02-05-2010 13:20

Beograd. Fqinjët tanë, serbët, kanë ndërtuar fluturaken spiunuese, e cila mund të shfrytëzohet edhe për qëllime ushtarake. E kanë emërtuar ‘Vrabac’-Vremçi.

“Nuk mund t’i shpëtojë asgjë. Xhirimi i saj mund të regjistrojë rrudhën ose dridhjen në fytyrën e njeriut në pikë të territ, në malin shumë të shpeshtë. Nuk dëgjohet fare. Regjistron çdo lëvizje si dhe ndryshimin më të vogël të temperaturës, trupat e njerëzve e të kafshëve të imta. Ajo mund të bartet edhe në çantën ushtarake, është superspiun”, shkruan “Blic”.

‘Vrabac’ është disenjuar nga Instituti Ushtrako-Teknik i Serbisë, ndërsa e prodhon Enti i Aviacionit Ushtarak ‘Moma Stanojloviq’. Është tre herë më e lirë nga fluturakja izraelite pa pilot ‘Orbiter’, të cilën aktualisht e përdor ushtria serbe. Planifikohet që nga viti i ardhshëm të futet në listën e armatimit të Ushtrisë së Serbisë. Për blerjen e saj janë

të interesuara vendet e rajonit dhe vendet arabe. “Llogarisim në blerës nga rajoni, sllovenë, sllovakë, ukrainas por me siguri në mesin e blerësve do të jenë edhe Iraku, Algjeria, Libia, Egjipti dhe vendet tjera arabe’, thotë Zijah Burziq, shef i repartit të aviacionit të Institutit Ushtarak-Teknik të Serbisë. 

Fluturakja është aq e lehtë dhe e thjeshtë për përdorim sa që ushtari mund ta lansojë nga dora derisa fluturaket tjera të huaja duhet të lansohen nga katapulti ose hobeja siç ndodh me fluturaken ‘Orbiter’.

“Vrabac” fluturon në lartësinë 500 metra dhe ka radiusin e lëvizjes 12 kilometra. Është e pajisur me kamerë klasike infra të kuqe e për transmetim të shënimeve përdor vegëzat (linket) imune ndaj pengimit. ‘Vrabac’-in e drejtojnë piloti navigator nga toka dhe tekniku elektroteknik. Ky institut aktualisht punon në prodhimin e fluturakes pa pilot me radiusin e xhirimit e të lëvizjes më shumë se 100 kilometra.