… një përkujtim me rastin e 12- vjetorit të Masakrës së Reçakut, një përkujtim për të gjithë ata të cilët u bënë themel i lirisë së Kosovës….

Shkruan: Vaxhid Sejdiu

 Sa herë që dëgjojmë fjalën Reçak, vetëtimthi na shkon mendja te Masakra e Reçakut, një nga masakrat më të rënda jo vetëm në historinë e shqiptarëve, por edhe në historinë e njerëzimit.

Sa herë që themi  Masakra e Reçakut, përkujtojmë masakrën e 15 janarit të vitit 1999 ku forcat ushtarake e policore serbe, vranë dhe masakruan  barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur (gra, fëmijë dhe pleq) të fshatit Reçak të komunës së Shtimes, si dhe 11 ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ranë heroikisht në luftë kundër armikut duke mbrojtur popullsinë civile.

Sa herë që përkujtojmë Masakrën e Reçakut na bie ndërmend për dëshmorët e kombit, të cilët luftuan dhe ranë heroikisht në vijën e frontit, si dhe invalidët e luftës, luftëtarët e lirisë, të cilët nën hijen e flamurit kombëtar dhe të  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ngadhënjyen njëherë e përgjithmonë mbi forcat e okupatorit.

Sa herë që themi Masakra e Reçakut na bie ndërmend për masakrat e forcave paramilitare, ushtarake dhe policore serbosllave, të cilat në mënyrë të organizuar, të ndihmuara nga të institucionet e shtetit, masakruan me qindra e mijëra shqiptarë, si dhe qindra mijëra larguan dhunshëm nga trojet atërore. Sa herë që përkujtojmë Masakrën e  Reçakut, na dalin para syve qytetarët serb të Kosovës, (të cilët kishin ardhur gjatë shekullit XIX në Kosovë, nëpërmjet administratës së dhunshme të okupatorit), të cilët së bashku me forcat policore arrestonin, vranin, masakronin shqiptarët autoktonë, plaçkitnin dhe djegnin shtëpitë e tyre.

Sa herë që përkujtojmë Masakrën e  Reçakut na del para syve përfaqësuesi i OSBE-së në Kosovë ambasadori amerikan William Woker, i cili me dëshminë e tij, dëshmoi gjenocidin serb mbi shqiptarët, por edhe tregoi se si misionarët ndërkombëtarë duhet ta kryejnë detyrën me nder pa marrë parasysh kërcënimet, bllokadat dhe alibitë e shteteve diktatoriale. Sa herë që përkujtojmë Masakrën e  Reçakut na përkujtohen mediet, gazetat, RTV serb, agjensioni i lajmeve “Tanjug”, gazetarë serb, intelektualë, politikanë, institucione kulturore, shoqata etj., të cilët në vend që të tërhiqnin vërejtje sistemit totalitar të Slloban Millosheviqit, ata ishin bërë krah i fortë i tij. Sa herë që përkujtojmë Masakrën e  Reçakut na përkujtohen politikanët serb, të cilët përgatitnin projektet dhe organizonin shtetin serb dhe fosilet e ish- Jugosllavisë për ta ndëshkuar popullin shqiptar me vdekje. Sa herë që përkujtojmë Masakrën e  Reçakut na përkujtohet dëbimi masiv i popullit shqiptar nga forcat serbe, na përkujtohen kolonat e shqiptarëve të dëbuar, fëmijë, gra, pleqë, të sëmurë, të plagosur, të maltretuar, kolonat e plaçkitura, të cilët dëboheshin  dhe në zonat kufitare u merreshin , parat, unazat e gishtit, dokumentet personale, makinat, traktorët dhe dëboheshin për të mos u kthyer kurrë.

Sa herë që përkujtojmë Masakrën e  Reçakut na përkujtohet faktori politik shqiptar i cili jo vetëm që nuk ishte në gjendje ta ruaj dhe mbroj popullin shqiptar, por nuk ishte aspak në nivelin e duhur dhe si i tillë  i shkaktoi shumë plagë popullit shqiptar.

Sa herë që përkujtojmë Masakrën e  Reçakut na përkujtohet Qafa e Morinës, Stenkovci, Malina apo thënë më konkretisht Bllaca, ku me njërën anë serbët plaçkitnin, vranin dhe ndëshkonin shqiptarët me mënyrat më të egra , kurse në anën tjetër sllavo-maqedonët duke i ndalur në të ashtuquajtur zonë neutrale – Bllacën e shndërruan në kamp të vdekjes për shqiptarët.

