore dalëngadalë zëvendësohen me: hajni, rrugaçëri, përtacëri, mashtrime, vjedhje, gënjeshtra, arrogancë, kërcënime, dhunë psikologjike, dhunë fizike. Në të gjitha nivelet dominon dhe përhapet injoranca dhe mediokriteti. Dominon abuzimi me njerëzit, me mjetet tona materiale, me vlerat e përgjithshme. Zhvillohet betejë e fuqishme ndërmjet dy skajshmërive: vlerave dhe antivlerave. Antivlerat janë më ta fuqishme sepse kanë shtrirje më të gjerë, sepse i kanë në dorë të gjitha mjetet, edhe ato propagandistike, të shushuritjes vesh më vesh. Të etiketimeve primitive, të qëllimshme, për të dërmuar kundërshtarët, planprishësit që në heshtje, nën zhurmën e batakçinjve, lexojnë dhe mundohen të krijojnë diçka që do tu shërbejë edhe fëmijëve të dallkaukëve. Pasqyrimin e kësaj gjendjeje të mjerë, që mëton të shtrihet gjithandej, duhet bë më të hapët, duhet konkretizuar nëpërmjet një analizë të gjerë e përmbajtjesore. Ajo është e tmerrshme, trishtuese sepse sistemi i ri nuk e valorizoi individin e nëpërkëmbur. Përkundrazi krijoi jo sistem por individë që nëpërkëmbin. Prandaj, tashmë faji nuk qëndron te sistemi, por te individi, te ne të gjithë.
Në të gjitha nivelet dominon dhe përhapet injoranca dhe mediokriteti. Dominon abuzimi me njerëzit, me mjetet tona materiale, me vlerat e përgjithshme. Zhvillohet betejë e fuqishme ndërmjet dy skajshmërive: vlerave dhe antivlerave. Antivlerat janë më ta fuqishme sepse kanë shtrirje më të gjerë, sepse i kanë në dorë të gjitha mjetet, edhe ato propagandistike, të shushuritjes vesh më vesh. Të etiketimeve primitive, të qëllimshme, për të dërmuar kundërshtarët, planprishësit që në heshtje, nën zhurmën e batakçinjve, lexojnë dhe mundohen të krijojnë diçka që do tu shërbejë edhe fëmijëve të dallkaukëve.