image

Çmimi mesatar i rrymës elektrike në Shqipëri është 7.21 euro për kilovat, kurse pas saj vjen Maqedonia e cila ka çmim prej 6.78 euro për kilovat, thuhet në një studim të Komisionit Rregullator të Energjetikës së Shqipërisë. Ndërkohë, pothuajse në të gjitha vendet rajonale ka kërkesa për rishtrenjtime

Shkup – Në shumicën e vendeve të rajonit është paralajmëruar shtrenjtimi i rrymës, pas rritjes rekorde edhe të çmimeve të derivateve të naftës. Në Kosovë është paralajmëruar rritje e çmimit të energjisë elektrike ngjashëm si në Mal të Zi dhe Kroaci. Ndërkohë, Komisioni Rregullator i Energjetikës së Shqipërisë, në një studim të bërë potencon se Shqipëria dhe Maqedonia, prijnë për çmimin më të lartë të rrymës elektrike për kilovat orë në rajon, ndërkaq Kosova ka çmimin më të ulët. Çmimi mesatar i rrymës elektrike në Shqipëri është 7.21 euro për kilovat, kurse pas saj vjen Maqedonia e cila ka çmim prej 6.78 euro për kilovat, thuhet në një studim të Komisionit Rregullator të Energjetikës së Shqipërisë. Ndërkaq, për Kosovën, studimi thotë se çmimi më i ulët i rrymës elektrike në rajon është në Kosovë, 4,95 euro për kilovat.
Në vendet si Serbia dhe Bosnja Hercegovina, që akoma nuk kanë privatizuar këto kompani  akoma mbajnë tarifat më të ulëta të rrymës duke trajtuar rrymën si një kategori sociale. Nga këto vende rryma më e shtrenjtë është në Kroaci, ku banorët e saj e paguajnë 9.61 euro për
kilovat orë. Sipas të dhënave të Eurostat, kilovat orën më të lirë e paguajnë banorët e Serbisë dhe  Bosnjës dhe Hercegovinës me 5.81  apo 5.42 euro për  kilovat orë, ndërsa në Mal të Zi është rreth 7 euro për kilovatorë. Në Maqedoni, ekspertët vlerësojnë se çmimi i rrymës do të ritet edhe më shumë në të ardhmen, duke patur parasysh edhe resurset e kufizuara vendore të prodhimit të rrymës dhe mosinvestimit me vite në kapacitetet e reja energjetike. Ekspertët e energjetikës vlerësojnë se ka kaluar koha e blerjes së paqes sociale me çmimin artificial të rrymës dhe ajo duhet të trajtohet si mall në treg, ku në tre vitet e kaluara çmimi i rrymës u shtrenjtua për 22 për qind. Në fillim të 2010-ës rryma u shtrenjtua për 10 për qind, në mars të vitit 2011 për 5.48 për qind dhe në janar të këtij viti për 7.82 për qind. Edhe në vendet e tjera të rajonit pritet që në muajt në vijim të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike. Në Kroaci kompania shtetërore elektro-energjetike kërkon shtrenjtim prej 22 për qind, por qeveria kroate ka thënë se rritje do të ketë por me një përqindje më të vogël. Në Kroaci një kilovat orë amvisëritë e paguajnë rreth 9.5 euro, ndërsa çmimi i rrymës nuk është ndryshuar nga viti 2008, ku sindikatat janë angazhuar që të pengohen shtrenjtimet që do të rrezikojë standardin e qytetarëve. Edhe në Mal të Zi me muaj të tërë shtrenjtimi i rrymës është në fokus të vëmendjes së opinionit. Çmimin më të shtrenjtë të rrymës paguajnë vendet më të pasura në Evropë, si Norvegjia, Belgjika dhe Gjermania, ku një kilovat orë kushton 20-30 euro. Analistët evropian thotë se viteve në vijim çmimet e rrymës do të rriten pasi ritet konsumi prej 3-5 për qind, ndërsa në treg ka mungesë të rrymës.
Ndërkohë, ruajtja e paqes sociale me vite të tëra përmes çmimit të ngrirë të rrymës, vonesa e gazifikimit të Maqedonisë, varësia e vendit nga importi i energjenseve nga jashtë si dhe obligimet që dalin nga liberalizimi i tregut të rrymës, përbëjnë shkaqet kryesore që qytetarët duhet t’i kushtojnë më shumë kujdes apo vëmendje kursimit të energjisë elektrike për shkak të rritjes së çmimit të saj në të ardhmen, që mund edhe të dyfishojë çmimin e tanishëm në vitet në vijim, por kjo rritje e çmimit pritet të realizohet  në mënyrë graduale. Fisnik PASHOLLI/KOHA