Selim_ibrahimiZyrtarë të lartë të administratës amerikane javën e kaluar shfaqën drojën për mundësinë e kthimit të tensioneve në Ballkan. Drejtori i Shërbimit Inteligjent Kombëtar të SHBA-ve, Xhejms Klaper tha se ndarjet etnike dhe politike, paraqesin rrezikun më të madh për Ballkanin Perëndimor dhe vënë në pikëpyetje të gjithë angazhimin e fuqive të jashtme për t’i demokratizuar këto shtete.
Marrëveshjet e nënshkruara në Ballkan kanë karakter të përkohshëm,të parandalimit të konflikteve dhe jo të zgjidhjes së çështjeve të grumbulluara nga e kaluara historike.
Nga Dejtoni e deri tek Marrëveshja në Bruksel,mund të thuhet së këto negociata apo kontrata në mes etnive nuk hapen shtigje të reja të bashkëpunimit ballkanik.
Konfrontimet ideologjike,kulturore dhe fetare e bënë këtë pjesë të Evropës më të prekshme apo shumë më lehtë të pushtohet nga fuqitë e kohës.

Pax-Romana, solli një farë qetësie relative, por nuk largoi përçarjet brenda provincave dhe popujve. Perandoria Bizantine dhe Osmane i zhvilluan paradigmat e tyre në drejtim të asimilimit të etnive që nuk mund të projektonin fuqi.

Implikimet strategjike të marrëveshjeve të pazbatuara

Për shkak të luftërave që përshkruan rajonin dhe mungesës  së parimeve demokratike,marrëveshjet e nënshkruara deri më tani,nuk lënë shumë vend për të besuar se rajoni hyri në BE apo NATO.

Përderisa SHBA-ja është duke e riformuluar politikën për Ballkanin, dhe që do të bëhet më e theksuar më vonë në cikle të veçanta gjeopolitike, traktatet e paqes dhe marrëveshjet që rregullojnë marrëdhëniet në mes vendeve të rajonit do të shërbejnë vetëm për një kohë të shkurtër.

BE nuk është në gjendje të zbatojë politika të përbashkëta të problemeve të jashtme dhe të sigurisë dhe kjo ka të bëjë për shkak të dallimeve që ekzistojnë në mes anëtarëve të unionit.

Pra,puna e nisur nga BE në Ballkan ka ngelur e papërfunduar,dhe ky vakum është plotësuar nga forca që mund apo kanë detyruar fuqitë e jashtme të angazhohen në misione të parandalimit të zënkave në mes vendeve të Ballkanit.

Çrregullimi ekonomik në mes shteteve periferike,të fuqishme,të qendrës dhe atyre të brishta, do ta dobësojë edhe më shumë rolin e BE-së në Ballkan.

Ndërsa,për më shumë se dy dekada, Amerika nuk e ndryshoi paradigmën për rajonin(paqe-demokraci-siguri), dhe aktualisht me këtë koncept është duke funksionuar BE në zonë.

Sa më shumë aktorë të skenës ndërkombëtare mendojnë se Amerika është duke e dobësuar, aq më shumë kemi rritje të fuqive që kërkojnë zgjidhje apo aleanca në favor të grupimeve dhe unioneve që e kanë kundërshtuar në të kaluarën praninë amerikane këtu.

Boshti i ri ballkanik

Maqedonia dhe Serbia mund të cilësohen si vende ku ka pasur ulje të interesit qytetarë dhe shtetërorë ndaj kësaj paradigme.

Kosova dhe Serbia me këtë marrëveshje nuk mund të parandalojnë që kjo pjesë e kontinentit evropian, të mos tensionohet apo edhe fragmentohet në të ardhmen.

Është në natyrën e shteteve që interesi kombëtar të paraqitet si karakteristikë në politikën e jashtme dhe po ashtu edhe në bisedimet ndërkombëtare.

Kështu të paktën ndodhi më marrëveshjen e fundit, ku edhe përkundër vlerësimeve pozitive mbi këtë veprim të Prishtinës dhe Beogradit nga fuqitë e jashtme,përsëri dilemat mbi këtë hap të Brukselit janë të pranishme në Uashington.

Megjithatë, duken të çuditshme mendimet e qeveritareve të Shkupit mbi çështjet që rrotullohen rreth politikës së jashtme të këtij vendi.

Aleancat ushtarake dhe ekonomike mund të përplasen më këtë paradigmë amerikane,ku IRJM falë kësaj politike u njoh formalisht nga SHBA-të në vitin 1994.

Përderisa boshti diplomatik dhe ushtarak i Maqedonisë lidhet më shtete që janë kundërshtare të Amerikës në politikën botërore,atëherë ky shtet i brishtë dhe të llojit si ky, mund të përshkohen nga cikle krizash etnike dhe të tipit identitar.

Kjo gjendje sigurisht se do të sillte ndërrime radikale në politikën e brendshme dhe të jashtme,ku paradigma amerikane në evoluim, më nuk do të kërkojë këtë Maqedoni që e kemi parë deri më tani,por, do të bënte presion dhe aleancë për të përmbyllur qarkun Serbisë dhe Maqedonisë në gadishull, duke ndërruar ndoshta edhe qeveritë.

Për momentin këto dy shtete do të përpiqen që të fitojnë nga BE dhe nga boshti aziatik-latin.

Në këtë debat, kongresisti amerikan Dana Rohrabacher,tha se marrëveshja e fundit në mes Prishtinës dhe Beogradit nuk do t’i shërbejë paqës, por do të krijojë më shumë tensione. Rohrabacher nxiti debatin rreth ndryshimit të kufijve në rajon në të ardhmen dhe si çështje që duhet biseduar.

