shkupi-demostrataDr. NDRIÇIM MEHMETI-Shqiptarët nuk mund të rrihen, të fyhen dhe as të burgosen pa të drejtëAta duhet të respektohen në vendime më vete, si të gjitha kombet, që nuk kanë as histori, as të kaluar dhe as ndonjë kontribut më të madhse ata në historinë e Ballkanit, Evropës e më gjerë. Ka kohë që “kazani” zien në Republikën e Maqedonisë.

Të rinjtë, fëmijët dhe familje shqiptare kanë vënë jo rrallë në shënjestrën e sulmeve me karakter nacionalist, fetar dhe etnik. Në jo pak raste janë raportuar shqiptarë të lënduar dhe asnjë arrestim. Po ashtu në të gjitha këto raste, diplomacia e BE-së, ShBA-së, organizma të shumta ndërkombëtarë përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, i drejtoheshin shqiptarëve për vetëpërmbajtje. Shkupit zyrtar ju dha leja, për t’i fyer shqiptarët, përmes busteve, të shumta në rrugët e këtij qyteti, ku nuk mungonin edhe statujat e përgjegjësve për gjenocid ndaj shqiptarëve. Kështu që maqedonasit u bënë më trima. Rrallë gjen raste të ngjashme në Evropën e qytetëruar, ku një qytetarët të rihet në një stacion autobusi apo treni, vetëm se jeton në atë qytete dhe nuk ka të njëjtin etnitet me shumicën e popullsisë. Shqiptarët janë rrahur në Shkup barbarisht, vetëm për këtë arsye.

Në kësi rastesh qeverisë maqedonase (brenda të cilës nuk mungojnë asnjëherë shqiptarët), i tërhiqej vëmendja, pa asnjë masë dhe sanksion të dukshëm kufizues, apo detyrues, që ngjarje të tilla të mos përsëriteshin më. Kështu që ky qëndrim “tërhiq e mos e këput”, bëri që qeveria të toleroj (pasi nuk dua ta besoj se është mbrapa këtyre ngjarjeve) ngjarje të njëpasnjëshme, pas asnjë lloj përpjekje për t’i vënë frerin banditëve që bridhnin rrugëve, duke sharrë, rrahur e bërtitur stadiumeve, rrugëve e kafeneve për vdekjen e shqiptarëve. Nga ana tjetër mjaftonte një zënkë e nxënësve shqiptarë ndaj atyre maqedonas, një plagosje e rëndë, madje edhe një vdekje e dënueshme dhe krejtësisht e patolerueshme e një maqedonasi, nga shqiptarët dhe gjithçka kthehej kundër këtyre të fundit.

Gjendej rasti të stigmatizoheshin menjëherë që të gjithë shqiptarët, e kishin të vështirë të lejonin fëmijët e tyre të shkonin në shkollë dhe qëndronin mbyllur me ditë të tëra, derisa kjo ngjarje të harrohej. Natyrisht që Evropa ishte e kujdesshme t’i tregonte detyrimet shqiptarëve dhe me shumë vendosmëri madje. Por harrohej fakti se çfarë u mungonte shqiptarëve. Pa dashur të bëj rolin e vetëviktimizimit, i cili nuk na përshtatet në asnjë rast, shqiptarëve ju premtua barazi, u nënshkrua edhe një marrëveshje, që njihet me emrin Marrëveshja e Ohrit, por ju dha shumë pak, nga sa ju premtua. Bashkësia ndërkombëtare u kujdes shumë për ngritjen e një shoqërie multietnike në Kosovë, (ndonëse për termin multietnike ka shumë diskutime) dhe nuk është se ndërmori ndonjë hap po kaq domethënës ndaj Shkupit zyrtar.

