Shqiptarëve u duhet politikë shumë më dinamike
Këtë javë, tashmë më në qetësi, do ta pranojnë njoftimin zyrtar edhe për një dështim të ambicieve njëzetvjeçare për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Vendimi negativ për nismën e negociatave për anëtarësim në BE ende nuk është formuluar, edhe pse përmbajtja globale e tij dihet. Kështu, deri në nëntor vendi ynë do të mbushë plot 5 vjet nga koha kur u caktua statusit i vendit kandidat. Kaq shumë pritje për kalim prej njërit në statusin tjetër ka përjetuar vetëm Turqia, si shtet ndaj të cilit, për shumë arsye, të njohura e të panjohura, nuk shikohet me simpati të njëjta nga disa shtete evropiane që janë me ndikim të theksuar në këtë organizatë.
Shkaqet themelore pse kjo ndodh me Republikën e Maqedonisë janë të njohura dhe kanë të bëjnë me emrin e shtetit, i cili kontestohet nga fqinji jugor-Greqia. Pa u zgjidhur kjo mosmarrëveshje, rruga drejt Evropës duket se është e pamundur. Për këtë janë të vetëdijshëm të gjithë politikëbërësit, jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë, posaçërisht burokracia e BE-së dhe zyrtarët e ndryshëm – jo vetëm evropianë. Pa dashur të merrem me shkaqet pse nuk gjendet zgjidhja e mosmarrëveshjes, dua të theksoj se një pjesë i fajit, ose e dështimit, sado të vogël, në gjithë këtë, mbajnë edhe subjektet politike shqiptare. Këtë hise të fajit ato nuk mund ta justifikojnë me arsyet e ndryshme të (pa)qëndrueshme se bëhet fjalë për një çështje mjaft të ndjeshme për popullatën maqedonase dhe se barra kryesore për këtë u takon atyre. Po, ashtu është. Barrën kryesore duhet ta mbajnë ata, po çka të bëhet me atë pjesë të barrës që na takon neve si qytetarë të këtij shteti dhe subjekteve politike shqiptare, të cilat, siç dihet, eurointegrimet i kanë në maje të gjuhës dhe këtë sllogan e përsërisin si shehadet.
Partitë politike shqiptare, pa përjashtim, mbarë aktivitetin e vet, edhe gjatë fushatave parazgjedhore, integrimet evropiane i vendosin ndër përparësitë dhe interesat madhore. Anëtarësimi i vendit në NATO ka qenë dhe mbetet dëshirë e madhe e të gjithë shqiptarëve të këtushëm. Fillimi i negociatave me BE-në dhe anëtarësimi në të po kështu është pa alternativë. Gjatë fushatës së dy cikleve të fundit të zgjedhjeve ndër shqiptarë kryesisht kanë dominuar vetëm dy tema: integrimet euroatllantike dhe implementimi i Marrëveshjes së Ohrit. Por, tashmë po kalojnë katër vjet shterpë, në të cilat pushtetin ekzekutiv e kanë ushtruar edhe partitë politike shqiptare. Gjatë kësaj kohe, që të tre përfaqësuesit aktualë politikë partiakë shqiptarë: Ali Ahmeti, Menduh Thaçi dhe Imer Selmani, janë zier në kazanin e integrimeve prej të cilit ende nuk ka dalë kurrfarë prodhimi për konsumim. Madje, Imer Selmani ishte i vetmi politikan shqiptar, i cili pelinin e dështimit e shijoi i pari, qysh në Bukuresht. Për katër vjet me radhë vendit nuk po i caktohet datë për fillimin e bisedimeve. Në këtë interval kohor në pushtet qëndruan të dy partitë shqiptare. Angazhimi i tyre, në këtë drejtim, u pa edhe si në pozitë, si në opozitë. Derisa Ali Ahmeti nga opozita synonte të lëvizte lokomotivën e VMRO-DPMNE-së drejt Evropës, tani duke qenë në pozitë, ka hip në vagon dhe pret të niset treni. Por, si duket lokomotiva tashmë gjendet në binarë të gabuar. Kontingjenti tjetër, rezervë, politik shqiptar vetëm po alarmon se lokomotiva gjendet në binarë të gabuar e asgjë më shumë. Opozita maqedonase nuk po e merr guximin për të nxjerrë lokomotivën në binarë të drejtë, nga frika se ajo mund t’i eksplodojë dhe të shkatërroj vetë opozitën.
