SALI BABA ME… 40 GËNJESHTRA
Andrea Stefani-Zhurma e opozitës berishiste për një trafik droge me avionë që ulen e ngrihen në aeroportet e ushtrisë shqiptare, përveçse ka dëmtuar imazhin e kësaj të fundit, ka nxjerrë edhe një herë në dukje vesin e pashkatërrueshëm të Sali Berishës, vesin e gënjeshtrës. Por problemi nuk është fakti që Berisha gënjen. Problemi i vërtetë është se treni i gënjeshtrave të tij, që po kanë një kosto të rëndë për shtetin dhe demokracinë, pranohen si të vërteta nga një pjesë e shqiptarëve që janë fanatizuar pas Berishës dhe vazhdojnë ta votojnë verbërisht atë.
***
Kohë më parë, në Hungari, shpërthyen protesta të fuqishme kundër Kryeministrit, vetëm se opinioni publik mësoi se në një moment sinqeriteti ai u kish shprehur shqetësimin bashkëpunëtorëve të tij se “po gënjejmë njerëzit”. Një kryeministër që gënjen?! Hungarezët nuk mund ta pranonin një turp të tillë, prandaj shpërthyen në protesta. Madje jo thjesht për etikë. Por, mbi të gjitha, nga se duket e kanë kuptuar që kush pranon dhe voton gënjeshtrën, do të korrë shumë shpejt mashtrimin.
***
Por me disa shqiptarë nuk ndodh kështu. Ka 23 vjet që Berisha, që kur hyri në politikë, ka gënjyer e mashtruar pa fund. E megjithatë disa vazhdojnë ta votojnë. Lista e gënjeshtrave është shumë e gjatë, por do të përmendim disa nga ato që na duken më evidentet. Para së gjithash Berisha i gënjeu shqiptarët dhe ndërkombëtarët, sepse, pasi u infiltrua në lëvizjen studentore dhe kapi kreun e PD-së, premtoi se do të punonte për të sjellë demokracinë dhe shtetin ligjor në Shqipëri. Kohët provuan se ai u shndërrua në një autokrat, që pasi asgjësoi demokracinë në PD, duke u shndërruar në një superlider të përjetshëm, u përpoq ta varroste demokracinë edhe në shtet, duke manipuluar zgjedhjet dhe duke kapur të gjitha pushtetet. Premtoi shtet ligjor me gjyqësor të pavarur, dhe ia nisi duke prodhuar gjykatës partiakë në inkubatorin e “plepave”. I toleroi për vite me radhë piramidat financiare, pengoi që ligji t’i parandalonte në kohë dhe kur ato ranë bashkë me shtetin, fajësoi shqiptarët se e kishin pasur vetë fajin që investuan paratë e jetës në piramida. Kur dështoi të shtypë ushtarakisht shqiptarët e revoltuar nga ky mashtrim, armatosi paramilitarë dhe i dërgoi “mish për top”. Dhe në fund, kur dështoi të mbante pushtetin me dhunë, u qa se e përmbysën me dhunë!
***
Në opozitë, Berisha praktikoi gjerësisht gënjeshtrat e shpifjet për kundërshtarët e tij, që më vonë i pranoi si të tilla, duke i cilësuar “fjalë kazani”. Ai përdori me efektivitet të lartë gënjeshtrën më 14 shtator 1998 për t’i ndërsyer turmat e fanatikëve të tij të armatosur, duke shpifur se Azem Hajdarin e kish vrarë kryeministri socialist i asaj kohë, Fatos Nano. Dhe kur ndërkombëtarët e detyruan të tërhiqet nga pushtimi i Kryeministrisë dhe TVSH-së, lau duart si Pilati, duke deklaruar se fanatikët, që dihet se mund t’i kish përmbajtur me një lëvizje të gishtit, kishin dalë nga kontrolli “se u kishin vrarë liderin”!
