Shqiptarët të dëshpëruar nga partitë
Shqiptarët në Maqedoni shprehen plotësisht të pakënaqur nga partia politike shqiptare në pushtet por edhe nga ato në opozitë Qytetarët që anketuam në Shkup dhe Tetovë, akuzojnë politikanët se punojnë vetëm për interesat e tyre personale dhe aspak për zgjidhjen e problemeve të tyre. “Jo hiq s’jemi të kënaqur, pse të jemi të kënaqur krejt papunësi kemi mbetur askund. Veç për interesat e veta shikojnë, vetëm për interesat e veta dhe ata çka janë afër tyre, ndërsa për popullin nuk mendojnë hiç, dhe nuk jemi të kënaqur aspak“, tha një qytetar.
“Partia si parti, si subjekt politik nuk i realizon ato që duhet t’i realizojë. Psh. Tangimi dhe interesi kryesor i shqiptarëve të Maqedonisë është të drejtat e vendosjes dhe të drejtat në buxhet. Këto të drejta për fat të keq neve nuk na mundësohen”, u shpreh një qytetar. “Jo, jo nuk jemi të kënaqur, populli i thjesht nuk ka dobi aspak prej tyre. Ata punojnë për vete por për popull jo”, tha një qytetar. “Jo…qe çka që po ndodhin këto punë, nuk dolën me e përkrah miletin”, tha një qytetar. “Prej partive nuk jemi të kënaqur hiq”, tha një qytetar. “Për pikat e përbashkëta këta duhet të kenë platformë të përbashkët, por nuk them që të bashkohen si subjekt një, sepse atëherë bie poshtë lufta demokratike e ideve”, u shpreh një qytetar. Ndërkaq qytetarët shprehen të ndarë rreth mundësive për kapërcimin e pakënaqësive të tyre.
Ndërsa një pjesë e tyre vlerësojnë se zgjidhja e vetme më e mirë do të ishte bashkimi i partive shqiptare, pjesa tjetër shprehen pesimist nga çfarëdo lloj organizimi politik të partive shqiptare. “Edhe bashkim edhe një agresivitet ka nevojë, të tregojnë shqiptarët ndaj atyre nga shkaku se nuk përfillen. Për opsion të ri nuk ka nevojë, se ata edhe ashtu nuk do ët mund të depërtojnë, por këto që janë të bashkohen të formojnë një platformë të përbashkët, ma merr mendja se me një mençuri mund t’ia dalin ballë”, tha një qytetar. ‘Po u bë bashkimi i partive është tmerr, por edhe kështu është tmerr’, tha një qytetar. ‘Edhe me u bashku populli nuk ka fitim populli, edhe të tjera me u kriju nuk kemi fitim ne, për popullin nuk mendon askush’, tha një qytetar. ‘Ma mirë është të bashkohen opozita shqiptare të bëhen të gjithë bashkë atëherë do të ketë përparësi. Ama këto secili shikojnë për fotelen e tyre, t’i mbushin xhepat e vet’ u shpre një qytetar. Ndonëse partitë politike maqedonase tashmë kanë filluar aktivitet në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale, tek partitë shqiptare akoma nuk shihet ndonjë lëvizja në këtë drejtim. Iniciativa e vetme ditët e fundit erdhi nga kreu i RDK-së Rufi Osmani, i cili shprehu gatishmëri për formim e një fronti të tretë opozitar shqiptar. Semra Jakupi