pedofilNjë skandal i ri pedofil-Vud bëri vetëvrasje pak ditë pas paraqitjes në gjyq-Sajmën Vud ishte paraqitur disa herë nga të tjerët, por gjithmonë ia kishte dalë të shpëtonte. Deri tani janë zbuluar 15 viktima të tij, por dyshohet se ka me qindra sosh

Në një seri skandalesh të pedofilisë, që gjatë muajve të fundit e kanë tronditur Britaninë, të iniciuar nga zbulimi i sjelljes skandaloze të udhëheqësit të ndjerë të TV-së, Xhimi Savil, skandali i fundit paraqet njërin ndër shembujt më tronditës. Britaniku Sajmën Vud ishte pilot, i cili udhëtimet e tij, uniformën dhe punën në shoqatat bamirëse i shfrytëzonte për të shfrytëzuar seksualisht vajzat në disa nga vendet më të varfra në botë. Pasi filluan hetimet, gjë që ndodhi pas dëshmimit të një vajze të mitur nga Kenia, Vud bëri vetëvrasje duke u hedhur nën rrotat e trenit, vetëm pak ditë pas paraqitjes në gjyq, ku iu bënë të ditura akuzat.

Fluturimi i fundit

Si pilot i Kompanisë prestigjioze “British Airways”, Vud nuk përtonte që të bënte edhe udhëtime jo aq të pëlqyera për kolegët e tij në kontinentin e Afrikës ku, nën maskën e aktiviteteve bamirëse, kishte qasje ndaj qindra vajzave të reja. Viktimat, që kryesisht ishin vajzat e moshës nga 5 deri 11 vjet, Vud i mashtronte me lodra, para, apo ushqim, duke i dërguar në hotele me pesë yje, ku “British Airways” i vendos punëtorët e vet. Gjashtëmbëdhjetë vjet zgjati karriera e Sajmën Vudit si pilot. Për një kohë të gjatë Sajmën ia kishte dalë që të mos zbulohej. Ndoshta ai do të vazhdonte ashtu edhe më gjatë, sikur një shkollë e Kenisë të mos e kishte bërë publik dyshimin rreth sjelljes së Vudit me vajzat. Më pas, “British Airways” e paraqiti rastin në polici. Kah mesi i prillit, Policia britanike e priti Vudin në Aeroportin “Heathrow”. Ishte ky fluturimi i tij i fundit dhe mundësia e fundit që ta shkatërronte jetën e ndonjë vajze, sikur që ia kishte shkatërruar vajzës nga Kenia, e cila tani ka 14 vjet dhe të cilën Vud e kishte dhunuar kur kishte pasur vetëm 5 vjet. Ajo kurrë nuk e ka marrë veten pas asaj ngjarjeje. Autoritetet keniase tanimë kanë identifikuar të paktën 15 vajza, të cilat Vud i ka shfrytëzuar seksualisht, por kanë frikë se numri i tyre mund të jetë shumë më i madh. Policia britanike ka gjetur në kompjuterin e Vudit një seri fotografish eksplicite të viktimave të tij të mitura. Ajo që është më e keqja, sjellja e sëmurë e Vudit nuk ka qenë plotësisht e panjohur.

Ishte lëshuar në liri

Kolegët e kishin paraqitur disa herë Vudin për shkak të sjelljes së pahijshme në kampet e bamirësisë në Afrikë, por më pas ai i kishte akuzuar ata për vjedhjen e mallrave humanitare, për të mbetur vet i pandëshkuar. Por, në vitin 2000, gjatë një udhëtimi bamirës në Jorkshajër, Vud ishte arrestuar për shkak të dyshimeve se kishte ngacmuar një vajzë tetëvjeçare. Për shkak të punës së keqe të policisë, e cila kishte konstatuar se nuk kishte dëshmi, Vud ishte liruar. Dy vjet më vonë, Vud gjendej në mesin e 20 veprimtarëve të “British Airways”-it që, si vullnetarë, e kishin kaluar pushimin e Kërshëndellave me rininë e Kenisë. Me atë rast, në një intervistë për Agjencinë britanike të lajmeve, “Press Association”, Vuds kishte thënë: – Luajmë, këndojmë, organizojmë aktivitete dhe i argëtojmë. Jemi shumë të afërt me fëmijët. “British Airways” është duke zhvilluar hetime të ndara, por në të njëjtën kohë është duke bashkëpunuar ngushtë me “Scotland Yard”-in. Supozohet se akuzat kundër kësaj kompanie do ta kapin shifrën prej disa milionësh. Kompania në fjalë insiston se, për herë të parë, kanë pasur dyshime rreth sjelljes së Vudit pas marrjes së një letre anonime, këtë verë.

Kompania, e tmerruar

 

“Kemi qenë të tronditur dhe të tmerruar kur kemi marrë vesh për aktivitetet pedofile të pilotit Vud. Të gjithë punëtorët tanë vërtetohen që të mos kenë qenë ndonjëherë të dënuar. Do të ishim të tmerruar sikur ta dinim se punëtori ynë shfrytëzon aktivitetet tona të bamirësisë për të eksploatuar fëmijët, të cilët besonin se ai ishte duke iu ndihmuar, thuhet në deklaratën e avio-kompanisë. Një zyrë britanike e avokatëve është duke përfaqësuar disa viktima të Vudit nga Kenia dhe Uganda.

15

vajza të cilat Vud i ka shfrytëzuar seksualisht, janë identifikuar nga autoritetet keniase.