Sanxhaku kërkon autonomi
Novi Pazari, qendra kryesore e Sanxhakut, është bllokuar sot për disa orë nga demonstruesit, të cilët kanë kërkuar autonomi si zgjidhje për këtë rajon të Serbisë, të populluar kryesisht me boshnjakë. Në momentin e fundit është evituar përleshja me policinë.
Sipas medieve serbe policia është ofenduar me fjalët si “çetnikë” dhe është gjuajtur me gurë dhe shishe nga simpatizuesit e myftiut Muamer Zukorlic. Nga të dyja anët ka pasur të lënduar.
Ministri i Punës, Rasim Ljajic, i cili njëherësh është nga Novi Pazari, ka deklaruar se ajo që ka ndodhur sot në Sanxhak, nuk është Sanxhaku të cilin ai e njeh, por me gjithë këtë, sipas tij, nuk përjashtohet mundësia e incidenteve dhe nxitjes së retorikës nga ana e myftiut Zukorlic.
“Ai (Zukorlic) nuk e fsheh faktin se dëshiron të fitojë poena politikë dhe për këtë do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë legale dhe ilegale për të fituar pushtetin lokal”, tha Ljajic.
Por Bashkësia Islame në Serbi i ka hedhur poshtw kwto komente dhe i ka bërë thirrje Këshillit Nacional Boshnjak të përshpejtojë me përgatitjet për themelimin e Autonomisë së Sanxhakut, ndërkohë që i ka ftuar qytetarët e këtij rajoni që të shprehin solidaritetin duke treguar padëgjueshmëri qytetare ndaj institucioneve të Serbisë. /Telegrafi/