Ibadete AJRULLAU

Shkup, 29 shtator – Dy dekadat e veprimit të partive shqiptare në pluralizëm politik, nuk i kanë dhënë rezultatet e pritura në përmirësimin e statusit shoqëror të shqiptarëve. Protagonistë të politikës së viteve nëntëdhjeta, analistë politik si dhe përfaqësues të sektorit jopolitik, vlerësojnë se shikuar nga kjo distancë jo e afërt kohore, problemet jo që nuk janë zgjidhur, madje në disa sfera edhe janë përkeqësuar dukshëm. Sipas tyre, për jetësimin e programeve partiake dhe premtimeve, subjektet politike shqiptare provuan bojkotin parlamentar, protestat, koalicionet e natyrshme e të panatyrshme qeveritare, bashkëqeverisjen me ose pa platformë të hartuar ose të përbashkët me bartësin e mandatit qeveritarë nga partitë maqedonase. Megjithatë, njohësit vlerësojnë se nuk është avancuar statusi i shqiptarëve edhe pas konfliktit të vitit 2001 dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke e përmendur si shteg të vetëm metodën e pa provuar deri më tani, atë të padëgjueshmërisë qytetare.

“Kjo klasë politike definitivisht ka dështuar, të gjithë duhet të shkojnë në haresë, sepse 20 vite vepruan e nuk e zgjidhën asnjë problem, fatin në duart e veta duhet ta marrin vet qytetarët dhe organizimi i tyre në një lëvizje. Duke marrë parasysh përfaqësimin e nivelit tonë intelektual e profesional jo të mirë që nga pushteti lokal, legjislativ dhe ekzekutiv, kemi arritur në një qorr sokak që nuk i shihet fundi askund. E vetmja zgjidhje nga kjo amulli dhe dështimet e njëpasnjëshme do të kishte qenë organizimi i sektorit joqeveritarë në një lëvizje mbarë popullore e cila do të duhej t’ua marrë legalitetin dhe legjitimitetin klasës politike shqiptare e cila nga vitet 90-ta për çdo muaj pësonte nga një disfatë, kurse pas vitit 2001 për çdo javë shënohen disfata të reja”, vlerëson kryetari i Shoqatës së të burgosurve politik shqiptar Shpëtim Pollozhani. Ai zgjidhjen problemeve të shqiptarëve e sheh në organizimin dhe unifikimin e sektorit joqeveritar, unionet e studentëve dhe nxënësve e shkollave, të cilët do të kërkonin forma të reja të veprimit.

Është i njohur qëllimi i organizimit politik të një komuniteti, t’i shtyj përpara proceset, kurse te shqiptarët në vazhdimësi po ndodh e kundërta, vlerëson analisti politik Alajdin Demiri. Ai thekson se partitë vazhdimisht në të kaluarën, në momente kritike për shqiptarët kanë menduar për padëgjueshmëri qytetare, porse kjo metodë asnjëherë nuk është realizuar. “Gjithmonë ka pasur metoda hibride, jokonzistente dhe jo të drejta, shpesh herë nga njëra ose partia tjetër janë paralajmëruar metoda të ndryshme veprimi përfshirë këtu edhe padëgjueshmërinë qytetare, por asnjëherë kjo nuk është realizuar. Kjo gjë të shtyn të dyshosh se mos vallë dikush ka intervenuar që të mos aplikohet edhe kjo metodë e veprimit politik, madje edhe lufta na doli e pakuptimtë, sepse bëhej herë për territor e herë për të drejta, e herë për ta ruajtur tërësinë e shtetit”, thotë analisti Demiri. Sipas tij, amplitudat e këtilla të veprimit politik shqiptarë deri tani, dëshmojnë se kërkesat shqiptarëve gjithmonë kanë qenë të kontrolluara. “Metoda pak më konstruktive politike si padëgjueshmëria institucionale po të realizohej do të detyronte faktorin maqedonas të zgjidhte drejtë kontestin mes dy komuniteteve më të mëdha në vend. Kjo metodë nuk është realizuar asnjëherë edhe në kohën kur unë veproja politikisht ndonëse e kishim përcaktim partiak”, deklaron Demiri.

Ekspertët sugjerojnë se nuk janë shterur të gjitha mundësit e veprimit politik për të ardhur deri tek qëllimet e projektuara nëpër programet partiake. “Pushteti nuk i artikulon drejtë problemet e shqiptarëve, ai me gjithë këto probleme të pazgjidhura pothuajse nga gjitha sferat e jetës, ekonomi, arsim, shëndetësi, kulturë, si dhe thellimi i mëtejmë i përkeqësimit të raporteve ndërfqinjësore e ndërkombëtare për shkak të mos zgjidhjes së emrit, izolimit të vendit, etj., ka bërë që të iniciohet padëgjueshmëria qytetare”, thotë ish-politikani Xheladin Murati. “Raportet politike në Maqedoni janë shumë komplekse, prandaj shqiptarët kanë nevojë për veprim strategjik për opsione e alternativa tjera për qasje selektive të problemeve tona, të kenë vizion dhe taktik veprimi, vetëm në këtë mënyrë mund të shpresojnë në realizimin e premtimeve partiake”, shprehet ish-politikani Xheladin Murati.

