image

Paralajmërimet e ALSAT M për diskriminimin e shqiptarëve në polici, gjegjësisht në Sektorin e Punëve të Brendshme të Shkupit, kanë detyruar partnerët e koalicionit qeveritar VMRO-BDI të ulen dhe të shqyrtojnë mundësinë e zgjidhjes së këtij problemi. Sekretari i përgjithshëm i BDI-së Abdylaqim Ademi për ALSAT M, konfirmoi se kanë pasur takime por mohon të ketë mosmarrëveshje me partnerët e koalicionit.  Por as këto takime deri më tani nuk kanë dhënë ndonjë rezultat në tejkalimin e situatës sa i përket marrjes së posteve drejtuese një SPB e Shkupit. “Sigurisht se për këtë jemi takuar dhe do të takohemi edhe në të ardhmen deri sa të arrijmë një zgjidhje që është e pranueshme për të gjithë dhe zgjidhje e cila në rend të parë ne duam që kjo të jetë transparente”, tha Abdylaqim Ademi, sekretar i përgjithshëm i BDI-së. Pavarësisht kësaj Ademi është optimist dhe thotë se situata e këtillë do të tejkalohet në biseda të nivelit të lartë midis partnerëve të koalicionit. Kur dhe si as ai vetë nuk e di. “Ne nuk do të duhet të detektojmë sektor të veçantë ose nuk duhet që gjithë çështjen e avancimit të shqiptarëve ta lëmë në dorë të një, qoftë ai udhëheqës sektori apo kryeshef i policisë për sektorin e Punëve të Brendshme të Shkupit, por kjo duhet të bëhet në nivele më të larta. Mund të jetë gabimi edhe tek qasja e brendshme, mund të jetë gabimi edhe tek sistematizimi i krijuar ku  mund të vendosen edhe kushtet të cilat mund të jenë edhe barrierë për avancimin e shqiptarëve, por mendoj se kjo mund të tejkalohet nëse konstatohet një gjë e tillë, kjo mund të tejkalohet sepse nuk ka asgjë të pa tejkalueshme kur bëhet fjalë për avancimin ose kategorinë kushtetuese që është përfaqësimi i drejtë dhe adekuat”, tha Abdylaqim Ademi,  sekretar i përgjithshëm i BDI-së.Edhe pse thotë se çështja e avancimeve duhet të bisedohet në nivel të lartë politik , sekretari i përgjithshëm i BDI-së Abdylaqim  Ademi megjithatë shprehet kondratiktor në deklaratën për Alsat M . Policia nuk duhet politizuar thotë ai edhe pse për avancimet e fundit në SPB pikërisht ai vetë udhëheq grupin negocues të BDI-së me partnerët e Koalicionit, gjegjësisht ministren e brendshme Gordana Jankullovska dhe shefin e kabinetit të kryeministrit Nikolla Gruevski Martin Protuger. “Konsiderojmë se MPB dhe policia nuk duhet të jenë shumë të politizuara dhe të ndikuara nga subjektet politike, por aty duhet të mbizotërojë profesionalizmi në radhë të parë dhe plotësimi i kritereve të posaçme që kërkohen edhe në bazë të ligjit dhe përvojave ndërkombëtare dhe në bazë të marrëveshjes për koalicion dhe bisedimeve dhe nevojave që kemi si shqiptarë për të pasur avancime në MPB”, tha Abdylaqim Ademi,  sekretar i përgjithshëm i BDI-së. Alsat M hapi këtë temë lidhur me pozitën e shqiptarëve në SPB-në e Shkupit, e cila paraqitet me sa vijon: Kryeshefi i SPB-së në Shkup ka katër ndihmës, prej të cilëve vetëm një është shqiptarë, ndërsa gjithashtu SPB-ja ndahet në 8 njësi në të cilat vetëm një është shqiptar dhe 18 seksione, ku nuk ka asnjë shqiptar.