Sa herë që përkujtojmë Masakrën e Reçakut na bie ndërmend se kriminelët ordinerë, policët, ushtarakët dhe paramilitarët e të gjitha strukturave shtetërore sot janë të lirë dhe nuk janë nxjerr para ligjit dhe para drejtësisë. Edhe pas dymbëdhjetë vjetëve eshalonët e dhunës dhe terrorit shtetëror serbosllav kanë mbetur të pa dënuara nga Gjykata e Drejtësisë në Hagë si dhe nga gjykatat e vendit. Ata jo vetëm që lëvizin lirshëm por edhe veprojnë politikisht në Kosovë dhe më gjerë në Ballkan. Dhe si e tillë Serbia jeton komod bashkë me krimet e bëra, bashkë masakrat, bashkë me varrezat masive anekënd Serbisë.

Sa herë që përkujtojmë Masakrën e Reçakut na kujtohen  policët dhe paramilitarët, me maska dhe pa maska, torturat e njëpasnjëshme ndaj civilëve të pafajshëm, duke përdorur kondakët e armëve, shqelmat, dru, zinxhirë dhe gjësende tjera të forta e deri te Banush Azem Kamberi, të cilin forcat kriminale serbe jo vetëm që e ekzekutojnë por ia këpusin edhe kokën.

Sa herë që përkujtojmë Masakrën e Reçakut na kujtohet masakra e Tususit të Prizrenit, masakra e Dubravës, (ku nga ajri u vranë të burgosurit), masakrat në Qyshk, Pavlan dhe Zahaq të Pejës, Masakra e Lybeniqit, Masakra e Mejes (ku ushtarët dhe policët serbë masakruan më shumë se 377 civilë shqiptarë të moshave prej 15 deri 75 vjeç), masakrat në komunën e Gjakovës  (ku vranë dhe masakruan 750 shqiptarë dhe 680 të tjerë i kidnapuan), masakra e Krushës, masakra në Obri, si  dhe shumë të tjera.

Sa herë që përkujtojmë Masakrën e Reçakut na dalin para syve djegia e trupave të shqiptarëve në fabrikën “Maçkatica” më 16 dhe 24 maj të vitit 1999, nën komandën e “Beretave të kuqe”, të cilët atëbotë e kishin bazën e tyre në “Bella Vodë” – afër Vrajës.

Sa herë që përkujtojmë Masakrën e Reçakut na del para syve kamioni frigorifer që u gjet me kufomat e shqiptarëve në Kladovë të Serbisë, na dalin para syve varrezat masive në Batajnicë………. zhvarrimi i të vrarëve dhe dërgimi i tyre në Serbi për t`i mbuluar gjurmët e krimit. Na dalin para syve kufomat e kthyera të shqiptarëve nga Serbia dhe të paidentifikuara deri sot, si dhe qindra e qindra të tjerë të cilët Serbia i mban ende në varrezat masive.

Sa herë që përkujtojmë Masakrën e Reçakut sytë na shkojnë tek operacionet ushtarake dhe policore serbe, si “Djegie dhe vdekje”, “Patkoi” dhe dhjetëra e qindra ofensiva mbi trojet shqiptare. Na dalin para syve ushtarët e korpusit ushtarak të Prishtinës, superstruktura ushtarake serbe në Kosovë nën komandën e gjen. kol. Nebojsha Pavkoviç dhe gjeneral major Vlladimir Llazareviç. Na kujtohen njësitë policore ushtarake, njësitë  aviacionit, dhjetëra e dhjetëra njësi ushtarake të ardhura nga Serbia dhe Mali i Zi: si Korpusi i Nishit, Korpusi i Novi – Sadit, korpusi special i Beogradit, korpusi  i Podgoricës, Kralevës, Kragujevcit, Uzhicës etj. Në Kosovë ishin shpërndarë afër 180.000 ushtarë, policë dhe paramilitarë me të vetmin qëllim shfarosjen e popullit shqiptar nga faqja e dheut. Edhe pse me mijëra e mijëra serbë janë identifikuar se kanë marrë pjesë në gjenocidin mbi shqiptarët organet e drejtësisë ndërkombëtare  në këtë drejtim janë shumë prapa, kurse institucionet në Kosovë qofshin ato politike apo ato kulturore e shkencore (Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Instituti i Historisë, shoqata, intelektualë, akademikë, avokatë) nuk kanë arritur ta japin provimin duke e akuzuar Serbinë për gjenocid dhe nëse në të ardhmen nuk e bëjnë një gjë të tillë, vështirë e kanë për ta arsyetuar veten, titujt shkencorë, si dhe institucionet ku punojnë.  

Gjenocidi serbosllav është i shënuar në faqet e historisë botërore dhe askush nuk mund ta shlyej nga dosja e krimit.