Rrëmbimi i fëmijëve tensionon familjet shqiptare
Rrëmbimi i fëmijëve është bërë një nga temat qendrore nëpër familjet dhe shkollat kryesisht në zonat e Shkupit dhe Kumanovës. Kujdestari nëpër shkolla, përcjellja e nxënësve nga prindërit në shkollë dhe në rrugë është një dukuri që dita ditës po merr përmasa shqetësuese.Dy ditë më parë në Kumanovë u përhap alarmi për rrëmbimin e një fëmije pranë shkollës fillore “Bajram Shabani” në Kumanovë, mirëpo policia kumanovare e ka mohuar një gjë të tillë, duke shtuar se bëhet fjalë për spekulim dhe propagandë.
“Nuk ka të vërtetë rreth kësaj. Lusim qytetarët dhe prindërit që të jenë të kujdesshëm dhe t`i ikin propagandave. Ne po marrim të gjitha masat për të zbuluar rastin e dy fëmijëve të zhdukur të komunitetit rom në lagjen Sredorek dhe se po vijojnë hetimet operative”, ka theksuar zëdhënësja e SPB-së në Kumanovë, Valentina Nikollovska.
Gjatë kësaj jave është regjistruar edhe një rast në Hasanbeg, ku një fëmijë kishte rrëfyer se ka qenë viktimë e grupit i cili e kishte pyetur se ku gjendet rruga në Haraçinë, mirëpo fëmija pa i`u përgjigjur ka ikur në drejtim të shkollës.
Shoqatat joqeveritare kërkojnë reagimin e institucioneve në ato lokacione ku ka dyshime për rrëmbime. Ndërkaq studiuesit e aspekteve shoqërore theksojnë se trafikimi dhe rrëmbimi i fëmijëve ndodhë kryesisht në vende ku ka funksionim të brishtë të institucioneve.
“Funksionimi i brishtë i institucioneve shtetërore, kryesisht policia si dhe varfëria e skajshme ndikojnë që të përhapet kjo problematikë. Institucionet duhet të intervenojnë në mënyrë të koordinuar rreth këtij fenomeni shqetësues”, thekson për agjencinë e lajmeve INA sociologu Lulzim Murtezani.
Sipas OJQ-së franceze “Terre des Hommes”, rreth 6,000 fëmijë të moshave ndërmjet 6 dhe 14 vjeç dërgohen kontrabandë nga Evropa Lindore në Evropën Perëndimore çdo vit. Deri tani organet qeveritare në Maqedoni nuk kanë përcaktuar se zhdukja e tre fëmijëve brenda një periudhe të shkurtër kohore a është pjesë e kontrabandës. (INA)