Pjesa më e madhe e energjive të diplomacisë ndërkombëtare u harxhua për çështjen e emrit dhe jo për krijimin e një kohezioni të bashkëjetesës harmonike të shqiptarëve me popullsinë maqedonase. Në radhët e shqiptarëve ka më shumë të papunë, në radhët e shqiptarëve ka më shumë të pashkolluar, por në radhët e shqiptarëve nuk ka ama më shumë kriminelë, hajdutë apo edhe terroristë siç etiketohen sot në Maqedoni. Pak vite më parë shqiptarët u vranë si xhihadistët në Lubotek dhe askush nuk ka mbajtur deri më sot përgjegjësinë, askush nuk kërkon ndjesë e pale më të thirret në organet e drejtësisë.

Duke u kujdesuar pak ose aspak në aspektin e rregullimit të jetës së shqiptarëve dhe në frenimin e agresivitetit primitiv nacionalist të maqedonasve, ishte mëse e natyrshme se ngjarje të tilla si ato të ditëve të fundit vetëm sa shtyhen në kohë, se nuk do t’i mungojnë skenës së Shkupit. Në ditët e Ramazanit, muajit më të rëndësishëm të myslimanëve, dhe të shqiptarëve të këtij besimi në Maqedoni, u desh vetëm një shkëndijë, që policia maqedonase të nxjerrë në pah shpirtin luftarak që e ruan gjithnjë për të shtypur protestat e shqiptarëve etnik. Të zemëruar nga një vendim jo i drejtë, gjykuar nga shqiptarët, ai vendim gjyqi që ju dha bashkatdhetarëve të vet, rrugët e Shkupit u lanë me gjakun e tyre. Policia maqedonase, nuk bëri as përpjekjen më të vogël për parandalim të përkeqësimit të situatës. Madje, të jepej përshtypja se ishte e gatshme dhe e kërkonte prej kohësh një përplasje të tillë. Fotot e protestuesve shqiptarë të gjakosur nga koka në këmbë, pa asnjë ndihmë mjekësore, shoqërohen prej policëve që u rrinë tek koka, pasi mund të përbëjnë ndonjë rrezik serioz.

Në Tetovë, shtëpia e gjithë shqiptarëve të Tetovës, atyre u tregohen dhëmbët po në të njëjtën mënyrë. Pas gjithë kësaj sjelljeje të ashpër, shtypi dhje reporterët kujdesen të kapin pamje të flamujve fetarë, mbishkrime arabe etj. Po çfarë do të prisnin, lule dhe fotot e kryeministrit maqedonas? Po a nuk është e njohur botërisht se në mungesë të lirive, të drejtave të ofruara, prej një shteti demokratik dhe të përgjegjshëm, shkelja në vite e të drejtave të qytetarëve shqiptarë, do të sillte edhe pasoja të tilla. Është e njohur fare mirë se ekstremizmi, do t’i zërë vend arsyes, kur kjo e fundit mungon dhe nuk është e gatshme të japë kontributin. Si mund të zgjidhen çështjet me shkopin e gomës, vendimet e togave të zeza dhe pastaj të fërkohen duart, se jua treguam vendin edhe kësaj radhe shqiptarëve?

Kjo është politikë dritëshkurtër, pasojat e së cilës jo vetëm që nuk do të vonojnë, por edhe merren me mend lehtësisht.

Ajo që më ka shqetësuar për ditë të tëra, ka qenë qetësia e politikës shqiptare. Qeveria dhe i gjithë faktori shqiptar, duhet të lëviznin në drejtimin e duhur, për të treguar se shqiptarët nuk janë vetëm në këtë ditë të vështirë. Për fatin dhe të mirën e të gjithë faktorit shqiptar në Ballkan e më gjerë, Shqipëria nuk është një shtet inferior dhe nuk ka asnjë arsye të jetë i tillë. Me fitimin e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe vend anëtar i NATO-s ka më shumë instrumente, për të mbrojtur të drejtat e bashkatdhetarëve të vet. Politikanët shqiptarë që nuk gjejnë rast, pa u mburrur se do të bëjnë ç’është e mundur të lehtësojnë jetën e pakicës maqedonase, duhet të kërkojnë të njëjtën gjë edhe për shqiptarët, të cilat janë më të shumë në numër dhe me më shumë probleme se çdo etni tjetër në Maqedoni. Kryeministri duhet të tregojë vendosmëri, pasi kërkesa e llogarisë ndaj qeverisë maqedone për të drejtat e shqiptarëve, nuk e prish vizionin e tij “zero probleme me fqinjët”.

