SHBA-të do të vazhdojnë mbështetjen për Kosovën
Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton pas takimit me liderët kosovarë ofroi mbështetjen e SHBA-së, duke pohuar se statusi, integriteti dhe territori i Kosovës janë të paprekshëm.
Pas takimit me kryeministrin Hashim Thaçi, sekretarja amerikane e shtetit inkurajoi Kosovën dhe Serbinë që sa më shpejtë të fillojnë dialogun si dy shtete, në interes të qytetarëve.
Clinton ofroi mbështetjen e administratës Obama, mbështetjen e saj dhe të familjes Clinton për prosperitetin e shtetit kosovarë.Ajo vlerësoi se administrata Obama ka dëshirë të shohë një Ballkan të zhvilluar, ndërsa shprehu gëzimin për arritjen e shtetit më të ri në këtë rajon.
Më tej, sekretarja amerikane e shtetit tha se Kosova po ndërton një traditë të demokracisë dhe në këtë drejtim përmendi dorëheqjen e Sejdiut nga posti i Presidentit.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi vlerësoi se suksesi i Kosovës është i lidhur ngushtë me SHBA-të.
Ai shprehu përkushtimin për bisedime me Serbinë si dy shtete, ndërkaq po ashtu përmendi angazhimin për fqinjësi të mirë në rajon. /Telegrafi/