SA HIPOKRIZI E MJERË!
Në gazetën Ballkan Web të datës 16 mars 2010 shkruan:
Kosova: Sejdiu në Bruksel: Kosova prezente në operacionet e NATO-s
PRISHTINË- Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu do të qëndrojë për vizitë në Bruksel, ku të mërkurën do t’i drejtohet Këshillit të NATO-s.
“Do ta njoftoj Këshillin e NATO-s, për opinionet e institucioneve të Kosovës lidhur me zhvillimet politike, synimet që Kosova të lëvizë fuqishëm në zhvillimet e brendshme ekonomike, demokratike dhe të tjera, si dhe për rolin e saj që të jetë faktor i rëndësishme i paqes dhe stabilitetit”, tha Sejdiu.
Ai shtoi se do ta përsërisë kërkesën e tij të mëhershme që Kosova, qoftë edhe simbolikisht, të jetë prezente në operacionet paqësore të NATO-s.
Gjatë vizitës, Sejdiu do ta shoqërohet nga Ministri i FSK-së, Fehmi Mujota.
(m.a/BalkanWeb)
http://bw.balkanweb.com/kosova/sejdiu-ne-bruksel-kosova-prezente-ne-operacionet-e-nato-s-8257.html
-Kjo kërkesë e Fatmir Sejdiut, në këtë kohë -është hiç më pak se hipokrizi dhe injorancë e tejskajshme, kur dihet fakti që është pikërisht kjo udhëheqje “largpamëse”, e cila Kosovën e la pa ushtri, apo më saktë e shpartalloi UÇK-n, heroike.
Ndërsa, tani pa pikë turpi marrin guximin të krekosen -kinse janë të gatshëm të bëhen partnerë të barabartë me NATO-n, pra, pa ushtarë të hyjnë në radhët e një ushtrie të fuqishme botërore!!!
-Siç duket këta miopë politikë-sepse ushtarakë as që kanë merita as fytyra të jenë; kanë vendosur që t´i çojnë më tej gënjeshtrat dhe mashtrimet e tyre sipas stilit të vjetër titisto-rugovist dhe sipas motos gebelsiane që “prej njëmijë rrenave diçka le të kujtohet si e vërtetë” !
-Ende pa kaluar “avullimi” i shpullave politike që morën nga NATO-ja për mohimin e FSK-së, si ushtri ; këta sharlatanë të pacipë; kujtojnë se i shesin popullit: “dushk për gogla”!
Në kohën kur Kosovës po i cenohen kufijtë e saj nga të gjitha anët; në kohën kur bandat kriminale serbe dhe të tjera qarqeve armike të brendshme dhe të jashtme po bëjnë kërdinë mbi doganat madje duke hyrë thellë në territorin e Kosovës me kontrabandën më të pistë; në kohën kur grupe kriminale si ato të çetnikëve të “Car Llazarit”, po i vërsulen Kosovës-të përkrahura nga Serbia dhe pushteti paralel i saj-në enklavat serbe ku nuk shihet as flamuri laramanë, “ i Kosovës” -pjellë –dobiç i dalë nga Pakoja e Ahtisarit; pa lëre më flamuri jonë kombëtar shqiptar; pionieri i stafetës së Titos -komandanti pa ushtri –paska vendosur të krekoset në Bruksel se, jemi gati që: “Kosova, qoftë edhe simbolikisht, të jetë prezente në operacionet paqësore të NATO-s”!!!
-Sa “të zgjuar , viganë” -dhe sa dinakë që janë: me këto makinacione politike”ushtarake” të kujtojnë Don Kishotin , i cili “luftonte” me mullinjtë e erës!
-Po, a nuk kishte edhe ai “kalorës” i pathyeshëm pas vetes “një ushtri të tërë” ?!
-Po, a nuk i njeh dhe historia botërore të bëmat e tij prej “heroi” të cilat madje nuk janë tretur nga kujtesa për qëndresën e pathyeshme –që, jo pak përngjanë me militantizmin titisto-rugovist, në kohëra të vështira për Kosovën dhe viset tjera shqiptare.
Kështu e ka kjo kohë pa kohë!
-Kur në Kosovë dhe në Shqipërinë administrative po mungon përgjegjësia politiko-ushtarake bëhen dhe marrëzira të tilla “politiko-ushtarake”!
-Sikur të kishin sadopak mend në kokë udhëheqësit politiko-ushtarakë në Tiranë dhe në Prishtinë do të duhej t´i siguronin kufijtë e Shqipërisë Etnike me bijtë e bijat më të mirë të kombit e jo t´i degdisin ata ushtarë sypatrembur nëpër botë- që, pastaj të bëhen mish për top në vende të huaja dhe për interesa të huaja.
NATO-s , duhet t´i shtrohen kërkesa që të lejojë ushtrinë shqiptare të hyjë e t´i mbrojë kufijtë shqiptaro-shqiptarë në trojet e Shqipërisë Etnike dhe njëkohësisht duhet t´i kërkohet që të lejojë të krijohen kushtet për formimin e ushtrisë së Kosovës e jo të mbetemi kështu si popull nën mëshirën e fatit, të pasigurt nga rreziqe që mund ta kërcënojnë atdheun tonë.
-Pa e bërë këtë e shumë kërkesa të tjera të kësaj natyre-udhëheqja shqiptare e Tiranës as ajo e Prishtinës nuk e kanë aspak të drejtën morale as ligjore të krekosen dhe të zotohen se “duam të bëhemi partnerë të NATO-s, pavarësisht se Shqipëria administrative ka arritur të bëhet partnere e saj – megjithatë është një partneritet i përgjysmuar për faktin se ka hyrë atje e përgjysmuar -me një Shqipëri të copëtuar dhe me tendenca ekspansioniste nga fqinjët sllavo-okupatorë, për t´u ricopëtuar më tej.
Larg duart nga Shqipëria!
Ky do të duhej të ishte mesazhi i sotëm i politikës dhe ushtrisë shqiptare!
Suedi, 17 mars 2010