Përkundrazi, vënia në rrugën e zgjidhjes së problemeve me shqiptarët në Maqedoni dhe zgjidhje e tyre në një kohë sa më të shpejtë, kontribuon më shumë se heshtja në “zero probleme me fqinjët”. Maturia nuk është e barabartë me heshtjen dhe po ashtu edhe pasiviteti nuk tregon se politika jonë e jashtme është më moderne. Natyrisht që ndërhyrja e diplomacisë së Shqipërisë ka procedurat e veta, por deklaratat do të sillnin më shumë qetësi dhe të largonin mëdyshjet që na mundojnë në të tilla raste.

Nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë shtet fqinj ndonjë të keqe ndaj shqiptarëve, por ama nuk duhet lejuar që e keqja të jetë vetëm pjesë e shqiptarëve në shtetet fqinje. Nuk kërkon askush revansh, por atë respekt që meritojmë, si qenie humane të barabarta në këtë botë demokratike që pretendojmë se po ndërtojmë. Prandaj përballja me të vërtetën, heqja dorë nga paragjykimi, do t’u bënte mirë edhe politikave maqedonas. Tirana zyrtare duhet të reagojë shpejt pa asnjë droje dhe dilemë, jo për t’u bërë qejfin shqiptarëve e për të nxitur dhunë, por për të treguar se ata nuk janë vetëm. Reagimi është një kërkesë kushtetuese, për të mbrojtur të drejtat e bashkatdhetarëve, kudo që ata janë. Ndërkaq, Tirana zyrtare, prej kryeministrit e deri tek diplomatët që e kanë për detyrim përkujdesjen ndaj bashkëkombësve të vet, duhet të kërkojnë një dialog ku të flitet hapur me fqinjët maqedonas për të gjitha çështjet e në veçanti ato të respektit ndëretnik.

Disa takime të vakëta, sa për bujë mediatike, nuk duket se sjellin ndonjë sukses të qëndrueshëm. Ashtu si vullneti i treguar në fusha të tregtisë, infrastrukturës apo arsimit, e atillë duhet të jetë këmbëngulja për të drejtat dhe liritë e individit. Është momenti që të bëjmë më shumë për shqiptarët e Maqedonisë, duke shpëtuar edhe vetë këtë shtet, politikën dhe grupet ekstremiste nga makthet mesjetare të nacionalizmit ekstrem. Besoj se tregimi i forcës në ditët në vazhdim do të shuajë çdo mundësi për zgjidhje politike, duke i hapur rrugë ekstremizmit të palëve. Atë që shqiptarët nuk do ta arrijnë me ndërgjegjësim dhe demonstrata paqësore, për të frenuar keqtrajtimin që po u bëhet prej autoriteteve maqedone, ndaj tyre, mund ta kërkojnë përmes rrugëve të provuara edhe më parë.

Prandaj është mëse e domosdoshme, që sa më shpejt të jetë e mundur, arsyeja të zëvendësojë gjaknxehtësinë, diplomacia e urtë, deklaratat e forcës, vullneti i mirë të kapërcejë inate ballkanike. SHBA dhe BE, me rolin e tyre do të afrojnë një garanci shumë të madhe ndër popullsinë shqiptare, e cila është mjaft e ndikuar nga roli i të dyja palëve.

Le të shpresojmë se në këto ditë të nxehta do të ketë më shumë ftohtësi në të gjitha veprimet sesa gjaknxehtësi. Të besojmë se shqiptarëve do t’u rikthehet qetësia me veprime konkrete, pa u treguar forcën dhe burgun, por duke i trajtuar siç e meritojnë.