Shujni-shujni se po fle zv.kryeministri!
Ismail SINANI
Ju lutem që edhe kur ta lexoni këtë copë letër, mos bëni zhurmë sepse zv.kryeministri është në gjumë dhe nuk bën t’ia prishim rehatinë! Lexojeni me zë të ulët, mundësisht në ndonjë skutë dhe pa zhurmë! Nëse e lexoni në gazetë, kujdes kur t’i shfletoni faqet, nëse e lexoni në internet, kujdes me tastierën se ndoshta del ndonjë zë qoftë edhe i vogël!!!
E fillova me gjithë këtë ironi, lexues i nderuar, kur shoh se çfarë i bën bossi qeveritar (VMRO DPMNE) BDI-së. E fillova në këtë mënyrë, i shtyrë nga inati dhe mllefi kur shoh se si sot disa bilmezë të mbledhur anekënd Maqedonisë, i kanë vënë shqiptarët në shina, pikërisht si para luftës së vitit 2001… E fillova kështu i shqetësuar për fatin e popullit tim dhe natyrisht edhe tuajin…
I revoltuar nga lajmi për punësimin e edhe të disa qindrave maqedonasve brenda natës, vendosa që kësaj radhe të shkruaj letër publike, me shpresë se ndoshta kjo do të prekë në ndërgjegjen e dikujt. Natyrisht të gjithë ata që nuk e dinë, t’i rikujtoj se ky shpërthim i revoltës sime ndërlidhet me punësimin e 300 maqedonasve në Ministrinë e Bujqësisë, 70 maqedonasve në Ministrinë e Punëve të Jashtme, 140 maqedonasve në Hekurudhat e Maqedonisë, 160 maqedonasve në ELEM, dhe… edhe të disa qindra maqedonasve të tjerë nëpër institucionet tjera publike. Ironia e këtyre shifrave është se e gjithë kjo bëhet në kohën kur ne kemi një zv.kryeministër për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, e gjithë kjo bëhet kur edhe me Kushtetutë thuhet se përfaqësimi i bashkësive etnike (Lexo shqiptarët) duhet të jetë adekuat dhe i drejtë.
Dhe tani pyes publikisht: A nuk është mëkat të fitosh luftën e të humbasësh paqen?! A nuk është mëkat për ata djem që me muaj të tërë qëndruan nëpër male, e dikush sot të tallet me mundin e tyre?! A nuk është mëkat, për ato nëna që dhanë djemtë e tyre dëshmorë, për ato gra që mbeten pa burra për ato fëmijë që mbetën jetimë?!
O zv.kryeministër! A nuk është mëkat për ata fshatarë që flijuan pasurinë e tyre me shpresë se një ditë do të kenë një jetë me dinjitet më të madh?! A nuk është mëkat për ata njerëz që gjithë jetën do t’i bartin plagët e luftës në trupin e tyre?! A nuk është mëkat për të gjithë ne, që fuqimisht mbështetëm luftën?! A nuk është mëkat që pas gjithë këtyre që i numërova, dikush që nuk ka as identitet të qartë kombëtar, të dalë dhe përsëri të na ofendojë përmes Enciklopedisë?! A nuk ishe ti pikërisht ai që jepte garanci se kurrë më ne shqiptarët nuk do të fyhemi në atë mënyrë në Enciklopedi?! A nuk është mëkat që me një ndërgjegje kaq të papastër, ti me shokët tu të partisë, të shkoni dhe të përuleni para varreve të dëshmorëve dhe t’u thoni se amanetin e keni çuar në vend?! A nuk është mëkat që edhe dëshmorët t’i gënjeni, kur dihet se amaneti i tyre tanimë ka shkuar në prehër të Gruevskit?! Si more zv.kryeministër qëndron në atë kolltuk? Kush ta jep ty të drejtën që përmes teje Gruevski të tallet me të gjithë ne dhe të mendojë se të gjithë ne të jemi rreshtuar pas dhe të themi amin për çdo dështim tëndin?! Si more zv.kryeministër për (mos) implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, tallesh me ne shqiptarët e gjallë se po bën punësime…
Dhe, hajde tani mos thuaj se Marrëveshja e Ohrit nuk ka vdekur. Le të më falim të gjithë, edhe ndërkombëtarët, se ai dokument është bërë më një leckë. Ai dokument, është bërë një paçavure, që unë më nuk e njoh dhe as që dua ta njoh. Ai dokument, të gjithë që i ka marrë malli për të, le marrin e le ta fusin në kornizë dhe le ta ngjisin në mur. Unë gjithsesi se jo, sepse ai më nuk është valid për shqiptarët, të paktën jo për ata si puna ime… E them kështu sepse ai dokument që ua shpëtoi maqedonasve shtetin, sot po keqpërdoret kundër nesh. Po keqpërdoret pikërisht nga ata që vetëm falë vullnetit tonë të mirë, sot, në shekullin 21, figurojnë në hartën gjeografike të botës.
Natyrisht, siç e fillova këtë letër, ashtu edhe do ta mbaroj. E di se kot kam shkruar, sepse derisa dikush nga ju e lexon, ku ta dish se ku e ka zënë gjumi zv.kryeministrin tonë!
P.S. 1) Këtë letër është mirë ta lexojë edhe shefi i zv.kryeministrit, Ali Ahmeti, sepse pikërisht ai duhet t’u thotë NDAL këtyre dështimeve. Mjaft më me lëshime pe!
P.S. 2) E di se lideri i zv.kryeministrit në vete do të thotë se “ne i kemi shndërruar kazermat e JNA-së në universitete, se kemi hapur Muzeun e Lirisë në Shkup, se kemi vendosur tre buste shqiptare në mes të Shkupit, se kemi shënuar dhe vazhdojnë të shënojnë Ditën e Alfabetit në Manastir…” Bukur, vërtetë bukur… kjo është për t’u përshëndetur. Ama mos të harrojmë se Gruevski, vetëm për një bust harxhon më shumë mjete se i gjithë fondi i Universitetit Shtetëror të Tetovës. Apo thënë më troç, Gruevski vetëm për vlerat pan-sllaviste harxhon mbi 200 milion euro. Besoj se shifrat flasin vetë.
P.S. 3) Të gjithë ata zv/kryeministra që kanë qenë pas 2001-shit e këndej, mos të zgërdhihen kur ta lexojnë këtë letër, sepse edhe ata nuk kanë qenë aspak më të mirë!
(Autori është gazetar dhe kolumnist i rregullt në gazetën LAJM)