Rugova: Kjo LDK nuk është LDK-ja e Ibrahim RugovësUkë Rugova, djali i ish presidentit të ndjerë të Kosovës, u ka bërë thirrje të hënën pejanëve dhe kosovarëve, që të ndahen nga emocionet e emrit LDK, sepse ai nuk përfaqëson më asgjë nga ajo që ka përfaqësuar në të kaluarën.

“Në këto momente duhet ndarë emocionet nga realiteti, kjo LDK nuk është LDK-ja e Ibrahim Rugovës me të cilën jemi të lidhur të gjithë emocionalisht, sepse nuk e ka frymën e bashkimit të Ibrahim Rugovës”, ka thënë Rugova në tubimin në palestrën e sporteve “Karagaç” në Pejë.

Duke vlerësuar se Ibrahim Rugova në të gjallë të tij gjithmonë ka fituar zgjedhjet në Pejë, Uka ka shtuar se pikërisht me frymën e bashkimit mes Rugovës dhe Haradinaj, në këto zgjedhje është krijuara koalicioni me AAK.

LDK-ja, sipas Rugovës, ka fajin për ndarjen e së djathtës në Kosovë, pasi ajo nuk krijoi hapësirë për një koalicion të gjerë të së djathtës për të qeverisur vendin.

Kurse partneri tjetër i koalicionit Daut Haradinaj ka thënë se me fitoren e AAK-së, Peja nuk do të jetë më e lënë anash.

“Peja nga kjo qeveri u la anash dhe unë shpresoj se nga data 12 dhjetor, Peja do ta ketë përkrahjen e qeverisë së Kosovës, qytetarët e Pejës do të kenë një jetë më të mirë sepse listë jonë ka njerëzit që e duan Pejën, që kanë të gjitha vlerat dhe mundësitë për të zgjedhe një qeveri të fuqishme, e cila do ta bëjë Dukagjinin si tërë Kosovën dhe s’do jetë më e anashkaluar” ka thënë Haradinaj