Por, pavarësisht nga ky realitet, gjendja fillon seriozisht të bëhet brengosëse. Jo për shkak se mund të shkaktohet ndonjë krizë e madhe e sigurisë, por për vetë faktin se ne kemi krizë të mjaftueshme dhe ajo nuk po zgjidhet. Përkundrazi. Të gjithë votuesit, posaçërisht ata shqiptarë, tashmë u lodhën duke pritur jetë, standard më të mirë. Ata presin jetësimin e premtimeve. Atyre pak u intereson përcaktimi dhe veprimi i VMRO-së. Përgjegjësinë për këtë situatë shqiptarët e kërkojnë nga strukturat politike që i kanë votuar. Amnisti për këtë nuk mund të kërkojnë deputetët që nuk shkojnë në Parlament, sepse kështu fitohet përshtypja se atyre madje nuk ju intereson fare kjo çështje. Kjo është një papërgjegjësi institucionale. Para një viti, Imer Selmani thuajse ra në trans nga kënaqësia se grumbulloi shumë vota dhe çka bën tash. I thërret shqiptarët të bashkohen për të lëvizur lokomotivën e vendosur në binarë të gabuar. Ndërkaq, fare pak dhe me shumë kujdes Gruevskit i sinjalizon se lokomotiva gjendet në binarë të gabuar.
Ekziston një bindje që duket edhe e qëndrueshme se Ali Ahmeti është i vetmi politikan në Maqedoni që ka mbështetjen ndërkombëtare. Kjo gjë është për t’u përshëndetur, sepse pa ndihmën e tyre vështirë të arrihet diçka, posaçërisht për ne shqiptarët që tashmë haptazi pranojmë se nuk kemi kapacitete vetjake për të bë diçka të mirë për veten tonë, por këtë e presim prej të tjerëve. Fatkeqësisht, kjo gjendje është edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Dhe kjo është pasqyra jonë reale.
Në kontekst të mbështetjes së Ali Ahmetit, duhet theksuar se ajo do të duhet të rezultojë me efekte të kapshme që do të shkojnë në favor të votuesve tradicionalë dhe të ardhshëm të tij. Ndryshe, mbështetja sa për sy e faqe është e padobishme. Madje, prej saj mund të lindin edhe vështirësi të tjera, plotësuese, të cilat nga dremitja e Ali Ahmetit dhe shqiptarëve, vendin mund ta shndërrojnë në vilajet të mjerimit. Atëherë do të jetë e kotë, si mbështetja e ndërkombëtarëve, si ruajtja me e qetësisë, për të cilën si shqiptarë nuk po shpërblehemi as nga ndërkombëtarët as nga përfaqësuesit e pushtetit faktik në Maqedoni.
Shqiptarëve tani e tutje u nevojitet politikë më e angazhuar, konstruktive, inventive, shumë më dinamike dhe gjithëpërfshirëse. Këtë e kërkon koha, e kërkon nevoja e domosdoshme për të ndërtuar ardhmërinë. Këtë e kërkojmë ne të gjithë, si votuesit ashtu edhe zgjedhësit shqiptarë. E kërkojmë prej atyre që janë zgjedhur. Këto janë kërkesat pa alternativa. Në të kundërtën, do të kërkohen por edhe do të gjenden alternativa tjera, sepse jeta dhe zhvillimi janë një proces.
Ne shqiptarët tashmë haptazi pranojmë se nuk kemi kapacitete vetjake për të bërë diçka të mirë për veten tonë, por këtë e presim prej të tjerëve. Fatkeqësisht, kjo gjendje është edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Dhe kjo është pasqyra jonë reale.