Vizioni amerikan ka qenë dhe mbetet që ballkanasit të jetojë në paqe dhe në një shoqëri demokratike,por nuk duhet përjashtuar mundësinë e ndarjeve në mënyrë paqësore.

Ai dha shembuj nga politika dhe konfliktet ndërkombëtare mbi këtë problematikë dhe që duhet parë  dhe shqyrtuar më shumë kujdes nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor.

Prej këtu mund të themi se administrata amerikane është duke parë dhe shqyrtuar versione në rast të dështimit të këtyre marrëveshjeve në gadishull.

Nga e kaluara operacionet inteligjente amerikane për t’i rrëzuar qeveritë në shumë shtete të botës kanë rezultuar me sukses dhe kanë bërë që shumë politika të qeverive vendase të pësojnë ndryshime për shkak të intervenimeve amerikane.

Ciklet gjeopolitike

Sa më shumë që konkurruesit në tregun botërorë bëhen agresivë dhe lidhin pakte me shtete të dobëta për interesa të njohura shtetërore, aq më shumë agresiviteti amerikan bëhet më i fortë ndaj këtyre shteteve.

Marrëveshjet në parim janë të mira dhe ndikojnë pozitivisht tek popujt dhe qeveritë të përfshira në probleme historike,por nëse këto nuk japin rezultate në raportet ndërshtetërore, atëherë ngelin vetëm si pika të nxehta të burimeve për konflikte si në Bosnjë,Kosovë dhe Maqedoni.

Zgjerimi rus,diplomacia e butë e BE-së,kursi i paqartë i Ballkanit Perëndimor,prania turke dhe presioni amerikan e bën këtë platformë më të rrezikshme dhe jo aq mbrojtëse.

Maqedonia si rast nuk është në gjendje të kundërshtojë këtë koncept amerikan,për shkak të kapaciteteve  dhe burimeve të dobëta shtetërore.

Edhe pse rajoni ka pozitë të përshtatshme gjeografike për tu pushtuar lehtë nga perandoritë dhe fuqitë e jashtme,disa shtete të formuara më vonë në topografinë e Ballkanit,nuk kanë pozitë të mirë gjeostrategjike.

Maqedonia nuk ka lumenj navigues dhe nuk ka dalje në det, qeveria me anë të politikave të dhunës, përpiqet të mbajë apo ushtrojë kontroll në mes pjesës perëndimore dhe lindore.

Pra,këtu kemi një varg problemesh që shumë vende apo qeveri ballkanike mund të ballafaqohen në rast të kundërshtimit të pranisë amerikane.

Do të ishte keq në rast se disa qeveri do të hynin në aleanca apo unione që do të bllokonin këtë paradigmë.

Unionet tregtare në Ballkan do të luanin rolin e BE-së,dhe kryesisht do të kishin karakter ekonomik. Megjithatë vërshimi i rajonit nga këto ide do të ishte tepër e rrezikshme përshkak të lidhjeve historike në mes këtyre vendeve apo qeverive.

Thënë më shkurt është një çështje mjaft e ndërlikuar dhe kjo gjë nuk mund të bëhet pa një mbulesë të mirë financiare dhe të sigurisë nga ana e fuqive botërore apo rajonale.

Në rast se Maqedonia apo Serbia, pavarësisht se këto qeveri po bëjnë përpjekje për të hyrë në BE do të zhyteshin në lojëra gjeopolitike, atëherë reagimi amerikan do të ishte kryesisht ekonomik dhe diplomatik.

Ish-sekretari i DASH-it Xhejms Bejker në vitin 1991, deklaroi se nuk do të lejohet shkatërrimi i RSFJ-së dhe se nuk do të njihet pavarësia e asnjë republike.

Nuk shkoi shumë  gjatë koncepti amerikan që doli në skenë në vitin 1991 dhe që filloi të shfaqej që nga viti 1989,dha shenjat e para të pranimit të republikave si shtete të pavarura dhe në një farë mënyre u pranuan edhe linjat e reja kufitare në Ballkan dhe Evropën Qendrore.

Marrëveshjet, aleancat e të gjithë llojeve dhe me konceptet e reja që ofrohen në rajon, e plotësojnë njëra tjetrën. Kur Bosnja ndodhet para kolapsit ekonomik dhe kur në jug, Maqedonia gjendet para shumë hamendjeve strategjike,atëherë shumë ide do të kundërshtohen apo pranohen nga qeveritë dhe pjesa dërmuese e banorëve.

Historikisht kufijtë kanë ndryshuar në Evropë dhe është e mundur që edhe në të ardhmen ato të lëvizin.

Forcat e jashtme dhe të brendshme janë një ndër faktorët kryesorë që i lëvizin fenomenet. Paradigma amerikane për afro një shekull bëri që të mbisundojë dhe të zhvillohet në të gjitha shtetet demokratike, pra edhe të atyreve që e kërkonin lirinë në këto dy dekadat e fundit.

Është e drejtë e çdo shteti të zhvillojë politika të pavarura, të zgjedhë partner strategjik apo edhe të bëjë aleanca. Së fundi disa qeveri të Ballkanit mund të drejtohen nga konceptet që ofrohen nga Fuqitë e Mëdha dhe të nivelit rajonal.

Dhe për në fund, mund të shfrytëzohen edhe rrugët strategjike të së kaluarës,Via- Egnatia,Via –Militaris apo edhe të së njohurës Pax-Americana, që për momentin si duket është drejtimi më i mirë për shtetet e rajonit, qoftë edhe nëse kjo paradigmë do të pësojë ndryshime.

(Master në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Universiteti Webster, SHBA)