ALAJDIN DEMIRI

Gjithmonë ka pasur metoda hibride, jokonzistente dhe jo të drejta, shpesh herë nga njëra ose partia tjetër janë paralajmëruar metoda të ndryshme veprimi përfshirë këtu edhe padëgjueshmërinë qytetare, por asnjëherë kjo nuk është realizuar. Kjo gjë të shtyn të dyshosh se mos vallë dikush ka intervenuar që të mos aplikohet edhe kjo metodë e veprimit politik

SHPËTIM POLLOZHANI

E vetmja zgjidhje nga kjo amulli dhe dështimet e njëpasnjëshme do të kishte qenë organizimi i sektorit joqeveritarë në një lëvizje mbarë popullore e cila do të duhej t’ua marrë legalitetin dhe legjitimitetin klasës politike shqiptare e cila nga vitet 90-ta për çdo muaj pësonte nga një disfatë, kurse pas vitit 2001 për çdo javë shënohen disfata të reja

XHELADIN MURATI

Pushteti ka bërë që të iniciohet padëgjueshmëria qytetare. Raportet politike në Maqedoni janë shumë komplekse, prandaj shqiptarët kanë nevojë për veprim strategjik për opsione e alternativa tjera për qasje selektive të problemeve tona, të kenë vizion dhe taktik veprimi, vetëm në këtë mënyrë mund të shpresojnë në realizimin e premtimeve partiake

Humbja e besimit, reflektim i problemeve të shqiptarëve

Hulumtimi i opinionit publik i realizuar në muajin shtator nga e përditshmja maqedonase “Dnevik” lidhur me vlerësimin e pushtetit katërvjeçar të kryeministrit Gruevski, rezultoi me të dhëna shqetësuese. Në këtë anketë, por edhe në anketat e institucioneve ndrkombëtare, mbështetja e elektoratit shqiptar ndaj partive politike shqiptare çdo ditë e më shumë bie. Në anketën e fundit të “Dnevnik”, mbi 50 për qind e të anketuarve shqiptarë janë shprehur të papërcaktuar politikisht. Analistët dhe njohësit e kësaj çështje për KOHA kanë theksuar se ky mosbesim ndaj partive shqiptare njëherësh paraqet shpërfilljen e vazhdueshme të kërkesave shqiptare, të cilat zvarriten me dekada, por edhe fuqinë e dobët të të zgjedhurve shqiptarë në qeveri për të zgjidhur problemet e elektoratit që i kanë votuar vite me radhë. “Kjo paraqet një reflektim të problemeve të pazgjidhura të shqiptarëve, sidomos këto katër vitet e fundit. Prandaj në kontinuitet elektorati e humb besimin në subjektet shqiptare që nga zgjedhjet e para parlamentare”, thotë analisti politik Albert Musliu. “Më e rëndësishme në këtë situatë është se, qytetarët shqiptarë kanë filluar ta humbin besimin edhe në sistem, i cili nuk u përgjigjet kërkesave të tyre veçmas këto vite ku partia maqedonase në pushtet, me arrogancë të theksuar – programin partiak e identifikon me programin shtetërorë. Ky koalicion qeveritar nuk reflekton një qeveri të mirëfilltë, e cila është në gatishmëri të realizojë interesat e përbashkëta të të dyja palëve. Këtu shqiptarët e shohin edhe dështimin e subjektit të tyre politik, të cilin e kishin votuar më herët, meqë nuk i shijon rezultatet në praktik. Kjo shifër e publikuar duhet të jetë shqetësim dhe matës për punën e subjekteve tona politike”, përfundon Musliu.

Çka do të thotë padëgjueshmëria qytetare

Padëgjueshmëria qytetare ose e njohur edhe si mosbindje civile është refuzim aktiv për t’iu bindur ligjeve të caktuara, kërkesave dhe urdhrave të një qeverie ose fuqie okupuese. Mosbindja civile, zakonisht por jo gjithmonë, përkufizohet si rezistencë paqësore. Në formën e saj jo të dhunshme mund të thuhet se ajo sjellje e mirë në formën e mosmarrëveshjeve. Eseja e Henry David Thoreau në vitin 1848 në lidhje me mosbindjen civile “Rezistenca ndaj qeverisë civile” ka pasur një ndikim të gjerë tek shumë praktikues të mëvonshëm të mosbindjes civile. Aty përshkruhen edhe arsyet për refuzimin e pagesës së taksave si akt proteste kundër skllavërisë dhe luftës.

Ja ku shteti shpërfill shqiptarët

2006: Nënçmimi i partive politike shqiptare nga VMRO-DPMNE me rastin e formimit të koalicionit të ri qeverisës

2006-2010: Bllokimi i Komitetit për marrëdhëniet ndëretnike

2006-2010: Injorimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe anashkalimi i implementimit të saj

2006-2010: Injorimi i kërkesës për sjelljen e Ligjit për invalidët dhe familjarët e të rënëve të UÇK-së

2006-2010: Buxhetet etnocentrike shtetërore

2007-2010: Injorimi i Kosovës

2008: Ligji gjysmak për përdorimin e gjuhës shqipe

2008: Marrëveshjet paralele të kryeministrit Nikolla Gruevski me dy partitë shqiptare

2009: Ligji për natalitet

2009: Sulmi ndaj banorëve shqiptarë në Nerez të Shkupit nga ana e “Komitëve”

2009: Promovimi i Enciklopedisë fyese për shqiptarët

2010: Projekti Shkupi 2014

2010: Rrahja e fëmijës shqiptar nga “Komitët”

2010: Fyerja e shqiptarëve në librat shkollor