(E plotësuar) Presidenti Fatmir Sejdiu e ka rikujtuar sot EULEX-in se duhet të respektojë ligjin dhe protokollin e shtetit të Kosovës.

Kreu i shtetit e bëri këtë deklaratë në Aeroportin e Prishtinës, me t’u kthyer në Kosovë pas vizitës në Malajzi, duke e komentuar “incidentin” e raportuar për kontrollimin e kryeministrit Hashim Thaçi nga policia e EULEX-it.

Presidenti Sejdiu tha se nëse është bërë ndonjë kontrollim i delegacionit të kryesuar nga kryeministri Hashim Thaçi, atëherë misioni EULEX ka bërë edhe shkelje të procedurave shtetërore.

I pyetur nga gazetarët se a do të kërkojë nga EULEX-i që të jetë më korrekt ndaj autoriteteve shtetërore të Kosovës, Sejdiu tha se do të kërkojë bashkëpunim të mirë dhe korrekt për respektimin e ligjit nga të gjithë.

Qeveria: Kryeministri s’është kontrolluar në Aeroport

Zyra e Kryeministrit të Kosovës, nëpërmes një deklarate për shtyp, i ka quajtur të pavërteta raportimet e ditëve të fundit, në disa media, se policia e EULEX-i e ka kontrolluar kryeministrin Hashim Thaçi dhe anëtarët e delegacionit zyrtar të Republikës së Kosovës, para nisjes në Turqi.

“Edhe me rastin e udhëtimit në Turqi, kalimi i kufirit nga ana e delegacionit të udhëhequr nga kryeministri Thaçi është bërë normalisht, si çdo herë tjetër, sipas rregullave protokollare”, sqaron Kryeministria.

“Keqinformimi i tillë i qytetarëve të Republikës së Kosovës është joetik, i njëanshëm dhe nuk i shërben informimit të drejtë dhe profesional”, thuhet në deklaratën shpërndarë medieve.

Qeveria e Kosovës thekson përkushtimin për sundimin e ligjit dhe për respektimin e të gjitha procedurave të parapara me ligjet në fuqi, përfshirë këtu edhe ato që ndërlidhen me kalimin normal të kufijve të vendit