***
Në vitin 2005, u hodhi trutë e gomarit ca shqiptarëve, duke u shitur si lideri i vetëm që mund të luftonte korrupsionin, duke qeverisur me duar të pastra. Rezultati? Tetë vjet nga qeverisjet më të korruptuara të këtyre 23 viteve tranzicion që, jo rastësisht, regjistroi superskandale si ai i përgjakshmi i Gërdecit dhe ai tjetri qindramilionëshi i rrugës Durrës-Kukës. Por apogjeun e gënjeshtrës dhe mashtrimit publik, Berisha e arriti më 21 janar 2011, kur ushtarë të Gardës vranë para penxhereve të zyrës së tij 4 protestues të pafajshëm të opozitës dhe plagosën dhjetëra të tjerë. Një masakër e vërtetë që, po me gënjeshtra, Berisha u përpoq ta hedhë në shpinë të opozitës. Gënjeu publikisht, duke deklaruar se protestuesit u vranë jo nga gardistët, por nga brenda protestës prej njerëzish të opozitës të armatosur me “thika me helm” e “çadra pistoletë”. Ishte një gënjeshtër që, po të mos i ishte çjerrë maska nga filmimet e gazetarit Artan Hoxha, do të përdorej për ta plasur në burg opozitën e akuzuar për vrasje dhe puç. Berisha deklaroi se kishin “prova të sigurta” se protestuesit ishin vrarë nga afër me pistoleta që nuk disponoheshin nga Garda. Këto “prova të sigurta” nuk e panë asnjëherë dritën e diellit. Pse? Thjesht sepse ishin gënjeshtra të një mendjeje diabolike. Berisha flet edhe sot për “prova e fakte të sigurta” për trafikun e drogës me avionë nëpër aerodromet ushtarake. Ai dhe propaganda e tij vazhdojnë të këmbëngulin se i kanë dhe do t’i nxjerrin këto prova kur të vijë koha. Këmbëngulin edhe tani që vetë shefi i Shërbimit Informativ (SHISH), pohoi publikisht se dokumenti që i ka shërbyer Berishës për të ndërtuar gjithë këtë skenar nuk përmban asnjë fakt të vërtetuar nga SHISH-i “lidhur me trafikimin e drogës përmes infrastrukturës ushtarake”.
***
Berisha ka dalë përsëri blof përpara publikut. Të gjithë e panë se përsëri gënjeu. Si në ’97-n, si në ’98-n, si në ’05-n, si në ’11-n. E megjithatë ka përsëri disa shqiptarë që e besojnë dhe e votojnë. Ajo që s’më vret më bën më të fortë – thoshte Niçe. Një moto që Berisha mund ta thotë fare mirë për gënjeshtrën e tij. Dhe dy janë faktorët që e kanë bërë të pamposhtur gënjeshtrën e Berishës. Së pari, që ai është lideri i fundit historik (i parafundit ishte Fatos Nano) që trashëgoi gjysmën e atij elektorati fanatik që kish qenë për 45 vjet “i lidhur si mishi me kockën me partinë dhe Enverin” dhe që, pas rënies së komunizmit, zakonin e kësaj besnikërie të verbër e transferoi drejt Berishës dhe PD-së. Pas Berishës, vështirë se do të mund të lindë më në Shqipëri një lider dinozaur i këtij tipi, që e kemi trashëgim nga një epokë staliniste dinozaurësh. Së dyti, Berisha ka avantazh mungesën e një drejtësie të pavarur, gjymtim për të cilin ruan edhe “meritën” më të madhe, që i jep mundësi të mos dalë kurrë e vërteta për gënjeshtrat që lëshon. Dhe Berisha do të vazhdojë të gënjejë me sukses një pjesë të shqiptarëve deri ditën kur drejtësia e pavarur do të shpallë të vërtetat e varrosura, duke çliruar trutë e ca shqiptarëve nga prangat e gënjeshtrës, fanatizmit dhe një idhujtarie politike arkaike.