Samiti i BE-së mbron euron prej spekulimeve
Duke marrë masa radikale vendet e Euros duan të shpëtojnë nga spekulimet monedhën e përbashkët. Për këtë ato vendosën përpilimin e rregullave më të forta buxhetore dhe ngritjen e një mekanizmi mbarevropian stabilizimi. Kancelarja gjermane
Angela Merkel, tha pas një takimi krize të presidentëve dhe kryeministrave që u mbajt në Bruksel se përkundër miratimit të paketës miliardshe për Greqinë e zhytur thellë në borxhe ekziston një masë e lartë e spekulimeve kundër euros. “Mendoj se në këtë pikë në të vërtetë nuk kemi më kohë andaj duhet të veprojmë shpejt. E dyta, nuk është vetëm Greqia ajo që duhet të konsolidojë buxhetin, por ne të gjithë duhet të punojmë që pakti për stabilitetin dhe zhvillimin të zbatohet sërish shpejt. E treta, ne po ashtu duhet të përkujdesemi për sigurimin e stabilitetit të euros në përgjithësi…” tha Merkel.
Kurse kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker foli për një sulm të organizuar kundër euros.
Sarkozi: Nuk duhet mëshirë për tregjet financiare
Presidenti i Francës Nikolas Sarkozi tha se shtetet e eurozonës nuk duhet të shfaqin mëshirë në përpjekjet e tyre në tregjet financiare, në mënyrë që tregtarët kurrë më të mos të mund ta vënë euron nën trysninë që e vunë pas shpërthimit të krizës greke.
Sarkozi i bëri këto komente pasi samiti i eurozonës kërkoi rregulla më të rrepta për tregjet dhe agjencitë e vlerësimit.
Pjesa më e madhe e debatit në samit u përqëndrua në mënyrat për t’i bërë tregjet “më të përgjegjshme” në trajtimin e shteteve si Greqia, Spanja dhe Portugalia.
Ministrat e fiancave të 16 vendeve të Euro-Zonës do të marrin këtë të dielë vendime konkrete që do të futen në fuqi me hapjen e tregjeve, që ditën e hënë.